Autor
Joan Kolev
Seksion
Zgjedhjet presidenciale 2026
Përvan Simeonov me një analizë përtej votimit për presidenten e re të Bullgarisë
Mërkurë 4 Nëntor 2026 08:00
Mërkurë, 4 Nëntor 2026, 08:00
Përvan Simeonov
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Ilijana Jotova është gruaja e parë presidente e Bullgarisë. Fakti që, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve demokratike, qytetarët bullgarë i besuan një gruaje detyrën e kreut të shtetit dhe të komandantes së përgjithshme të ushtrisë bullgare, i jep një drejtim interesant analizës së rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 1 nëntorit 2026. Këtë analizë e bëjmë së bashku me sociologun Përvan Simeonov nga agjencia „Mjara“, partnere e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në mbulimin e procesit zgjedhor.
Presidentja e sapozgjedhur do të marrë zyrtarisht detyrën në janar të vitit 2027, por deri atëherë Ilijana Jotova do të drejtojë institucionin presidencial, duke përfunduar mandatin e Rumen Radevit. Kryeministri aktual kishte qenë për nëntë vjet në krye të shtetit, me Ilijana Jotovën si zëvendëspresidente, por hoqi dorë nga posti për t'u përfshirë në pushtetin ekzekutiv.
Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
„Vetëm në vazhdim do të shohim se cili do të jetë stili i qeverisjes së Ilijana Jotovës, por fakti që një grua kandidonte për postin e kreut të shtetit nuk u bë temë e fushatës zgjedhore“, komenton Përvan Simeonov. Sipas tij, kundërshtarët e saj gjatë fushatës u përpoqën t'ia mohonin „përparësinë si grua“, duke zhvilluar një fushatë më tepër negative. Megjithatë, kjo mobilizoi një lloj vote feministe:
„Është interesante se, sipas exit poll-it të agjencisë ‘Mjara’, vota për të në raundin e parë nuk ishte aq e theksuar te gratë, ndërsa në raundin e dytë u bë dukshëm më shumë votë femërore. Rezulton se Bullgaria nuk ka problem me zgjedhjen e një gruaje presidente, por pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale ishte shumë e ulët. Kjo do të thotë se bullgarët nuk janë shumë të vetëdijshëm për vetë institucionin e Presidentit. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, këto zgjedhje nuk u zhvilluan njëkohësisht me zgjedhje të tjera, siç ndodh zakonisht kur pjesëmarrja është më e lartë. Këtë herë u mbajtën vetëm zgjedhjet presidenciale dhe pjesëmarrja prej 1,5 milionë votuesish në raundin e parë dhe 1,9 milionë në raundin e dytë tregon se atyre nuk iu dha ndonjë rëndësi e madhe.“
FOTO: BGNES
Përplasja e fortë mes dy kandidatëve kryesorë, Ilijana Jotova dhe Andrej Gjurov, si dhe diferenca e ngushtë mes tyre pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, nxitën një rritje të lehtë të interesit për raundin e dytë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, vetëm një pjesë shumë e vogël e 6,59 milionë qytetarëve bullgarë me të drejtë vote shprehën preferencat e tyre. Megjithatë, pjesëmarrja në raundin e dytë (rreth 25,5%) u dha këtyre zgjedhjeve njëfarë legjitimiteti, thekson Simeonov:
„Ato fituan rëndësi, sepse legjitimojnë një opozitë të re dhe një shprehje të re gjeopolitike. Megjithatë, pjesëmarrja mbetet e ulët për të arritur në përfundimin se ky institucion ka ndonjë rëndësi të veçantë për bullgarët.“
Në raundin e parë, vota e bullgarëve që jetojnë jashtë vendit ishte rrënjësisht e ndryshme nga ajo e qytetarëve që votuan në Bullgari. Në raundin e dytë, kjo vijë ndarëse u theksua edhe më shumë dhe çifti kandidat për president, Andrej Gjurov – Georgi Kandev, mori sërish një epërsi të konsiderueshme, ndonëse nuk arriti ta fitonte garën.
„Tradicionalisht, jashtë vendit votohet ose për figura të reja politike, ose për komunitetin liberal. Ilijana Jotova e ka të vështirë ta paraqesë veten si një figurë të re. Prandaj, vota e bullgarëve jashtë vendit nuk më habit. Megjithatë, prisja një pjesëmarrje më të madhe nga diaspora, por duket se edhe votimi jashtë kufijve të vendit pasqyroi pjesëmarrjen e ulët zgjedhore në Bullgari.“
FOTO: cereport.eu
Sipas Përvan Simeonovit, vota e bashkatdhetarëve tanë në Turqi, ku tradicionalisht regjistrohet pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet bullgare, këtë herë nuk përbën ndonjë surprizë të veçantë. Megjithatë, është fakt se Gjurov–Kandev kryesojnë në vendin fqinj jugor, si edhe në qytetin e Kërxhalit – dy zona ku tradicionalisht zgjedhjet fitohen nga kandidatët e Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS). Tradicionalisht, DPS regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vendit, por këtë herë nuk paraqiti kandidatin e vet dhe as nuk shprehu mbështetje të hapur për asnjërin prej dy kandidatëve në raundin e dytë.
„Hetimet për këtë çështje sapo kanë filluar, pasi po qarkullojnë spekulime lidhur me mbështetjen e DPS-së“, komenton Përvan Simeonov. „Të dhënat e exit poll-it tregojnë qartë se në raundin e dytë dolën më shumë mbështetës të DPS-së sesa në të parin. Nëse në raundin e parë votuan rreth 50 mijë mbështetës të kësaj partie, këtë herë numri i tyre ishte rreth 100 mijë. Në raundin e parë ata votuan më shumë për Jotovën, ndërsa tani për Gjurovin. Kjo do të thotë se diçka ka ndodhur mes dy raundeve. Vota në Turqi nuk është befasuese, pasi përputhet me këtë prirje.“
FOTO: BNR - Kërxhali
Besimi i konsiderueshëm që çifti Gjurov–Kandev fitoi nga më shumë se 750 mijë votues përbën një kapital të rëndësishëm politik, komenton sociologu. Mes tyre, përveç mbështetësve të koalicionit „Po e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike“ (PP–DB), i cili mbështeti kandidaturën e Andrej Gjurovit për kreun e shtetit, ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm votash të drejtpërdrejta për kandidatët, si dhe vota të motivuara nga kundërshtimi ndaj palës tjetër. „Mos harroni se afro 250 mijë vota kanë ardhur nga GERB dhe DPS“, kujton Simeonov. Mbetet për t'u analizuar nëse mbështetja për PP dhe DB po rritet deri në atë pikë sa të barazohet me atë të GERB-it, gjë që mund të përbëjë një hap përpara në aspektin sasior për këto formacione politike. Në aspektin cilësor, kjo përbën një mundësi për krijimin e një lidershipi të ri dhe të marrëdhënieve të reja politike, të cilat mund të kapërcejnë dallimet mes formacioneve në spektrin politik të djathtë dhe të çojnë më pas në një homogjenizim të këtij kampi politik. Sipas Përvan Simeonovit, këto janë procese që do të kemi mundësi t'i vëzhgojmë në vijim.
Andrej Giurov dhe Georgi Kandev
FOTO: BTA
Në situatën aktuale në Bullgari, forca politike e kryeministrit Rumen Radev gëzon një komoditet politik të paparë prej kohësh, të siguruar nga shumica parlamentare dhe nga një mbështetës në krye të institucionit presidencial. A është e mundur që presidentja Ilijana Jotova të fitojë pavarësi nga qeverisja, pavarësisht mbështetjes së fortë që mori nga „Bullgaria Progresive“ gjatë garës zgjedhore? Në çfarë rrethanash presidentja mund të shndërrohet në kritike të qeverisë?
Rumen Radev dhe Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
„Përvoja jonë tregon se kjo ndodh shpesh. Mendoj se ekzistojnë kushtet paraprake për një zhvillim të tillë dhe ato janë të parashikuara edhe në Kushtetutë. Presidenti është një figurë me leutimitet shumë të lartë, për shkak të zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga qytetarët, dhe është e parashikuar që ai të jetë një lloj zëri i popullit përballë zërit të pushtetit. Prandaj, nuk do ta përjashtoja një mundësi të tillë, por deri tani nuk shoh shenja që të tregojnë se kjo mund të ndodhë.“
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello