Gërmime arkeologjike në Rusokastro

Zbulohet një ndërtesë monumentale dhe gjenden monedha argjendi në qytetin mesjetar.

Enjte, 29 Tetor 2026, 13:37

Gërmime arkeologjike në Rusokastro

FOTO: Muzeu Historik Rajonal i Burgasit

Madhësia e shkronjave

Një ndërtesë monumentale, 7,60 metra e gjerë, gjatësia e së cilës ende nuk është e përcaktuar, është zbulimi më i fundit arkeologjik i këtij viti në qytetin mesjetar të Rusokastros. Ndërtesa ndodhet pranë murit të brendshëm jugor të kalasë. Lajmi u bë i ditur nga Muzeu Historik Rajonal i Burgasit.

Muret e ndërtesës janë 1,1 metra të trasha dhe janë ndërtuar me gurë të lidhur me sasi të mëdha llaçi gëlqeror. Nga ana e brendshme, muret janë të veshura me një shtresë të trashë llaçi rozë, rezistent ndaj ujit. Këto veçori sugjerojnë se ndërtesa mund të jetë përdorur si depozitë uji ose si magazinë për ruajtjen e ushqimeve. Arkeologët mendojnë se bëhet fjalë për katin përdhes të një ndërtese që ndodhej në lagjen qendrore të qytetit. Sipas tyre, mbi të mund të ketë pasur edhe një kat të dytë, të përdorur për banim.

Gjatë gërmimeve u zbuluan gjithashtu një numër i madh objektesh arkeologjike, mes tyre monedha argjendi të mbretit bullgar Ivan Aleksandër, monedha argjendi veneciane të njohura si matapanë, monedha bakri dhe sende të tjera. Aktualisht, këto gjetje po pastrohen dhe po trajtohen në laboratorin e restaurimit të muzeut në Burgas.

Rusokastro është pjesë e listës së objekteve arkeologjike me rëndësi të veçantë për shtetin bullgar, të cilat financohen për zhvillimin e turizmit kulturor në vend.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova