FOLKLOR

Seksion

Fëmijë bullgarë nga Evropa në festivalin në Sofje

“Ritme folklorike nën çatinë e atdheut”

Diskutohet organizimi i kampeve verore me mësimin e disiplinave folklorike për fëmijët bullgarë brenda dhe jashtë vendit

Enjte, 5 Nëntor 2026, 08:30

“Ritme folklorike nën çatinë e atdheut”

FOTO: Fondacioni “Cvjatko Bllagoev”

Madhësia e shkronjave

Fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme të Evropës mbërrijnë në Sofje për të marrë pjesë, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre nga Bullgaria, në një festival-konkurs të artit instrumental, vokal dhe të kërcimit. Organizator i veprimtarisë është Fondacioni “Cvjatko Bllagoev”, ndërsa përfaqësuesit e tij shprehen se shpresojnë që “Ritme folklorike nën çatinë e atdheut” të mos jetë thjesht një konkurs, por mbi të gjitha një mundësi për takime, argëtim dhe krijimin e miqësive të reja.

Festivali do të zhvillohet më 7 dhe 8 nëntor, në Shtëpinë e Kulturës “Iskër” në Sofje, me mbështetjen e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Dhomës Bullgare të Tregtisë dhe Industrisë, Drejtorisë Rajonale të Arsimit të Sofjes dhe Unionit të Artistëve Bullgarë të Muzikës dhe Kërcimit. Mbështetje aktive japin edhe shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë, Shoqata Kulturore “Paralel 43”, e cila ka themeluar dhe drejton shkollën bullgare “Asen dhe Ilia Pejkovi” në Romë, si dhe institucionet arsimore të Sofjes – Shkolla e Mesme e Përgjithshme nr. 128 “Albert Einstein” dhe “Meridian 22”.

Në programin e konkursit do të marrin pjesë ansamble nga shkollat e kryeqytetit, qendrat kulturore dhe madje edhe kopshtet e fëmijëve. Mbërrijnë gjithashtu nxënësit tanë nga Vjena, Roma dhe Bukureshti, ndërsa pritet t'u bashkohen edhe fëmijët bullgarë nga Qiproja, Britania e Madhe, Belgjika, Spanja dhe vende të tjera. “E dimë të gjithë se pas ndryshimeve të vitit 1990, shumë familje bullgare u larguan drejt vendeve të huaja”, na thotë Radka Stamenova, drejtoreshë dhe administratore e Fondacionit “Cvjatko Bllagoev”, duke shpjeguar arsyet që çuan në organizimin e kësaj veprimtarie: 

Radka Stamenova

Radka Stamenova

FOTO: Desisllava Shapkarova

“Shumë fëmijë bullgarë kanë lindur tashmë jashtë vendit. Disa prej tyre vërtet flasin bullgarisht me prindërit, por të tjerë përdorin edhe brenda familjes vetëm anglishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten etj., dhe kjo nuk është mirë! Gjuha jonë duhet të ruhet dhe të promovohet. Dhe, natyrisht, për ta arritur këtë, rolin më të rëndësishëm e kanë prindërit, por edhe shteti dhe shoqëria. Ne, bullgarët, jemi patriotë dhe jam e bindur se mund ta ruajmë dhe t'ua përcjellim brezave të ardhshëm jo vetëm gjuhën bullgare, por edhe traditat tona, historinë tonë dhe kulturën e ndërthurur në këngët, vallet dhe interpretimet tona me instrumente popullore.”

Radka Stamenova dhe Sëllzica Groman

Radka Stamenova dhe Sëllzica Groman

FOTO: Desisllava Shapkarova

Sëllzica Groman, drejtoreshë e shkollës bullgare në Austri, e cila do të marrë pjesë në festival, thekson rëndësinë e folklorit tonë jo vetëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, por edhe si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore:

“Koreografja jonë, Prof. Asoc. Dr. Diana Stoeva, është një profesioniste e jashtëzakonshme dhe falë saj kemi marrë pjesë në shumë konkurse. Madje, së fundmi ansambli ynë i vallëzimit u kthye nga Kina, ndërsa për të dytin vit radhazi jemi të ftuar edhe në Sallën e Artë të Musikverein-it. Interpretuesit tanë janë vërtet shumë të mirë!”, shprehet ajo me entuziazëm dhe shton se nxënësit e saj e presin me padurim konkursin e ardhshëm, për të cilin kanë përgatitur një program të veçantë dhe dy lloje kostumesh kombëtare – të krahinës së Shopllukut dhe të krahinës së Danubit të Veriut.

“Ritme folklorike nën çatinë e atdheut”

FOTO: Desisllava Shapkarova

Në kuadër të festivalit do të zhvillohet edhe një masterclass për këndim, nën drejtimin e maestros Vanja Moneva, dirigjente e korit “Zëra Kozmikë”. Gjithashtu, janë organizuar kurse koreografie dhe mësime për interpretimin e muzikës folklorike me instrumente tradicionale.

“E bëjmë këtë që fëmijët të kenë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin, sepse kjo është vërtet shumë e rëndësishme!”, thekson Radka Stamenova. Ajo shton se, me nismën e fondacionit, më 24 shtator, në ambientet e shkollës së Sofjes “Meridian 22”, u organizua një tryezë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e më shumë se 60 përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave joqeveritare. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë që konkursi të zhvillohet çdo vit, si dhe organizimi i përvitshëm i kampeve verore për fëmijët bullgarë nga vendi dhe jashtë tij. Në këto kampe, fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë disiplina folklorike nën drejtimin e muzikantëve bullgarë me famë botërore, si dhe të marrin pjesë së bashku në ekskursione, seminare dhe kurse për gjuhën, historinë dhe kulturën bullgare. Sëllzica Groman, e cila ishte gjithashtu ndër pjesëmarrëset në diskutim, shpjegon se sa të dobishme janë takime të tilla për fëmijët bullgarë që jetojnë jashtë vendit:

“Ritme folklorike nën çatinë e atdheut”

FOTO: Desisllava Shapkarova

“Këto nisma janë vërtet shumë të dobishme për fëmijët. Komunikimi i tyre me fëmijët bullgarë këtu i ndihmon të përforcojnë njohuritë e gjuhës, kulturën e të folurit dhe gramatikën. Edhe pse të gjitha këto i mësojnë në Vjenë, kontakti i drejtpërdrejtë është diçka krejt tjetër! Prandaj, të gjitha këto nisma këtu, në vend, përbëjnë një traditë vërtet pozitive.”

Radka Stamenova shpjegon se çfarë emocionesh ngjallin këto takime tek fëmijët bullgarë që nuk janë larguar nga atdheu:

“Sigurisht, ata gëzohen shumë që i takojnë dhe do të bisedojnë me shumë kënaqësi me ta në bullgarisht, duke ua korrigjuar edhe gabimet. Dhe nëse arrijmë të organizojmë edhe kampet verore, gjatë të cilave do të mund të merren së bashku me sport, të udhëtojnë nëpër Bullgari, të kërcejnë dhe të këndojnë, ata me siguri do të bëhen miq. E këto janë miqësi që nuk harrohen!”, thotë znj. Stamenova, për të cilën festivali i ardhshëm është vetëm hapi i parë drejt krijimit të lidhjeve të qëndrueshme mes fëmijëve bullgarë nga vende të ndryshme të botës.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello