Premte 30 Tetor 2026 16:10
Premte, 30 Tetor 2026, 16:10
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Votuesit në Serbi e larguan Aleksandar Vuçiqin pas 14 vitesh në pushtet
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, „Lista e Studentëve“ fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi me 52% të votave. Në zgjedhjet e 25 tetorit, lista „Serbia e Bashkuar“ e Partisë Progresiste Serbe të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq mori 39,17%. Zgjedhjet do të përsëriten në 53 nga 8392 qendra votimi, transmeton BTA. Pjesëmarrja në votime ishte mbi 69%. Të gjitha partitë e tjera morën më pak se 3% të votave dhe nuk do të hyjnë në Kuvendin e ri të Serbisë (Skupština). Sipas ligjit, vende në parlament u takojnë vetëm disa prej pakicave në vend.
Fitorja e studentëve vjen pas protestave qytetare që zgjatën rreth dy vjet, pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad, e cila shkaktoi vdekjen e 16 personave. Në Serbi, më 26 dhjetor, pritet të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme presidenciale.
FOTO: seenews.com
Në Rumani u zbulua një rrjet ndërkombëtar rus për sabotime
Shërbimi Rumun i Inteligjencës (SRI) zbuloi një rrjet sabotimi të koordinuar nga Rusia. Ai qëndron pas zjarrit të 14 shtatorit në Brașov, pranë fabrikës së armëve CARFIL, në pronësi të kompanisë shtetërore ROMARM, shkruan digi24.ro.
Sipas prokurorisë rumune, ka nisur procedura për ekstradimin e autorëve – dy shtetas bjellorusë, të arrestuar në Gjermani, dhe një shtetas ukrainas, i arrestuar në Varshavë. Sipas SRI-së, rasti është pjesë e një fushate më të gjerë operacionesh sabotimi në Evropë, të koordinuara nga Rusia. Hetimet gjatë këtij viti kanë zbuluar edhe përpjekje të tjera për sabotim në Rumani, përfshirë objekte dhe baza ushtarake ndërkombëtare. „Qëllimi është frikësimi, shkaktimi i dëmeve ndaj mbrojtjes dhe dobësimi i kontributit të shteteve të prekura në sigurinë evropiane dhe rajonale“, theksojnë nga SRI.
FOTO: mfa.gr
BE-ja kundërshton ndarjen ekonomike të Detit Mesdhe midis Turqisë dhe Libisë
Greqia, BE-ja, Qiproja, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dolën me një deklaratë të përbashkët në OKB kundër marrëveshjes për delimitimin detar midis Turqisë dhe Libisë, transmeton BGNES.
Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis, i cili foli në emër të të gjithëve, paralajmëroi se pranimi i marrëveshjeve që shpërfillin të drejtën ndërkombëtare do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Sipas tij, memorandumi midis Turqisë dhe Libisë nuk respekton të drejtat detare të shteteve bregdetare, përfshirë të drejtat e ishujve, dhe mbetet i pavlefshëm, pa efekt juridik ndaj palëve të treta.
Greqia, Qiproja, Egjipti, Izraeli dhe Franca e kundërshtuan marrëveshjen midis Turqisë dhe Libisë në vitin 2019. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i cilësoi si të pabazuara kritikat e BE-së dhe të vendeve të tjera të treta ndaj marrëveshjes.
FOTO: n1info.ba
Prej një çerek shekulli në Bosnjë dhe Hercegovinë po ndërtohet një autostradë nga Evropa drejt Adriatikut
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, më 28 tetor u shënua përfundimi i një segmenti të ri prej 20 kilometrash të autostradës përgjatë Korridorit Vc, e cila po ndërtohet prej 25 vitesh, njofton N1info.ba. Ky segment shtrihet në veri të qytetit të Zenicës, në drejtim të Zhepçes. Ndërtimi ka kushtuar mbi 400 milionë euro.
FOTO: radiokameleon.ba
Autostrada e ndërtuar deri më tani ka një gjatësi të përgjithshme prej rreth 115 kilometrash. Së bashku me disa segmente që nuk janë të lidhura me njëri-tjetrin, deri më tani janë ndërtuar pak më shumë se 150 kilometra nga 330 kilometrat e planifikuara të korridorit panevropian që lidh Budapestin me portin kroat të Adriatikut, Ploçe.
Që nga viti 2001, ndërtimi i autostradës është shoqëruar me skandale, përparim të ngadaltë, ndryshime të përsëritura të projekteve, vonesa dhe tejkalim të kostove. Segmenti i autostradës në Kroaci u përfundua në tetor të vitit 2025.
FOTO: nefes.com.tr
Bollëku i madh i peshkut palamidë i gëzon turqit, por i shqetëson peshkatarët
Një bollëk i paparë i peshkut palamidë në ujërat turke të Detit të Zi, i cili nuk ishte parë prej 40 vitesh, i gëzon blerësit në treg për shkak të çmimeve të ulëta, por njëkohësisht kërcënon ekuilibrin ekologjik, njofton portali i gazetës „Nefes“ (nefes.com.tr).
Duke u shitur me çmime të përballueshme, nga 30 deri në 50 lira për copë (0,54–0,90 euro), peshku blihet nga klientët në sasi të mëdha. Por, sipas peshkatarëve, palamida, si një nga llojet më të pangopura, shkatërron shumë gjallesa të tjera detare, madje edhe krustacet. Prandaj, palamida duhet të kapet sa më shpejt, në mënyrë që të ruhet larmia e specieve detare.
Nga fundi i pranverës, palamida drejtohet për në Detin e Zi për t’u shumuar. Atje lëshon vezët, rritet dhe bëhet më e yndyrshme. Nga tetori, kur ujërat fillojnë të ftohen, tufat e peshqve lëvizin përsëri përmes ngushticave drejt Detit të Marmarasë dhe Detit Mesdhe.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski