Autor
cvetana
Seksion
Këngët e Dobri Hristovit - një model i muzikës bullgare
Premte 30 Tetor 2026 14:05
Premte, 30 Tetor 2026, 14:05
FOTO: Agjencia Shtetërore e Arkivave
Madhësia e shkronjave
Kompozitori i madh Dobri Hristov, i përket brezit të parë të kompozitorëve bullgarë dhe zë një vend të jashtëzakonshëm në kulturën tonë. Veprimtaria e tij si dirigjent i shquar, pedagog frymëzues, studiues largpamës dhe drejtues aktiv i institucioneve kryesore muzikore hodhi themelet e muzikës profesionale bullgare. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm në mbledhjen dhe studimin e folklorit tonë, në krijimin e veprave klasike të këngës korale dhe asaj solistike, si dhe në formësimin e parimeve estetike dhe krijuese të brezit të dytë të kompozitorëve bullgarë. Ndër nxënësit e tij ishin personalitete të nivelit të Panço Vlladigerovit, Veselin Stojanovit, Filip Kutevit dhe Marin Goleminovit.
Krijimtaria e tij korale, e cila ndërthur folklorin autentik bullgar dhe këndimin kishtar sllav me parimet e harmonisë klasike, ka dhënë një kontribut themelor në muzikën tonë artistike. Duke u mbështetur në këngë popullore nga rajone të ndryshme të Bullgarisë, Dobri Hristov krijoi dhjetëra vepra për kor të përzier, kor burrash dhe kor fëmijësh. Në shumë prej teksteve të këtyre miniaturave të spikatura janë ruajtur veçoritë origjinale dialektore. Në këtë mënyrë, Dobri Hristov e zbeh ndjeshëm kufirin midis krijimtarisë së tij individuale dhe asaj popullore.
Rrugëtimin e tij muzikor e nisi si autodidakt, ndonëse me një talent të jashtëzakonshëm, në qytetin e tij të lindjes, Varna. Në moshën 20-vjeçare, Dobri Hristov krijoi dy përmbledhje këngësh korale me të cilat mori pjesë në një konkurs për të fituar një bursë studimi jashtë vendit.Fakti që komisioni e refuzoi kandidaturën e tij shkaktoi pakënaqësi në opinionin publik të Varnës. Si rrjedhojë, banorët e qytetit mblodhën fonde për ta dërguar muzikantin e ri të studionte në Konservatorin e Pragës, ku një nga pedagogët e tij ishte Antonín Dvořák.Tri vitet e kaluara në Pragë e pasuruan Dobri Hristovin me njohuri të reja mbi kriteret dhe vlerat e artit muzikor kombëtar. Pas kthimit në atdhe, në vitin 1903, ai nisi të përpunonte këngë bullgare nga Maqedonia, të cilat i konsideronte më të përshtatshmet për përpunime muzikore origjinale përmes mjeteve të harmonisë klasike.
FOTO: Arkiva
Shumica e këtyre këngëve, të shkruara për kor burrash, u botuan në vitin 1923 në përmbledhjen “Këngë maqedonase”. Ndër to, një nga këngët më të dashura dhe më të interpretuara është “Sa dëshirë dhe kënaqësi kam”, në të cilën një djalosh shpreh dëshirën e tij për të pasur një dyqan në qytetin e Strugës, për t'u ulur përpara tij dhe për të soditur vajzat e bukura që shkojnë të mbushin ujë në burimet e zonës.
Në dekadat e fundit, kjo këngë popullore me origjinë nga rajoni i Strugës (një qytet piktoresk në Maqedoninë e Veriut të sotme, i vendosur në bregun verior të Liqenit të Ohrit) është bërë veçanërisht e njohur në interpretimin e këngëtarit tonë të famshëm të muzikës popullore, Kostadin Gugov.Koret bullgare pëlqejnë dhe interpretojnë shpesh edhe versionin e kompozitorit tonë të shquar të brezit të dytë, Petko Stajnov. Megjithatë, përpunimi i mjeshtrit të madh Dobri Hristov është i pari. Versioni i tij, i krijuar posaçërisht për zëra burrash, është interpretuar nga shumë formacione korale.
Mihaill Millkov (1923–2003)
FOTO: archives.bnr.bg
Një nga interpretimet më të spikatura daton në fillim të viteve ’90 të shekullit XX dhe i përket këngëtarëve meshkuj të Korit të Përzier të Radios Kombëtare Bullgare, nën drejtimin e dirigjentit Mihaill Millkov (1923–2003).Ky personalitet i shquar dhe autoritet i padiskutueshëm në fushën e interpretimit koral bullgar themeloi Korin e Përzier të Radios Kombëtare Bullgare në vitin 1952 dhe e drejtoi atë për më shumë se katër dekada, duke lënë në arkivën e Radios mbi 500 regjistrime. Veçanërisht të rëndësishme janë turnetë e ansamblit jashtë vendit dhe bashkëpunimi me disa nga dirigjentët më të mëdhenj të botës, si Herbert von Karajan, Claudio Abbado dhe Riccardo Muti.
Interpretimi i këngës “Sa dëshirë dhe kënaqësi kam”, nën drejtimin e Mihaill Millkovit, të mahnit me fuqinë shprehëse, pasurinë dhe bukurinë e timbreve vokale, si dhe me tingullin jashtëzakonisht të harmonizuar, të ekuilibruar dhe kompakt të korit.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello