TURIZËM

Artikull

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

Kalaja është simbol i forcës dhe i shtetësisë, pjesë e kujtesës së njerëzve në rajonin e Petriçit, rrëfen guidja turistike Silvija Vellçeva

Enjte, 29 Tetor 2026, 17:10

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

FOTO: Muzeu Historik – Petriç

Madhësia e shkronjave

Më 3 tetor 2026, me 21 të shtëna artilerie përshëndetëse, Bullgaria priti solemnisht eshtrat e një prej personaliteteve më të rëndësishme të periudhës së fundit të Shtetit të Parë Bullgar – car Samuillit (997–1014). Ato iu dorëzuan vendit tonë nga Greqia, gjatë një ceremonie në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve. Kjo ngjarje e rëndësishme bëri që shumë bullgarë ta kthenin vëmendjen drejt historisë dhe të njiheshin më nga afër me figurën e këtij sundimtari me ndikim. Sot do t'ju tregojmë për kalanë e car Samuillit, Autokratit, në Bullgarinë jugperëndimore, ku kujtimi për madhështinë dhe fatin e tij tragjik vazhdon të jetojë.

Parku-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“

Parku-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“

FOTO: Facebook/ „Kalaja e Samuillit“

Rreth 16 kilometra nga qyteti i Petriçit dhe 3 kilometra nga kufiri me Maqedoninë e Veriut ndodhet Parku-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“, i ngritur në vendin ku, më shumë se 1 000 vjet më parë, ushtria e car Samuillit u mund pas sulmit të bizantinëve, të udhëhequr nga Vasili II. Kodra Kufallnica, nga e cila dikur cari kontrollonte Grykën e Kljuçit, rrëfen legjendën e sundimtarit që vdiq nga pikëllimi kur pa kolonën e luftëtarëve të tij të verbuar.

Beteja e Belasicës dhe vdekja e car Samuillit – miniaturë nga Kronika e Manasit

Beteja e Belasicës dhe vdekja e car Samuillit – miniaturë nga Kronika e Manasit

FOTO: nationalgeographic.bg

Beteja e Belasicës, e njohur gjithashtu si beteja pranë fshatit Kljuç, në korrik të vitit 1014, është një moment kyç në historinë bullgare. Në atë kohë, ushtria e sundimtarit bullgar, car Samuillit, u përpoq të ndalte përparimin e ushtrisë bizantine. Për të përforcuar mbrojtjen kundër Bizantit, car Samuilli ndërtoi një sistem fortifikimesh mbrojtëse, të cilat fillonin lart në shpatet e malit Belasica, në jug të fshatit Kljuç, arrinin deri në malin Ograzhden dhe shtriheshin për më shumë se 8 kilometra. Mbi kodër, cari ndërtoi një fortifikim prej dheu, të mbrojtur nga tri ledhe dhe dy hendeqe. Aty kishte 43 gropa-banesash, të cilat shërbenin si kamp për luftëtarët e Samuillit. Pozicioni i Kalasë së Samuillit mundësonte kontrollin e të gjithë grykës dhe ajo përdorej si pikë strategjike për të gjithë sistemin mbrojtës. Pikërisht aty u zhvillua beteja tragjike, gjatë së cilës perandori bizantin Vasili II, i cili hyri në histori me nofkën „Vrasësi i bullgarëve“, verboi më shumë se 14 000 ushtarë të ushtrisë së car Samuillit. Kjo pamje e shpoi zemrën e sundimtarit bullgar si një thikë dhe ai vdiq. Sot, memoriali pranë Petriçit kujton këtë moment shkatërrimtar në historinë e Shtetit të Parë Bullgar.

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

FOTO: Muzeu Historik – Petriç

„Muzeu „Kalaja e Samuillit“ u përurua zyrtarisht në vitin 1982 dhe, sipas konceptit të tij ideor, kompozimi na paraqet një kala mesjetare bullgare, në murin e së cilës, nëpërmjet basorelieveve prej bronzi, janë paraqitur ushtarët e verbuar të Samuilit, me duart e shtrira përpara, sikur të kërkonin ndihmë nga cari i tyre“, rrëfen Silvija Vellçeva, guidë kryesore turistike dhe sekretare administrative në Muze. „Në qendër ngrihet skulptura e car Samuillit, vepër e profesorit Boris Gondov. Monumenti është pesë metra i lartë, është derdhur në bronz dhe paraqet çastin kur sundimtari bullgar sheh kolonën e gjatë të luftëtarëve të tij të verbuar. Ai është paraqitur me këmbët e përthyera në gjunjë, sikur në çdo moment të jetë gati të shembet përtokë. Në njërën dorë cari mban një shpatë, gjë që thekson faktin se për më shumë se 40 vjet car Samuilli ishte komandanti më i lartë ushtarak i shtetit bullgar. Në dorën tjetër mban një skeptër, simbol të pushtetit mbretëror. Koka e tij është ngritur paksa lart, sepse ai beson se Bullgaria do të vazhdojë të ekzistojë ndër shekuj. Profesori Boris Gondov na përcjell dhimbjen e madhe që përjeton car Samuilli kur sheh ushtrinë e tij të verbuar. Kudo mund të shohim monumente të ngritura për nder të një fitoreje ose të një heroi, ndërsa këtu shohim një monument të ngritur në nder të një tragjedie.“

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

FOTO: Muzeu Historik – Petriç

Kalaja e Samuillit lidhet me një nga tragjeditë më të mëdha në historinë bullgare, shton Silvija Vellçeva dhe rrëfen faktet historike: „Më 29 korrik të vitit 1014, trupat bizantine hynë në territorin bullgar, të komanduara personalisht nga perandori Vasili II. Ai dërgoi dy strategë për të gjetur shtigje nëpër zonat e pakalueshme. Njëri prej tyre ishte Nikifor Ksifij, i cili kishte marrë pjesë në konflikt që nga fillimi. Njësia e tij u drejtua nga jugu, drejt malit Belasica. Strategu tjetër ishte Teofilakt Botaniati. Ai komandonte njësinë veriore dhe u drejtua nga mali Ograzhden. Kështu u arrit deri te beteja në Grykën e Kljuçit, ku ushtarët bullgarë u sulmuan nga dy fronte. Ata nuk ishin të përgatitur dhe nuk e prisnin një sulm të tillë. Car Samuilli u shpëtua nga i biri, Gavraill Radomir, i cili e hipi mbi kalë dhe e çoi në kalanë e Prilepit. Pati shumë të vrarë, por shumica e ushtarëve u zunë robër. Më shumë se 14 000 ushtarë u verbuan pak më vonë, ndërsa për çdo njëqind veta lihej një ushtar me njërin sy të paprekur, në mënyrë që t'i udhëhiqte të tjerët. Luftëtarët bullgarë të verbuar u lejuan të ktheheshin te cari i tyre dhe, më 6 tetor të vitit 1014, i tronditur nga pamja e ushtarëve të tij, car Samuilli nuk e përballoi dot dhimbjen dhe vdiq nga një atak në zemër. Kështu përfundoi rrugëtimi i një sundimtari të madh, i cili për dekada me radhë arriti të ruante pavarësinë e shtetit bullgar.“

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

FOTO: Facebook/ „Kalaja e Samuillit“

Sot, parku-muze vizitohet nga shumë nxënës gjatë të ashtuquajturave „shkolla të gjelbra“, ndërsa tema për car Samuillin është përfshirë në tekstet shkollore të historisë, shton Silvija Vellçeva. „Kalaja e Samuillit“ vazhdon të zhvillohet edhe nëpërmjet projekteve të reja ndërkombëtare.

„Në vitin 2026, Bashkia e Petriçit dhe Muzeu Historik i qytetit po realizojnë dy projekte të mëdha. Njëri është një projekt ndërkufitar për rinovimin dhe vënien në funksion të potencialit turistik të Parkut-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“, në kuadër të programit INTERREG Bullgari–Maqedonia e Veriut. Do të krijohen një rindërtim digjital, një sistem komunikimi vizual dhe një hapësirë për aktivitete. Projekti i dytë lidhet me restaurimin dhe konservimin e gropës së madhe-banesë, e cila është një nga elementet më të njohura të Kalasë së Samuillit, pasi mendohet se është gropa-banesë e përdorur nga vetë cari. Për Bashkinë e Petriçit, ky është një investim në histori, në kulturë dhe në potencialin turistik të të gjithë rajonit. Për ne, si muze, është e rëndësishme që vizitori ta ndiejë rëndësinë e këtij vendi dhe të prekë nga afër historinë e car Samuillit dhe të luftëtarëve të tij, në mënyrë që „Kalaja e Samuillit“ jo vetëm të ruhet, por edhe të rrëfehet për brezat e ardhshëm.“

Si e perceptojnë banorët e Petriçit figurën e këtij sundimtari bullgar? A kanë ata një qëndrim të veçantë ndaj tij?

„Kalaja e Samuillit“ ruan të gjallë kujtimin e car Samuillit dhe luftëtarët

FOTO: Muzeu Historik – Petriç

„Për njerëzit e qytetit, car Samuilli nuk është thjesht një figurë historike nga tekstet shkollore të historisë. Ai është pjesë e identitetit të qytetit dhe të rajonit. Për ta, kalaja është simbol i forcës dhe i shtetësisë. Kur flasim për Samuillin, në të vërtetë flasim për kujtesën tonë lokale. Prandaj, roli i Parkut-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“ është shumë i rëndësishëm sot.“

Parku-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“ është përfshirë në listën e 100 objekteve turistike kombëtare të Bullgarisë, të hartuar nga Unioni Turistik Bullgar. „Që në vitin 1965, ky vend u shpall monument kulture i kategorisë me rëndësi kombëtare, ndërsa në vitin 1968 filluan gërmimet e para arkeologjike, të drejtuara nga Dimka Serfimova, e cila në atë kohë ishte përgjegjëse e sektorit të Arkeologjisë në Bllagoevgrad“, shton guidja jonë turistike, Silvija Vellçeva.

Salla e ekspozitës në Parkun-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“

Salla e ekspozitës në Parkun-Muze Kombëtar „Kalaja e Samuillit“

FOTO: Facebook/ „Kalaja e Samuillit“

Kompleksi memorial është një nga monumentet e rëndësishme historike në „koleksionin“ e Muzeut Historik Rajonal në qytetin e Petriçit, në strukturën e të cilit bëjnë pjesë gjithashtu qyteti antik mbresëlënës Heraklea Sintika dhe shtëpia-muze e fallxhores së njohur bullgare Vanga. „Muzeu Historik ekziston që nga viti 1966, por fillimisht ishte një koleksion muzeal i vendosur në një shtëpi private. Në vitin 1974, ai u zhvendos në katin përdhes të qendrës kulturore „Vëllezërit Mlladinovi“, ndërsa në vitin 2022 bëri një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij, kur u përurua godina e re e Muzeut, pas një rikonstruksioni të gjerë të një ndërtese të dikurshme ushtarake. Projekti u realizua në partneritet me Bashkinë e Serresit, në Greqi. Në të mund të shihen ekspozita të arkeologjisë, historisë dhe etnografisë“, rrëfen Silvija Vellçeva, guidë kryesore turistike dhe sekretare administrative e Muzeut, në një intervistë të posaçme për „Radio Bullgarinë“.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski