Autor
Joan Kolev
Seksion
29 tetori – kujtesë për rrënjët dhe për ata që ruajnë shpirtin bullgar larg atdheut
Dita e bullgarëve të Besarabisë zë një vend të veçantë në zemrën e Dima Trufkin
Enjte 29 Tetor 2026 16:00
Enjte, 29 Tetor 2026, 16:00
Dima Trufkin
FOTO: Arkiva personale e Dima Trufkin
Madhësia e shkronjave
Data 29 tetor nuk është zgjedhur rastësisht si Dita e bullgarëve të Besarabisë. Në këtë ditë, në vitin 1838, u shenjtërua kisha “Shpërfytyrimi i Zotit” në Bolgrad, Ukrainë, e ndërtuar nga bullgarët e Besarabisë në shenjë mirënjohjeje ndaj shtetit të asaj kohe, i cili u kishte dhënë mundësinë të zhvilloheshin dhe të jetonin të lirë. Njëqind vjet më vonë, në vitin 1938, komuniteti i bullgarëve të Besarabisë në Bullgari propozoi që kjo ditë të kremtohej si Dita e bullgarëve të Besarabisë, me qëllim forcimin e lidhjes mes bullgarëve që jetojnë këtu dhe atyre në Besarabi.
Dima Trufkin është muzikant dhe bullgar nga Besarabia, i lindur në fshatin ukrainas Kubej, që ndodhet 220 kilometra në jugperëndim të qytetit të Odesës dhe 18 kilometra larg qytetit të Bolgradit. Prej 12 vitesh (që nga viti 2014), ai jeton në Bullgari. Këtu jetojnë gjithashtu edhe vëllai dhe nëna e tij. Sado vite të kalojnë, Dima vazhdon ta mbajë të gjallë lidhjen me vendlindjen dhe rrënjët e tij, si dhe kujtimin për to. Prandaj, nuk është rastësi që Dita e bullgarëve të Besarabisë zë një vend të veçantë në zemrën e tij.
FOTO: BTA
„Për mua, 29 tetori ka qenë gjithmonë një datë e mbushur me emocione, sepse është një ditë për të gjithë bullgarët e Besarabisë – si në Ukrainë, ashtu edhe në Moldavi, përfshirë edhe bullgarët e Tavrisë. Kjo nuk është thjesht një datë, por një kujtim për rrënjët dhe për njerëzit që ruajnë shpirtin dhe traditat bullgare larg Bullgarisë.“
Ai erdhi në Bullgari për të studiuar në Universitetin Jugperëndimor „Neofit Rillski“ në Bllagoevgrad, ku zgjedh Fakultetin e Arteve dhe nis studimet për t’i rënë trumpetës:
FOTO: BTA
„Erdha krejt i vetëm, sepse që në fëmijëri kisha dëshirën të studioja në Bullgari. Kur isha i vogël, më pyesnin se ku do të studioja dhe unë përgjigjesha: „Në Bullgari“, megjithëse në atë kohë ende nuk e dija se ku ndodhej, por isha i sigurt për këtë.“
Instrumenti i parë me të cilin u njoh që në fëmijëri, falë një fqinji në fshatin e tij të lindjes, ishte fyelli. Ndërsa njohjen me gajden, e cila sot është instrumenti tjetër i tij i preferuar pas trumpetës, ia detyron mësuesit të tij të parë, Krasimir Kondov, drejtues artistik i Ansamblit Verior të Këngëve dhe Valleve Popullore „Ivan Vëlev“ në Pleven.
„Ai ishte një mësues i dërguar nga Bullgaria në Ukrainë, i cili vinte çdo javë në fshatin tonë për të na mësuar instrumentet muzikore popullore bullgare. Për këtë i jam shumë mirënjohës, sepse, po të mos kishte qenë ai, sot nuk do të luaja në gajde.“
FOTO: Arkiva personale e Dima Trufkin
Bullgari i Besarabisë sqaron se nuk ishte ai që e zgjodhi gajden, por ishte gajdja ajo që e zgjodhi atë.
„Gjatë një vizite të disa mysafirëve zyrtarë në shkollën time, u dhurua një gajde si dhuratë dhe drejtori ma dorëzoi mua para të gjithëve. Në atë kohë, unë kisha filluar tashmë të luaja në një instrument tjetër frymor – dudukun ukrainas. Drejtori mendoi se këto dy instrumente kishin diçka të përbashkët dhe kështu, që nga ai moment, nisi aventura ime me gajden.“
FOTO: Arkiva personale e Dima Trufkin
Pas përfundimit të studimeve universitare në Bllagoevgrad, Dima zhvendoset në Sofje, ku për njëfarë kohe punon në një kompani që organizon veprimtari muzikore dhe kulturore. Paralelisht, fillon punë në orkestrën frymore pranë Akademisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku luan si trumpetist. Gjithashtu, punon në bibliotekën popullore „Vasill Levski 1928“, në lagjen „Suhata Reka“ të kryeqytetit, ku zhvillon veprimtari të shumta krijuese me fëmijë dhe të rritur.
FOTO: Arkiva personale e Dima Trufkin
Me iniciativën e Trufkinit është krijuar edhe grupi „Poduene Brass Band“.
Fillimisht, grupi përbëhej nga 15 persona. Aktualisht, numri i anëtarëve është më i vogël, por ata vazhdojnë të kërkojnë anëtarë të rinj, na shpjegon Dima. Një nga arsyet që çoi në krijimin e këtij formacioni ishte edhe lidhja me Ukrainën e tij të lindjes:
FOTO: Arkiva personale e Dima Trufkin
„Në Ukrainë, unë u rrita duke luajtur në orkestrën frymore të fshatit tonë. Megjithatë, disa vite më parë, ajo e ndërpreu veprimtarinë e saj, por unë vendosa se muzika frymore duhet të vazhdonte të tingëllonte. Edhe nëse pushon së tingëlluari në fshatin tim, ajo duhet të jehojë këtu, në Bullgari. Ideja ime u mbështet nga drejtuesit e bibliotekës, në përfaqësinë e Boris Samarinov, dhe prej dy vitesh po përpiqemi ta mbajmë gjallë traditën e muzikës frymore në Sofje.“
Trufkin tregon se në orkestër marrin pjesë familje të tëra – baballarë dhe djem luajnë së bashku, gjë që u pëlqen shumë. Pjesë e orkestrës janë edhe disa nga nxënësit e tij të parë të trumpetës. Materialet muzikore në nota i siguron Nikollaj Kojumxhi, drejtuesi i orkestrës që dikur funksiononte në Kubej:
„Ai më jep me shumë kënaqësi informacione dhe këshilla të shumta për punën me orkestrën. Është gjithashtu personi që më mësoi të luaja në trumpetë.“
FOTO: facebook.com/Vasil.Levski.1928
Me iniciativën e orkestrës „Poduene Brass Band“ dhe me mbështetjen e drejtuesve të qendrës kulturore, organizohet edhe „Festivali i Orkestrave Frymore të të Rinjve“:
„Ai u zhvillua për herë të parë vitin e kaluar, kur ftuam gjashtë orkestra rinore nga Bullgaria – nga Pleven, Botevgrad, Berkovica dhe Sofje, si dhe orkestrën e Gjimnazit të Parë të Gjuhës Angleze, gjithashtu nga kryeqyteti. Këtë vit arritëm ta organizonim sërish, ndërsa vitin e ardhshëm shpresoj të kemi më shumë mundësi për ta zhvilluar në përmasa më të mëdha dhe për të ftuar më shumë orkestra.“
FOTO: facebook.com/Vasil.Levski.1928
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello