Autor
Diljana Traçeva
Seksion
Muzika e Dimo Stojanovit dhe grupit P.I.F. vazhdon të prekë zemrat
Shtunë 31 Tetor 2026 08:10
Shtunë, 31 Tetor 2026, 08:10
FOTO: © Alexander Bogdan Thompson
Madhësia e shkronjave
Shfaqja “Fëmija i padukshëm” (NeviDIMO dete), e frymëzuar nga muzika dhe tekstet e grupit P.I.F. dhe e krijuar në kujtim të vokalistit Dimo Stojanov, do të ketë premierën e saj në Sofje, në Ditën e Iluministëve Kombëtarë, në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK).
Kjo vepër mbresëlënëse, me regji të Vesellka Kunçevës, vjen me pjesëmarrjen e veçantë të grupit P.I.F. – si dhe të aktorit dhe këngëtarit Vlladimir Mihajllov, i cili interpreton drejtpërdrejt këngët e P.I.F. dhe me të cilin ka një miqësi dhe bashkëpunim artistik shumëvjeçar. Në skenë, krahas tyre, ngjiten edhe më shumë se 20 aktorë.
FOTO: © Alexander Bogdan Thompson
Ky bashkëprodhim i Teatrit Shtetëror të Kukullave në Stara Zagora dhe Teatrit Dramatik “Raço Stojanov” në Gabrovo nuk është as një koncert i mirëfilltë dhe as një shfaqje tradicionale dramatike. Në të, gjuhët e ndryshme skenike ndërthuren dhe bashkëjetojnë përmes muzikës live, interpretimit të aktorëve, kukullave, lëvizjes, skenografisë, ndriçimit dhe projeksioneve 3D (3D mapping).
FOTO: © Alexander Bogdan Thompson
Titulli i shfaqjes vjen nga një prej këngëve më emblematike të grupit P.I.F., “Fëmija i padukshëm”, shkruar nga Dimo Stojanov për një shfaqje studentore në NATFIZ, bazuar në një tregim të Tove Jansson. Projekti madhështor “Fëmija i padukshëm”, i frymëzuar nga krijimtaria e vokalistit të ndjerë, është ndërtuar mbi bazën e muzikës së grupit P.I.F., mbi të cilën ekipi krijues ka krijuar botën skenike të shfaqjes. Ivan Vellkov, kitaristi i grupit dhe mik i ngushtë i Dimo Stojanovit që nga fëmijëria, shprehet:
“Dimo ka lënë vërtet gjurmë – këtë e shoh në sytë e njerëzve dhe në përgjithësi te publiku me të cilin komunikoj. Pas koncerteve, njerëzit vijnë dhe më tregojnë se si muzika jonë ka ndikuar tek ata, si i ka shpëtuar në momente të vështira, gjatë depresionit, dhe si i ka ndihmuar të dalin nga ajo gjendje. Tekstet e Dimos kanë shumë shtresa kuptimore, janë provokuese dhe, pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz mund të zbulojnë në to gjëra të ndryshme që i prekin dhe i emocionojnë. Mendoj se ne, si njerëz të artit, kemi këtë përgjegjësi. Nuk do ta krahasoja veten me iluministët e periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare, por edhe nëse arrijmë të depërtojmë te njerëzit sadopak, do të jemi shumë të lumtur. Në fund të fundit, ky ka qenë misioni ynë me Dimon: nëse mundemi, në njëfarë mënyre, t'i bëjmë njerëzit të lumtur, ose t'i ndihmojmë të rizbulojnë gjëra që i prekin dhe kanë rëndësi për ta, ky është shpërblimi më i madh për ne.”
FOTO: © Alexander Bogdan Thompson
Edhe pse shfaqja “Fëmija i padukshëm” prej dy vitesh është vënë në skenë në qytete të ndryshme të vendit, premierën e saj në Sofje është tani, pikërisht në një datë simbolike, më 1 nëntor – Ditën e Iluministëve Kombëtarë. Ivan Vellkov është i bindur se iluministët kanë një rëndësi të madhe në çdo periudhë historike dhe nuk i përkasin vetëm kohës së Rilindjes Kombëtare Bullgare:
“Sot kemi gjithashtu një nevojë shumë të madhe për ta, për intelektualët, sepse duket sikur gjërat janë zbehur disi. Mungojnë ata njerëz që dikur jepnin gjithçka nga vetja. Kemi pasur qendra kulturore e arsimore, biblioteka, ishte në modë të shkruaje vargje, poezi, romane, të ishe i arsimuar. Ndërsa sot kjo frymë mungon. Mendoj se kësaj duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje, madje edhe nga ana e shtetit. Bëj thirrje që kultura të mos shihet si një projekt biznesi, por si një investim në të ardhmen, madje edhe në të ardhmen e fëmijëve tanë.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello