HISTORI

Seksion

Një lidhje shekullore mes Bullgarisë dhe Serbisë

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

Tempulli “Shën e Diela” ruan një nga reliket më të nderuara ortodokse në kryeqytetin bullgar

Enjte, 5 Nëntor 2026, 07:40

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Prej më shumë se pesë shekujsh e gjysmë, në zemër të Sofjes ruhen eshtrat e mbretit serb, Shën Stefan Urosh II Millutin. Të sjella në qytet rreth vitit 1460, ato gradualisht u shndërruan në një nga reliket më të nderuara ortodokse në kryeqytetin bullgar. Edhe sot, tempulli “Shën e Diela”, ku ruhen këto relike, tërheq besimtarë nga Bullgaria dhe Serbia. Historia e eshtrave të shenjta është pjesë e trashëgimisë shpirtërore të Sofjes dhe dëshmi e lidhjeve shekullore mes dy popujve fqinjë.

Mbreti i Shenjtë Millutin vdiq në vitin 1321 dhe fillimisht u varros në manastirin “Banska” (Kosova e Veriut), të themeluar me urdhër të tij. Rreth vitit 1460, reliket e tij u transferuan në Sofje. Gjatë shekujve në vijim, ato u ruajtën në vende të ndryshme të qytetit, përpara se të vendoseshin në tempullin “Shën e Diela” në shekullin XIX. Për shkak të nderimit që i kushtohej sundimtarit serb, kisha njihet edhe me emrin “Shën Mbreti”. Sot, reliket e shenjta ruhen në një arkë të posaçme prej druri.

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

FOTO: Svetllana Shatriç

Millutini ishte një nga sundimtarët më të rëndësishëm të Serbisë mesjetare dhe përfaqësues i dinastisë së Nemanjiqëve. Mbretërimi i tij lidhet me forcimin e shtetit serb, por edhe me veprimtari të gjerë ndërtimore dhe bamirëse në mbështetje të Kishës Ortodokse. Emri i tij lidhet me ndërtimin dhe restaurimin e shumë kishave dhe manastireve, si dhe me mbështetjen e qendrave ortodokse jashtë territoreve serbe.

Lidhjet e sundimtarit serb me Bullgarinë ishin veçanërisht të ngushta që gjatë periudhës së mbretërimit të tij. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Shkëlqesia e Tij Milan Ravić, ambasador i Republikës së Serbisë në Bullgari, kujtoi se Millutini kishte vizituar Veliko Tërnovon, një ngjarje e rrallë për sundimtarët e Mesjetës. Sipas jetëshkrimit të tij, të shkruar nga kryepeshkopi serb Danilo, gjatë qëndrimit në kryeqytetin e vjetër bullgar, ai “gjeti çdo gjë që ishte e drejtë për mbretërinë e tij”.

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

FOTO: BTA

Çdo vit, më 30 tetor, Kisha Ortodokse Bullgare nderon Shën Mbretin Millutin, ndërsa në tempullin “Shën e Djela” kremtohet festa kushtuar atij. Siç thekson ambasadori Milan Ravić, ky përkujtim i përvitshëm e shndërron shenjtorin në një lidhje gjithnjë e më të fortë mes dy kishave dhe dy popujve, duke kontribuar në forcimin e miqësisë bullgaro-serbe.

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

FOTO: Svetllana Shatriç

Në predikimin e tij gjatë kremtimit të këtij viti, patriarku bullgar Daniil rikujtoi përkujdesjen e Shën Mbretit Millutin për besimin ortodoks dhe Kishën. Ai theksoi se sundimtari serb e kishte perceptuar pushtetin e tij jo vetëm si një përgjegjësi politike, por edhe si një shërbim ndaj Zotit. Sipas fjalëve të patriarkut, Millutini kishte ndërtuar ose restauruar rreth 40 kisha dhe kishte mbështetur manastire, spitale dhe bujtina për pelegrinët, përfshirë ato në Jerusalem dhe në Manastirin e Hilandarit. Patriarku bullgar theksoi gjithashtu se kufijtë shtetërorë dhe pushteti politik ndryshojnë, ndërsa vlerat shpirtërore mbeten të përjetshme. Ai u bëri thirrje të krishterëve ortodoksë të mos lejojnë që bindjet politike dhe ndjenjat nacionaliste t'i përçajnë, por të udhëhiqen nga besimi, përulësia dhe mëshira.

Nderim i eshtrave të Mbretit të Shenjtë Millutin në Sofje

FOTO: BTA

Më shumë se pesë shekuj pas transferimit të eshtrave, Sofja vazhdon të ruajë kujtimin e Shën Mbretit Millutin si pjesë të historisë së saj shpirtërore. Tradita shekullore e pelegrinazhit dhe nderimit të shenjtë kujton kulturën e përbashkët të krishterë të bullgarëve dhe serbëve, si dhe lidhjen mes dy popujve, e cila vazhdon të ruhet edhe sot.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello