Lajm
Bullgaria zgjedh presidentin dhe nënpresidentin e saj të shtatë
Dielë 1 Nëntor 2026 07:05
Dielë, 1 Nëntor 2026, 07:05
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Më 1 nëntor, duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit, qytetarët bullgarë brenda dhe jashtë vendit votojnë për presidentin dhe nënpresidentin e ri të vendit.
Për besimin e votuesve garojnë dy çiftet, Ilijana Jotova – Kirill Vëllçev dhe Andrej Gjurov – Georgi Kandev, të cilët në raundin e parë, më 25 tetor, u renditën përkatësisht në vendin e parë dhe të dytë, mes 27 çifteve kandidate për Presidencën.
Deri në shpalljen zyrtare të përfundimit të procesit zgjedhor, në orën 20:00, ndalohet fushata zgjedhore, si dhe publikimi i rezultateve të sondazheve dhe exit-polleve që lidhen me votimin.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën e votës e kanë mbi 6,58 milionë qytetarë bullgarë. Në rast se pas orës 20:00 ka ende radhë votuesish para qendrave të votimit, procesi mund të zgjatet deri në orën 21:00. Ky rregull vlen edhe për votimin e qytetarëve bullgarë jashtë vendit, sipas orës lokale.
Në më shumë se tri të katërtat e qendrave të votimit procesi zhvillohet përmes 11 902 makinave elektronike të votimit. Me fletëvotim në letër votohet në qendrat ku numri i zgjedhësve është më pak se 300.
Për qytetarët bullgarë që jetojnë jashtë vendit janë organizuar 613 qendra votimi në 60 shtete. Numri më i madh i tyre është në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut – 82, në Turqi – 78 dhe në Gjermani – 70.
Në 242 qendra votimi jashtë vendit është mundësuar edhe votimi elektronik përmes makinave të posaçme.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 nëntor, janë dërguar makina krejtësisht të reja votimi, të cilat ishin mbajtur të rezervuara në magazinë që përpara raundit të parë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Stojanka Ballova-Cvetkova. Arsyeja është se gjatë javës ndërmjet dy raundeve nuk ka kohë të mjaftueshme për instalimin e softuerit të ri në pajisjet ekzistuese dhe ridërgimin e tyre jashtë vendit.
Për të garantuar transparencën e procesit zgjedhor, është siguruar mbikëqyrje me kamera gjatë numërimit të fletëvotimeve dhe plotësimit të procesverbaleve zgjedhore. Aplikacioni “Izbori 360°” ofron një hartë interaktive të qendrave të votimit, informacione për kandidatët, si dhe mundësinë për të ndjekur rezultatet zgjedhore.
Fitues në raundin e dytë shpallet çifti presidencial që merr numrin më të madh të votave të vlefshme të hedhura, pavarësisht nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Presidenti është kreu i shtetit të Republikës së Bullgarisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendit. Në ushtrimin e kompetencave të tij, presidenti ndihmohet nga nënpresidenti. Presidenti dhe nënpresidenti zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët bullgarë për një mandat pesëvjeçar.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova