Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Akademia Kombëtare e Muzikës – 105 vjet art i nivelit të lartë dhe frymëzim
Dielë 1 Nëntor 2026 13:10
Dielë, 1 Nëntor 2026, 13:10
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov” – institucioni i parë i arsimit të lartë muzikor në Bullgari – feston 105-vjetorin e themelimit me një program të pasur koncertesh, forumesh akademike dhe veprimtarish kulturore. Institucioni u themelua me emrin Akademia Shtetërore e Muzikës, me dekret të mbretit Boris III, më 21 korrik 1921, si përgjigje ndaj nevojës së madhe për mësues të kualifikuar të këndimit në shkollat bullgare dhe muzikantë profesionistë për skenën muzikore bullgare. Akademia e sapokrijuar, e cila bashkoi në dy degë arsimin e mesëm dhe atë të lartë muzikor, tërhoqi gjithnjë e më shumë nxënës dhe studentë. Pedagogë të saj ishin muzikantët më të shquar bullgarë.
FOTO: Facebook /Национална музикална академия „Проф. Панчо Владигеров"
“Akademia është shndërruar në një platformë për prezantimin e përmbajtjeve kulturore cilësore dhe me vlera të veçanta artistike, të cilat mund t'i ofrojnë vetëm institucionet më prestigjioze në vend”, u shpreh së fundmi për mediat rektori i Akademisë Kombëtare të Muzikës, prof. dr. Sava Dimitrov, me rastin e këtij përvjetori. Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, ai theksoi se këto 105 vite janë:
Prof. Dr. Sava Dimitrov
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
“105 vite traditë, 105 vite shtetformim, do të thosha! Sepse krijimi i Akademisë si institucion i arsimit të lartë muzikor ishte një akt i vetëdijshëm shtetëror në vitin 1921. Kjo na jep arsye të kthejmë vështrimin nga brezat para nesh, të shohim entuziazmin dhe energjinë me të cilën ata ndërtuan këtë institucion, që sot gëzon respektin më të madh, jo vetëm në Bullgari, por edhe në një pjesë të madhe të Evropës dhe, mund të them me bindje, edhe në botë. Një institucion arsimor që zë një vend të rëndësishëm në tregun e arsimit, si një produkt me vlera dhe cilësi të larta. Sot është bërë modë të flitet në këtë mënyrë, megjithëse e dimë se arsimi është në të vërtetë një mision me kuptim shumë më të gjerë. Në shumë raste, ai mbron traditën kombëtare, fuqinë dhe vlerat shpirtërore. Pikërisht përmes arsimit arrijmë të shohim përparimin dhe të kuptojmë aftësitë që nevojiten për jetën bashkëkohore. Në këtë kuptim, 105 vjet janë njëkohësisht shumë dhe pak. Unë guxoj të them se këto janë pesë vitet e para të 100 viteve të reja të Akademisë, të një periudhe të re dhe të ndryshme. Me një dozë të konsiderueshme optimizmi, do të thoja se brezat e rinj dhe kërkesat e reja në fushën e arsimit sjellin edhe standarde të reja – standarde që Akademia i ndjek dhe i vendos përmes procesit të saj arsimor.”
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
Që në fillimet e saj, krahas trashëgimisë muzikore klasike, një nga përparësitë e Akademisë ishte edhe krijimtaria muzikore bullgare. Në atë periudhë u shfaqën edhe studimet e para shkencore, kryesisht në fushën e folkloristikës muzikore.
Pedagogë të Fakultetit të Teorisë, Kompozicionit dhe Dirigjimit.
FOTO: Facebook / Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari “Prof. dr. Veselin Dimitrov”
Në vitin 1954, Akademia Shtetërore e Muzikës (DMA) u riemërtua Konservatori Shtetëror Bullgar (BDK) dhe u riorganizua në tri fakultete: Fakultetin e Teorisë, Kompozicionit dhe Dirigjimit, Fakultetin Instrumental dhe Fakultetin Vokal. Pak më vonë, për formimin në fushën e dirigjimit u krijuan një kor i përhershëm dhe një orkestër simfonike e përhershme. Gjithashtu, pranë Fakultetit Vokal u themelua Studioja e Operës, e cila në vitin 1964 u shndërrua në Teatrin Akademik të Operës. Në vitin 1995, Konservatori rifitoi statusin e Akademisë Shtetërore të Muzikës, duke marrë emrin “Prof. Panço Vlladigerov”, në nder të kompozitorit të njohur bullgar. Ndërsa që nga viti 2006 mban emrin Akademia Kombëtare e Muzikës.
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
Në një prononcim për Radio Bullgarinë, prof. Sava Dimitrov thekson se 105-vjetori do të jetë një festë e vërtetë muzikore, që pasqyron gjithçka që po zhvillohet në jetën muzikore.
Akademia Kombëtare e Muzikës bashkëpunon me të gjitha formacionet e mëdha muzikore në Bullgari – nga Filarmonia e Sofjes dhe Ansambli Kameral “Solistët e Sofjes”, deri te orkestrat në Ruse, Varna dhe Burgas, orkestrat simfonike në Vraca dhe Vidin, si dhe formacionet e teatrove të operës. Akademia është një institucion i arsimit të lartë me profil të gjerë, që ofron të gjitha specialitetet në fushën e muzikës dhe edukimit muzikor, duke përfshirë edhe disiplinat e domosdoshme teorike, të cilat formojnë bazën e njohurive shkencore mbi muzikën bullgare. Për këtë arsye, programi jubilar përfshin gjithashtu shumë konferenca, veprimtari shkencore dhe aktivitete me dyer të hapura.
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
Sot në Akademinë Kombëtare të Muzikës japin mësim muzikantë dhe studiues të shquar, profesionalizmi i të cilëve dëshmohet nga prania e tyre në skenën ndërkombëtare dhe shkëmbimi i vazhdueshëm shkencor. Studentëve u ofrohet mundësia të prezantojnë rregullisht talentin e tyre në koncerte dhe shfaqje skenike, të marrin pjesë në forume shkencore dhe të botojnë punimet e tyre në botimet e Akademisë, si në format të shtypur, ashtu edhe në atë elektronik. Krahas procesit mësimor, organizohen gjithashtu shumë masterclass-e dhe cikle të veçanta leksionesh, të drejtuara nga muzikantë dhe muzikologë të njohur bullgarë dhe të huaj. I pyetur nëse mendon se Akademia Kombëtare e Muzikës është konkurruese me institucionet e arsimit të lartë në Evropë, prof. Dimitrov shprehet:
“Mendoj se shpesh shërbejmë si shembull, sjellim risi dhe ofrojmë si qasje tradicionale, ashtu edhe moderne në fushën e arsimit. Akademia, natyrisht, përmbush të gjitha kërkesat e përcaktuara fillimisht nga legjislacioni ynë. Fakti që ky legjislacion është i harmonizuar me atë evropian dëshmon se ne punojmë sipas standardeve më të larta të mundshme.”
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
Prof. Dimitrov është i bindur për cilësinë e lartë të arsimit në Akademinë Kombëtare të Muzikës:
“E dini, kohët e fundit flasim shpesh për mjeshtrit bullgarë. Një koleg i respektuar nga unë, profesor dhe dirigjent, kishte marrë mundimin të numëronte se vetëm në orkestrat e ashtuquajtura të kategorisë ‘A’ (të cilat konsiderohen formacione me nivel të lartë profesional në botë), janë 72 mjeshtër me origjinë bullgare. Një vlerësim kaq të lartë nuk ia japim ne vetes – këtë vlerësim na e jep bota. Prandaj mund të them se aktualisht kemi një cilësi jashtëzakonisht të lartë dhe të garantuar të formimit profesional që ofron Akademia.”
FOTO: Facebook / Akademia Kombëtare e Muzikës “Prof. Panço Vlladigerov”
Dhe nëse sot emrin e Akademisë Kombëtare të Muzikës e bëjnë të njohur në botë muzikantë si Pavell Balev, Vesko Eshkenazi, Penka Kuneva dhe Pllamena Mangova, vite më parë, institucionin më prestigjioz të arsimit të lartë muzikor në Bullgari e përfaqësonin në skenat botërore yje të shquara të operës, si Todor Mazarov, Hristo Brëmbarov, Dimitër Uzunov, Nikollaj Giaurov, Ljubomir Bodurov, Julija Viner, Gena Dimitrova, Rajna Kabaivanska, Anna Tomova-Sintova, Stefka Evstatieva dhe Kaludi Kalludov. Ndër pianistët e mëdhenj bullgarë që kanë përfunduar studimet në Akademi janë Anton Dikov, Nikollaj Evrov dhe Ljudmill Angellov, ndërsa ndër violinistët shquhen Georgi Badev dhe Minço Minçev.
“Të dëgjojnë me vëmendje shpirtin kombëtar, të shprehur përmes muzikës. Të punojnë për afirmimin e identitetit tonë kombëtar në botë dhe ta përfaqësojnë atë me dinjitet, duke i dhënë një imazh pozitiv. Të kërkojmë të mirën dhe ta nxjerrim në pah.”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello