KULTURË

Artikull

Dita e Rilindësve Kombëtarë

Pse 1 Nëntori është një datë kaq e veçantë në kalendarin bullgar

Dielë, 1 Nëntor 2026, 10:10

Pse 1 Nëntori është një datë kaq e veçantë në kalendarin bullgar

FOTO: Arkiv

Madhësia e shkronjave

Ka data që prej kohësh kanë një vend të ruajtur në zemrat e bullgarëve. Festa që bashkojnë dhe frymëzojnë. Ditë të mbushura me gëzim dhe krenari, në vend të polemikave aq të zakonshme në kohën tonë. 1 Nëntori është pikërisht një festë e tillë – Dita e Rilindësve Kombëtarë. Një festë autentike bullgare, kuptimi i së cilës nuk lë askënd indiferent. Fillimisht, ajo iu kushtua iluministëve, dijetarëve dhe shkrimtarëve, revolucionarëve dhe udhëheqësve, të cilët, duke pasur parasysh të mirën e popullit, luftuan për liri dhe përparim gjatë Rilindjes Kombëtare Bullgare, kur trojet tona ishin ende nën sundimin osman.

Sot, këto personalitete janë legjenda. Vështirë se ka ndonjë bullgar që të mos ndiejë admirim të thellë për figura të ndritura si kleriku Paisij Hilendarski, peshkopi Sofronij Vraçanski, iluministi i Rilindjes Kombëtare Neofit Rilski, autori i tekstit të parë shkollor në gjuhën e re bullgare, Petër Beron, revolucionarët Georgi Sava Rakovski, Hristo Botev, Vasil Levski apo autori i romanit të parë bullgar, Ivan Vazov… Dhe këta janë vetëm një pjesë e heronjve të penës dhe të luftës, të cilët nuk reshtën së ngrituri shpirtin bullgar dhe së bëri thirrje për liri dhe zhvillim kombëtar para Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878.

Dita e Iluministëve po vazhdon të na kujtojë kuptimin e spiritualitetit dhe identitetit tonë kombëtar

Monumenti i Paisij Hilendarskit në Bansko

Monumenti i Paisij Hilendarskit në Bansko

FOTO: БТА

Këto personalitete nuk janë thjesht frymëzues – të paktën jo në kuptimin që i japim kësaj fjale sot. Për ta zgjuar një popull dhe për ta nxitur atë drejt ndërgjegjësimit dhe luftës, nuk mjaftojnë vetëm bindja dhe shembulli personal. Nevojiten edhe pasion, drejtpërdrejtësi dhe, ndonjëherë, këmbëngulje e vendosmëri. Jo rastësisht, shumë rilindës kombëtarë iu drejtuan me guxim, e ndonjëherë edhe ashpër, ndërgjegjes së bullgarëve; ata janë ai „gjemb në thembër“ aq i domosdoshëm, pa të cilin, në dukje në mënyrë paradoksale, nuk mund të ecet krenarisht përpara.

Transkriptimi i „Historisë sllavo-bullgare“ nga Paisij Hilendarski

Transkriptimi i „Historisë sllavo-bullgare“ nga Paisij Hilendarski

FOTO: BTA

Të rrënjosura thellë në kujtesën tonë kolektive janë, për shembull, ato fjalë të famshme nga vepra e Rilindjes Kombëtare „Historia sllavo-bullgare“ (1762) e Paisij Hilendarskit: „O, popull i pamend! Pse të vjen turp të quhesh bullgar?“. Por thirrja këmbëngulëse për ndryshim dhe ndërgjegjësim vazhdoi edhe në vitet pas Çlirimit. Mjafton të kujtojmë thirrjen e zjarrtë të patriarkut të letërsisë bullgare, Ivan Vazov: „Zgjohu, o fis i mbetur prapa!“, nga poezia e tij emblematike „Po vyshket brezi ynë“, e shkruar në vitin 1883.

Çdo popull ka nevojë për udhëheqësit e vet shpirtërorë dhe moralë, të cilët nuk e lejojnë të bjerë në letargji. Dhe ne, bullgarët, kemi edhe një festë kushtuar atyre.

Të zgjosh një komb – një mision i ndritshëm gjatë shekujve 

Marshimi festiv me rastin e Ditës së Rilindësve Kombëtarë – 1 Nëntori

Marshimi festiv me rastin e Ditës së Rilindësve Kombëtarë – 1 Nëntori

FOTO: BTA-arkiv

Për herë të parë, Dita e Rilindësve Kombëtarë u kremtua në vitin 1909 në Pllovdiv, më 1 nëntor, ditën e shenjtorit mbrojtës të popullit bullgar, Shën Ivan Rillski, sipas kalendarit të vjetër. Festa u themelua zyrtarisht në vitin 1922, me nismën e Stojan Omarçevskit, ministrit të atëhershëm të Arsimit Popullor. Ai besonte se duhet ta ruajmë me vigjilencë kujtimin e veprave të rilindësve – vetëm kështu ata mund të shndërrohen në një shembull të pashuar për t’u ndjekur dhe të mbajnë gjallë idealin kombëtar! Kjo nismë patriotike vazhdoi deri në vitin 1945, kur u shfuqizua nga regjimi komunist. Festa u rikthye zyrtarisht vetëm në vitin 1992, ndërsa me kalimin e kohës fjala „rilindës“ mori gradualisht një kuptim më të gjerë – atë të një personaliteti që mban zgjuar shpirtin bullgar, pavarësisht epokës dhe sfidave të saj.

Këtë vit, 1 Nëntori përkon me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Shumëkush do të shohë në këtë një simbolikë, të tjerë – ironi. Por ndoshta gjëja më e dobishme do të ishte ta interpretonim këtë përkim thjesht si një kujtesë: për personalitetet që dikur frymëzuan popullin bullgar dhe për nevojën e madhe që kemi pikërisht për udhëheqës të tillë.

Dhe një ndërgjegjësim i tillë, në fund të fundit, është gjithashtu një zgjim…

Shihni gjithashtu:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski