Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

Shtunë, 31 Tetor 2026, 15:10

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: Kolazh i krijuar me inteligjencë artificiale (AI).

Madhësia e shkronjave

Çfarë lidhje ka midis filmit aksion “Rambo: Gjaku i parë”, shtëpitë e Plovdivit dhe poezia? Ndoshta do të habiteni, por përgjigjja është – Ted Kotcheff(1931–2025), regjisori kanadez me origjinë bullgare, i cili ëndërronte të bëhej poet, por e gjeti thirrjen e tij në kinematografi. Puna e çoi në kontinente të ndryshme, e vuri në kontakt me aktorë të mëdhenj dhe i solli njohje ndërkombëtare. Por sa herë që intervistohej nga mediat prestigjioze, në kujtimet e tij rikthehej gjithmonë shtëpia në Toronto, ku më 7 prill 1931, në një familje emigrantësh bullgarë, nisi historia e tij.

Në një intervistë të realizuar nga Olja Stojanova për programin “Hristo Botev”, e ruajtur në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), ai tregon se gjatë fëmijërisë në shtëpinë e tij flitej bullgarisht, ndërsa nëna e tij, e cila jetoi 70 vjet në Kanada, nuk mësoi kurrë të fliste anglisht. Kështu, Bullgaria hyri në jetën e tij shumë kohë përpara se ai ta vizitonte. Ai e njihte atë përmes rrëfimeve të familjarëve, dashurisë së tyre për atdheun dhe dëshirës për t'u kthyer një ditë:

Ted Kotcheff

Ted Kotcheff

FOTO: Facebook/ Ted Kotcheff

“Unë e dua Bullgarinë. Këtu jam në shtëpinë time. Babai im ka lindur në Plovdiv dhe atje është bërë burrë. Nëna ime ishte maqedonase. Ata kanë jetuar në Varna. Edhe ne në shtëpi jetonim sikur të ishim në Bullgari. Shtëpia jonë ngjante si një shtëpi e Plovdivit. Kishim një familje të madhe bullgare! Nëna ime kishte një motër që jetonte me ne, si edhe një vëlla. Babai im kishte një vëlla që gjithashtu jetonte me ne. Kishim kushërinj, shumë kushërinj. Dhe çdo të diel të gjithë vinin në shtëpinë tonë, hanin gatime bullgare dhe më pas këndonin këngë e qanin. Dëshironin të ktheheshin në Bullgari, nuk donin të jetonin në Kanadanë e ftohtë... Ata dëshironin të ktheheshin në Bullgari, por më pas filloi lufta dhe...”

Kujtimet për shtëpinë familjare rikthehen edhe përmes këngëve bullgare, të cilat Kotcheff i këndon me shumë kënaqësi, edhe kur nuk arrin t'i kujtojë mirë fjalët.

(Këndon) “E kuqe është fjongoja jote, e kuqe është fjongoja jote, e kuqe është fjongoja jote, nëna ime e dashur...” (Qesh). I kam harruar fjalët e këngëve. Unë luaja në violinë. Mësova të luaja kur isha pesë vjeç. Nëna ime këndonte dhe luante në mandolinë. Babai im këndonte shumë bukur. Unë thosha: “Në zemrën time, në shpirtin tim, jam bullgar... Jam kanadez, por edhe bullgar. Dhe kur vij këtu, kthehem në shtëpinë time.”

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: Facebook/ Ted Kotcheff

Nga babai, Tedi trashëgoi dashurinë për kinemanë. Pas mbërritjes në Kanada, babai i tij punonte si biletashitës dhe kujdestar në një kinema. Më vonë, ai e ndau pasionin e tij me të birin: disa herë në javë, të dy shikonin nga dy filma njëri pas tjetrit. Ndër aktoret që i vogli Ted shikonte me admirim ishte edhe Ingrid Bergman. Vite më vonë, ai do të takohej me të në sheshin e xhirimit, tashmë si regjisor në përshtatjen televizive të veprës “Zëri njerëzor”, të Jean Cocteau. Këtë ai e rrëfen në një intervistë për Paul Rowlands për blogun e kinemasë Money into Light.

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: imdb.com

Megjithatë, deri atëherë do të kalonte ende kohë. Tedi i ri studioi letërsi angleze në Universitetin e Torontos dhe ëndërronte të shkruante poezi. Babai i tij shqetësohet se si do ta siguronte jetesën, pasi poezia nuk sjell para. Ndërsa Tedi, duke qeshur, i përgjigjej se paratë nuk kanë poezi brenda tyre. Megjithatë, vendos të ndjekë këshillën e të atit dhe kërkon punë në CBC, televizoni i së cilës në atë kohë sapo kishte nisur hapat e parë. Fillimisht punon si punëtor skene. Më pas i jepet mundësia të merret me regji dhe ai i përkushtohet me entuziazëm profesionit të ri. Nga televizioni kanadez, rrugëtimi i tij vazhdon drejt Britanisë së Madhe, ku punon edhe në teatër dhe hedh hapat e parë në kinemanë artistike. Më vonë, karriera e çon edhe në Australi.

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: arkiva

Në vitin 1971, filmi “Wake in Fright” i siguron pjesëmarrjen në programin kryesor të konkurrimit të Festivalit të Filmit në Kanë. Në vitin 1974, filmi “The Apprenticeship of Duddy Kravitz” fiton çmimin “Ariu i Artë” në Berlin dhe më pas merr edhe një nominim për çmimin “Oscar” për skenarin. Ky sukses e konsolidon emrin e tij si një figurë të rëndësishme të kinemasë kanadeze. Për të hapet një kapitull i ri në karrierë: Hollywood-i.

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: Facebook/ Ted Kotcheff

Atje, në vitin 1982, ai realizon filmin tashmë legjendar “Rambo: Gjaku i parë” (First Blood), me Sylvester Stallone në rolin kryesor. Por pas aksionit të këtij filmi fshihet një histori shumë më e thellë: ajo e fatit të veteranëve të Luftës së Vietnamit, për të cilët kthimi nga lufta nuk nënkuptonte rikthimin në një jetë normale. Në vend që të priteshin me mirënjohje dhe vlerësim, ata përballeshin me refuzimin e shoqërisë.

Suksesi nuk mund ta kufizonte Kotcheff në një zhanër të vetëm. Filmografia e tij përfshin filmin western “Billy Two Hats”, dramën sportive “North Dallas Forty”, komedinë e zezë “Weekend at Bernie's”... Edhe televizioni ishte pjesë e jetës së tij: për shumë vite ai punoi si producent ekzekutiv, si dhe regjisor i serialit “Law & Order: Special Victims Unit”. Si arrinte të kalonte nga një zhanër në tjetrin, mes kaq shumë stileve të ndryshme? Ja çfarë rrëfen me spontanitet Kotcheff në intervistën e tij me Olja Stojanovën:

“Shiko tani, ‘Rambo: Gjaku i parë’, me Sylvester Stallone. Rambo vrapon, Rambo përfundon në polici... Njerëzit thonë se nuk është e vështirë të bësh komedi. Si nuk është e vështirë? ‘Epo, komedia është diçka që të bën të qeshësh.’ Në rregull! Thuaj diçka që të më bëjë të qesh. Bëje, po pres. Batutat duhet të jenë natyrale. Kam mësuar të punoj në të gjitha zhanret dhe i dua të gjitha. Kur shkruaj, mendoj për jetën... Kam pasur një jetë shumë interesante.”

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: imdb.com

“Dashuria ime e parë dhe më e madhe është realizimi i filmave. E vetmja gjë që nuk kam bërë kurrë është ajo që të tjerët kanë pritur prej meje.” Me këto fjalë, Ted Kotcheff përmbledh jetën dhe krijimtarinë e tij në librin autobiografik që botoi. Megjithatë, pas kësaj lirie artistike fshihej një përkushtim i jashtëzakonshëm dhe një kërkesë e lartë ndaj çdo detaji në sheshin e xhirimit. Kur iu propozua të vinte në skenë një dramë të Alan Owenit për komunitetin e punëtorëve në Liverpool (No Trams to Lime Street), ai fillimisht refuzoi, pasi, si kanadez, nuk e njihte mjaftueshëm atë realitet. Më vonë, producenti arriti ta bindte ta pranonte ofertën, por regjisori këmbënguli që fillimisht të kalonte njëfarë kohe në qytet, për të njohur nga afër mjedisin dhe njerëzit.

Historia bullgare e regjisorit që krijoi “Rambo”

FOTO: BGNES

Në këtë kureshtje mund të dallosh diçka nga ai djaloshi që u rrit mes shtëpisë bullgare dhe rrugëve kanadeze. Në një intervistë për Brooklyn Magazine, Kotcheff e lidh interesimin e tij për njerëzit që mbeten në periferi të shoqërisë me fëmijërinë e kaluar si emigrant. Kjo përvojë e ndihmoi të dallonte brishtësinë e të tjerëve dhe të krijonte afërsi me njerëz, jeta e të cilëve, në pamje të parë, dukej krejt e ndryshme nga ajo e pjesës tjetër të shoqërisë.

Kur përshkruan ditën e tij të përsosur, Kotcheff flet për sheshin e xhirimit. Kënaqësia për të qëndron në vetë procesin e krijimit të filmit: në komunikimin me aktorët, në prova dhe në çastin kur një skenë merr jetë.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello