Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

Enjte, 29 Tetor 2026, 08:22

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgarët dhe pasardhësit e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën, jetën shoqërore e politike, madje edhe në arkitekturën e Amerikës së Jugut. Në Bullgari dihet pak për shumë prej tyre, por historitë e tyre meritojnë të rrëfehen. Njëzet e tri histori jetësore, njëzet e tri fate njerëzore, janë mbledhur nga Aksinia Ivanova dhe Ivan Cankov në librin e tyre të ri, „Talente bullgare në tokën e Amerikës së Jugut”.

Autorët e librit jetojnë në Argjentinë që prej fillimit të këtij shekulli, por lidhjet e tyre me Bullgarinë mbeten të forta. Ata kanë krijuar shoqatën qytetare „Bullgarët në Argjentinë”, si dhe mediat e para në gjuhën spanjolle në kontinent kushtuar Bullgarisë: portalin informativ losbulgaros.com.ar, radion online „Bullgaria ime” e të tjera. Përveç kësaj, janë angazhuar në realizimin e filmave dhe botimin e librave që rrëfejnë historinë e „Bullgarisë tjetër” – asaj që breza të tërë emigrantësh dhe fëmijët e tyre kanë ndërtuar përtej Atlantikut, me punën, përkushtimin dhe talentin e tyre.

Ivan Cankov dhe Aksinija Ivanova

Ivan Cankov dhe Aksinija Ivanova

FOTO: BTA

Gjithçka nis me një takim me një shkrimtare nga Uruguai, me rrënjë bullgare, e cila u shpërngul në Argjentinë dhe iu drejtua Aksinjas dhe Ivanit për të kërkuar informacion. Nga bisedat me të, ata zbuluan krijimtarinë e saj, famën që gëzon në Uruguai dhe librat që dikur ia dhuronte presidentit të vendit, José Mujica. Pikërisht atëherë u lind një pyetje: sa bashkatdhetarë të tjerë, matanë oqeanit, ruajnë histori që presin të dëgjohen? Në kërkim të përgjigjes, ata nisën fushatën „Zbulo një talent bullgar” në radion e tyre online „Bullgaria ime”. Kërkuan bashkatdhetarë dhe njerëz me prejardhje bullgare, biseduan me ta dhe mblodhën historitë e jetës së tyre. Dalëngadalë, materiali i mbledhur mori përmasat e një libri, ku, krahas bashkëkohësve, gjetën vend edhe figura të së kaluarës.

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: Miglena Ivanova

Veçanërisht i bëri përshtypje fati i poetit Mario Nestoroff, i biri i emigrantëve bullgarë. Cankov e cilëson atë si talentin më të shquar të komunitetit bullgar në Argjentinë. Nestoroff fitoi një konkurs letrar kombëtar me poezinë „Këngë për Çakon”. Mes anëtarëve të jurisë ishte edhe Jorge Luis Borges. Gjatë jetës, Nestoroff nuk botoi asnjë libër, por poezitë e tij u kthyen në këngë dhe studiohen në shkollat argjentinase.

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: Botim digjital i librit „Talentet bullgare në tokën e Amerikës së Jugut”

Në cilat fusha spikasin më shumë bullgarët në Amerikën e Jugut? Dhe çfarë të përbashkët kanë historitë e rrëfyera në librin „Talente bullgare në tokën e Amerikës së Jugut”? Ja si përgjigjet Ivan Cankov:

„Më të shumtë janë shkrimtarët. Letërsia ka qenë fusha më e përfaqësuar që në valët e para të emigracionit bullgar në Amerikën e Jugut. Shkrimtari Samuill Strezov, i cili i përket pikërisht valës së parë, gëzonte mjaft famë në atë kohë. Libri i tij i parë i botuar („Anga. Kujtime të një emigranti” – shën. i red.) madje ishte prezantuar edhe në qarqet letrare në Francë. Ai kishte ngjallur shumë interes tek ata. Sa për atë që kanë të përbashkët këto histori, janë tiparet karakteristike bullgare, të cilat i japin talentit bullgar mundësinë të lulëzojë edhe në tokë të huaj.”

Vëtjo Korallski

Vëtjo Korallski

FOTO: Botim digjital i librit „Talentet bullgare në tokën e Amerikës së Jugut”

Ndër historitë e mbledhura nga Aksinia dhe Ivani është edhe ajo e inxhinierit të ndërtimit Vëto Korallski, i cili mbërriti në Argjentinë në vitin 1948, me diplomën dhe vetëm pak monedha në xhep. Në qytetin e Tukumanit ai themeloi kompaninë e tij, u bë pionier i ndërtimit të banesave shumëkatëshe dhe u nderua me titullin „Qytetar i Merituar”.

Secili prej emigrantëve gjen rrugën e vet, sipas dhuntive, mundësive dhe asaj që i rezervon jeta. Por si fitohet besimi ndaj një komuniteti emigrantësh dhe si shihet në përgjithësi komuniteti bullgar në Argjentinë?

Ivan Cankov në studion e Radio Bullgarisë

Ivan Cankov në studion e Radio Bullgarisë

FOTO: Miglena Ivanova

„Në zonat ku komuniteti bullgar është i madh, mbi të gjitha në provincën Çako, ku ndodhet komuniteti më i madh dhe më i vjetër bullgar, ai gëzon një prestigj shumë të lartë - tregon Ivan Cankov. - Dua të shpjegoj edhe pse janë vendosur pikërisht atje. Çakoja ka qenë qendra e industrisë së pambukut. Në një kohë kur nuk ekzistonin pëlhurat sintetike, pambuku ishte një mall shumë i kërkuar. Kishte nevojë të vazhdueshme për fuqi punëtore dhe bullgarët u vendosën atje. Ky është komuniteti i parë që hapi një shkollë për fëmijët e vet. Bullgarët njihen gjithashtu për zellin në punë, një tipar që ne e njohim mirë edhe në atdhe, si dhe për ndershmërinë. Të gjitha këto cilësi u kanë dhënë një vend të respektuar në shoqëri. Një tjetër aspekt janë talentet bullgare, të cilat janë zhvilluar jo vetëm në fushat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, si letërsia, muzika dhe piktura, por edhe në jetën publike. Ka shumë figura që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe gëzojnë respekt të madh në provincat përkatëse. Po jap vetëm një shembull: bashkatdhetari ynë Omar Cеnov, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë, ishte një shkrimtar shumë i njohur, veprimtar fetar, burrë shteti e të tjera. Sa ishte ende gjallë, një shkollë në qytetin e tij u emërtua me emrin e tij me dekret shtetëror. Vetëm kjo flet mjaftueshëm.”

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: BTA

Përveçse mund ta lexojë librin, lexuesi mund t’i shohë dhe t’i dëgjojë edhe personazhet e tij. Një kod QR e çon te fotografi, materiale audio dhe video, përfshirë intervistat e regjistruara nga Aksinia dhe Ivani. Kështu, pas emrave dhe biografive shfaqen fytyra, zëra dhe kujtime të rrëfyera nga vetë protagonistët. Libri është botuar në bullgarisht dhe në spanjisht. Zgjedhja për ta botuar edhe në gjuhën e dytë lidhet me veçoritë e komunitetit bullgar në Argjentinë, shpjegon bashkëbiseduesi i Radio Bullgarisë:

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: BTA

„Komuniteti bullgar në Argjentinë ka një veçori: pjesën dërrmuese të tij e përbëjnë pasardhësit e emigrantëve bullgarë. E vetmja gjë që i lidh me Bullgarinë është mbiemri i tyre, që përfundon me -off. Ata nuk e dinë gjuhën bullgare. Për këtë arsye, ne transmetojmë programe dhe shkruajmë edhe në spanjisht, që të arrijmë tek ata.”

Edhe kur gjuha e paraardhësve nuk flitet më në shtëpi, historitë familjare vazhdojnë të përcillen brez pas brezi. Ato zgjojnë te brezat e rinj dëshirën për të njohur vendin nga i cili nisi rrugëtimi i familjes së tyre. Vitet e fundit, rrjetet sociale krijojnë përshtypjen se gjithnjë e më shumë pasardhës të bullgarëve po kthehen drejt rrënjëve të tyre. A po rritet vërtet ky interes, apo thjesht po bëhet më i dukshëm?

Një libër i ri zbulon histori të panjohura të bullgarëve në Amerikën e Jugut

FOTO: sbj-bg.eu

„Dua të theksoj se interesi për rrënjët e tyre dhe për Bullgarinë ka ekzistuar gjithmonë. Ai është i vazhdueshëm - shprehet me bindje Ivan Cankov. - Njerëzit me të cilët mbajmë kontakte dhe që përbëjnë këtë komunitet janë tashmë pasardhës të brezit të katërt të emigrantëve. Përshtypjet e para për Bullgarinë i kanë marrë nga paraardhësit e tyre, nga gjyshërit dhe gjyshet, të cilët u kanë treguar për vendin. Për shembull, ata e dinë shumë mirë se çfarë është banica. I adhurojnë veshjet tradicionale bullgare. Për ta, Bullgaria është diçka shumë e shenjtë. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë ardhur në Bullgari dhe e njohin nga afër.”

Kështu, ndërsa pasardhësit e emigrantëve kërkojnë të mbajnë lidhjet me Bullgarinë, libri i Aksinia Ivanovës dhe Ivan Cankovit na jep mundësinë t’u afrohemi edhe ne atyre, të njohim njerëzit pas emrave dhe të zbulojmë se si veprimtaria e tyre është bërë pjesë e jetës në një kontinent të largët.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova