Qeveria zgjedh universitetin për prezantimin e buxhetit, opozita reagon

Enjte, 5 Nëntor 2026, 16:59

Qeveria zgjedh universitetin për prezantimin e buxhetit, opozita reagon

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Kryeministri Rumen Radev do të prezantojë zyrtarisht më 6 nëntor, në sallën kryesore të Universitetit të Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNSS), objektivat dhe politikat që përmban projektbuxheti për vitin e ardhshëm. Lajmi bëhet i ditur në një njoftim të Ministrisë së Financave. Secili ministër do të paraqesë publikisht dhe do të mbrojë pikat kryesore të buxhetit që lidhen me fushën e tij të përgjegjësisë.

Vendimi që plani financiar i shtetit të prezantohet në një institucion arsimor, në vend që të bëhet në Këshillin e Ministrave apo në Kuvendin Popullor, provokoi reagime të ashpra nga opozita.

Ivajllo Mirçev

Ivajllo Mirçev

FOTO: BTA

Partia “Bullgaria Demokratike” i dha qeverisë një afat prej 24 orësh për të sqaruar nëse janë zhvilluar negociata për kalimin e një pjese të fondeve nga shtylla e dytë e sistemit të pensioneve drejt shtyllës së parë. “Për ne, ky është buxheti i mungesës së perspektivës dhe mezi presim ta shohim, që t’i bëjmë autopsinë, pjesë pas pjese”, tha Ivajllo Mirçev.

Nikollaj Denkov

Nikollaj Denkov

FOTO: BTA

“Në vend që të marrin përgjegjësinë politike mbi vete, ata po ia kalojnë atë drejtuesve akademikë të Universitetit të Ekonomisë, ndërkohë që aty do të shpjegojnë se si qytetarët do të varfërohen vitin e ardhshëm, si do të rriten taksat dhe si do të vështirësohen kushtet për bizneset”, komentoi Nikollaj Denkov nga partia “Po e vazhdojmë ndryshimin”.

Conço Ganev

Conço Ganev

FOTO: BTA

Conço Ganev nga partia “Vëzrazhdane” e cilësoi vendimin për prezantimin e buxhetit në Universitetin e Ekonomisë si “mungesë respekti ndaj Kuvendit Popullor”. Ai theksoi se Bullgaria “nuk është as republikë presidenciale, as monarki dhe as diktaturë, por republikë parlamentare”. Ganev konfirmoi gjithashtu se qeveria kishte pasur në plan të ndërhynte në skemën e shtyllës së dytë të pensioneve, por kishte hequr dorë pas kërcënimeve për organizimin e protestave. Në parim, partia “Vëzrazhdane” mbështet idenë e kufizimit të fondeve që administrohen nga kompanitë private të pensioneve.

Atixhe Alieva

Atixhe Alieva

FOTO: BGNES

“Gjatë javëve të fundit, në prag të prezantimit të buxhetit, dëgjuam gjithnjë e më shumë deklarata të pavërteta, gjë që u konfirmua edhe nga dokumentet e Komisionit Evropian. Po shohim se premtimet për një buxhet social, në të vërtetë, godasin pikërisht shtresat më të pambrojtura të shoqërisë”, tha Atixhe Alieva nga Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS). Ajo e cilësoi aktivitetin e planifikuar në Universitetin e Ekonomisë si një tjetër shenjë të “mospërfilljes së parlamentarizmit”.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova