Lajm
Çmimet e larta të energjisë kanë ulur fuqinë blerëse të 74% të bullgarëve
Enjte 5 Nëntor 2026 17:44
Enjte, 5 Nëntor 2026, 17:44
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Rreth tre të katërtat e qytetarëve bullgarë thonë se rritja e çmimeve të gazit natyror, energjisë elektrike, karburanteve dhe burimeve të tjera energjetike gjatë 12 muajve të fundit ka ndikuar ndjeshëm në uljen e fuqisë së tyre blerëse. Sipas rezultateve të edicionit të tetë të Anketës për Klimën, të zhvilluar nga Banka Evropiane e Investimeve, në Bullgari kjo shifër arrin në 74%, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 60%.
Për 23% të bullgarëve, ndikimi në fuqinë blerëse ka qenë shumë i madh. Kjo shifër është pak më e lartë se mesatarja e BE-së, e cila është 20%, duke e renditur Bullgarinë ndër vendet me përqindjet më të larta edhe në këtë tregues.
Për të përballuar rritjen e çmimeve, gjysma e të anketuarve në Bullgari (50%) kanë shkurtuar shpenzimet e përditshme për ushqime ose kujdes shëndetësor. Ndërkohë, 26% kanë ulur shpenzimet për ngrohjen e banesave, ndërsa 20% janë detyruar të marrin borxhe, të kërkojnë ndihmë financiare ose të shtyjnë pagesën e faturave të energjisë.
Sipas sondazhit, 69% e bullgarëve mendojnë se kalimi drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm është i domosdoshëm dhe urgjent. Përfitimi kryesor që presin nga ky proces janë çmimet më të ulëta të energjisë, të përmendura nga 77% e të anketuarve. Ndërsa 74% presin uljen e varësisë nga importi i naftës dhe gazit natyror, kurse 66% besojnë se ky proces do të ndihmojë në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova