Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare
“Turtullesha gugat në luginat e thella”
Kënga e trishtuar e nuses nga legjenda Gjurga Pinxhurova
Premte 6 Nëntor 2026 14:00
Premte, 6 Nëntor 2026, 14:00
Gjurga Pinxhurova
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Zëri i Gjurga Pinxhurova, një prej këngëtareve më të dashura të muzikës popullore bullgare, sot është një kujtim i gjallë, i mbetur në zemrat e brezave me tingullin e tij të ngrohtë, të plotë dhe mbresëlënës. E quajtur me dashuri Guga, kjo këngëtare e shndërroi folklorin e krahinës së saj të lindjes, Trën, në një thesar të vërtetë dhe la gjurmë të qëndrueshme në historinë e kulturës bullgare.
Muzika ishte e pranishme në shtëpinë e saj që në fëmijërinë më të hershme. Nëna e saj këndonte, babai i binte gadullkës, ndërsa dekada më vonë Gjorga kujtonte se familja e tyre mund të mos kishte qenë e pasur, por kishte pasur një pasuri tjetër – këngën. Pas vdekjes së parakohshme të të atit, nëna u detyrua të punonte si shërbëtore në shtëpi të të tjerëve dhe si korrëse në ara. E vogla Gjurga e shoqëronte dhe përthithte fjalë për fjalë meloditë e bukura të krahinës së saj të lindjes. Talenti i saj u vu re. Vendimtare rezultoi takimi me divën e madhe të operës, Hristina Morfova, e cila u mahnit nga talenti i saj dhe këmbënguli që vajza të merrte arsimim profesional muzikor në Shkollën Shtetërore të Muzikës në Sofje. Më pas, me ndihmën e Morfovës, Gjurga u nis për në Pragë, ku përfundoi studimet për këndim operistik në Konservator. Pavarësisht mundësive për një karrierë ndërkombëtare në opera, ajo zgjodhi të kthehej në qytetin e saj të lindjes, Trën.
FOTO: Foto arkivi i Todor Sllavçev
Në janar të vitit 1921, ajo mbajti koncertin e saj të parë në Bullgari, me arie dhe përpunime të këngëve popullore. U bë mësuese e këngës në një fshat të largët, u martua, lindi dy fëmijë, nuk reshti së kënduari dhe... një tjetër takim rezultoi vendimtar në jetën e saj. Në Tran mbërriti për vizitë drejtori i Radios së Sofjes, Sirak Skitnik, i cili rastësisht dëgjoi Pinxhurovën duke kënduar. Pas kësaj, asaj iu propozua të fillonte punë si soliste në Radio, ku në atë kohë këngët interpretoheshin drejtpërdrejt. Në vitin 1935, këngëtarja dhe familja e saj u shpërngulën në Sofje, ndërsa Gjurga u bë pjesëmarrëse e rregullt në programin e radios. Ajo interpretonte kryesisht këngë nga krahina e Tran-it, të përpunuara posaçërisht për të, e shoqëruar nga grupi folklorik “Trakijska Trojka”. Emblematike për atë kohë ishin edhe pjesëmarrjet e saj çdo të diel në Orën e Fëmijëve të Radios.
Në vitin 1939 u shfaqën pllakat e para të saj gramafoni. Zëri i saj karakteristik dhe interpretimet e veçanta fituan një popullaritet të jashtëzakonshëm. “Omile mi, Jagodo” është ndoshta kënga e saj më e njohur. Shumë të dashura janë edhe këngët “Popej mi, Janke le, nevesto”, “Çiça reçe da me zheni”, “Strahil vojvoda”, “Pushka pukna”, “Sllënce zajde”, “Kavall li sviri”, “Zakukalla kukuvica”.
FOTO: BNR
Gjurga Pinxhurova la një trashëgimi të pasur – vetëm në arkivin e Radios Kombëtare Bullgare janë ruajtur mbi 80 regjistrime të saj. Ajo interpretonte jo vetëm folklorin e krahinës së saj të lindjes, Tran, por edhe këngë nga rajone të tjera etnografike të vendit, këngë të Rilindjes Kombëtare dhe këngë të kaçakëve... Që nga viti 1955 filloi turnetë në Bullgari dhe jashtë saj. Kudo e kujtojnë si një grua energjike, gazmore, të përzemërt dhe rrezatuese, e cila gjente gjithmonë gjuhën e përbashkët me të gjithë dhe ndihmonte këdo që ndodhej në vështirësi.
FOTO: Arkiv
“Prania e saj impononte respekt, të gjithë dëshironin t'i ngjanin, ta imitonin. Edhe unë e dëshiroja këtë”, kujton këngëtarja e njohur e krahinës së Stranxhës, Magda Pushkarova. “Nuk kishte fshat apo qytet ku ajo të mos i përlotte njerëzit. Ajo ishte një artiste e madhe në skenë. Ishte si nëna jonë, sillej me aq ngrohtësi dhe përzemërsi, saqë të gjithë e thërrisnim ‘nëna Guga’”, shton muzikanti i madh maqedonas Kostadin Gugov. Për shkak të dashurisë së admiruesve të saj dhe meritave për muzikën popullore, Gjurga Pinxhurova mori dekoratat dhe titujt më të lartë shtetërorë. Edhe sot këngët e saj vazhdojnë të jetojnë. Në qytetin e saj të lindjes organizohen konkurse në nder të saj, ndërsa qendra kulturore komunale mban emrin e saj.
Monumenti i Gjurga Pinxhurovës në Trën
FOTO: BTA
Ndër interpretimet e paharrueshme të Gjurga Pinxhurovës, “Turtullesha gugat në luginat e thella” zë një vend të veçantë. Rrëfimi i nuses zbulon një trishtim të thellë dhe nostalgji për fëmijërinë. Pëllumbesha, e njohur në zakonet dhe këngët popullore si simbol i butësisë dhe dashurisë, nga një pjesë e peizazhit shndërrohet në një të besuar, para së cilës heroina shpreh dhimbjen e saj. Zogu zgjon kujtime për kohën kur gruaja ishte një vajzë e vogël, e dashur dhe e përkujdesur me butësi nga prindërit e saj. Dasma dhe familja e re shënojnë kalimin nga vajzëria drejt pjekurisë, por zemra vazhdon të ruajë ngrohtësinë e përkëdheljeve të nënës dhe mbrojtjen e babait. Përsëritja e thirrjes “lele” i jep këngës një ngarkesë të veçantë emocionale, karakteristike për këngët popullore, dhe përforcon ndjesinë e një kujtimi njëkohësisht të ngrohtë dhe të dhimbshëm. Kënga ka edhe një version serb – “Gugutka guka vo osoje”, i përhapur në Serbinë Jugore. Një tekst i regjistruar në krahinën e Bosilegradit, në Kraishte, tregon një ngjashmëri të madhe me atë bullgar, gjë që dëshmon afërsinë e traditave folklorike në të dyja anët e kufirit bullgaro-serb. Në interpretimin e Gjurga Pinxhurovës, kënga fiton një butësi dhe sinqeritet të veçantë. Zëri nuk kërkon dramatizim të tepruar, por rrëfen dhe përjeton gjithçka në mënyrë të hollë dhe të natyrshme. Pinxhu rova e shndërron rrëfimin e vogël për fëmijërinë, dashurinë e nënës dhe ndarjen e pashmangshme nga shtëpia e lindjes në një mesazh: çdo njeri, pavarësisht se ku e çon jeta, mbart në zemër atë vend ku dikur ishte fëmijë dhe ku gjithmonë do të dëshirojë të kthehet.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski