Lajm
Gjykata e Auditimit e Bullgarisë konstaton:
Shpenzimet sociale rriten, duke krijuar rrezik fiskal
Hënë 2 Nëntor 2026 10:21
Hënë, 2 Nëntor 2026, 10:21
Gjykata e Auditimit e Bullgarisë
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Politika sociale e ndjekur nga viti 2020 deri në qershor të vitit 2026 ka përmirësuar mbrojtjen e grupeve vulnerabël, por njëkohësisht ka krijuar rreziqe fiskale që ndikojnë në të gjithë buxhetin e shtetit. Ky është përfundimi i kontrollit të ushtruar nga Gjykata e Auditimit e Bullgarisë në Ministrinë e Politikave Sociale dhe në Institutin Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore. Auditimi është kryer me kërkesë të Parlamentit, transmeton agjencia BGNES. Çmimi i politikës sociale të ndjekur gjatë kësaj periudhe është krijimi i një sistemi të sigurimeve shoqërore dhe mbrojtjes sociale, i cili është strukturalisht i çekuilibruar, rëndon financat publike dhe karakterizohet nga mungesa e fleksibilitetit, duke humbur autonominë financiare. Kjo e bën të domosdoshme marrjen e shpejtë të masave përkatëse nga organet drejtuese, me qëllim stabilizimin e sistemit dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike”, rekomandon Gjykata e Auditimit e Bullgarisë. Gjatë një periudhe prej gjashtë vjetësh e gjysmë janë paguar 7,4 miliardë euro për mbi 5 milionë raste përfitimi, në bazë të një sërë ligjesh në fushën sociale. Analiza vë në dukje gjithashtu rritjen e shpenzimeve për pagesat sociale dhe mospërputhjen e theksuar midis ritmit të rritjes së tyre dhe të ardhurave kryesore të shtetit.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova