Lajm
"10.11.Fest" si platformë për një bisedë të sinqertë me të kaluarën e Bullgarisë
Shtunë 7 Nëntor 2026 07:09
Shtunë, 7 Nëntor 2026, 07:09
FOTO: 1011fest.bg
Madhësia e shkronjave
Më 10 nëntor do të mbushen 37 vjet nga ato ngjarje të rëndësishme në historinë moderne të Bullgarisë, të cilat shënuan fundin e 45 viteve të regjimit totalitar në vend dhe fillimin e ndryshimeve demokratike.
Kujtimet personale për periudhën socialiste të shoqërisë bullgare janë të ndryshme. Për disa ajo ishte një kohë represioni. Të tjerë kujtojnë sigurinë, parashikueshmërinë, ose thjesht rininë e tyre. Ndonjëherë këto kujtime bashkëjetojnë në të njëjtën familje, madje edhe tek i njëjti person. Si t’i dëgjojmë ato pa i shtrembëruar faktet për regjimin? Si të flasim për represionin dhe mungesën e lirisë me njerëz që thonë: “Megjithatë, jo gjithçka ishte e keqe”? Këto janë pikërisht drejtimet që trajtojnë aktivitetet e edicionit të dytë të "10.11.Fest", i cili fton publikun në një bisedë të hapur dhe të sinqertë për të kaluarën deri më 15 nëntor në Sofje, Burgas, Ruse dhe Dimitrovgrad.
FOTO: Kronika të së vërtetës së pakëndshme
Hapja zyrtare u
zhvillua më 6 nëntor në Institutin Goethe në Sofje, me shfaqjen e filmit
dokumentar "Kronika të së vërtetës së pakëndshme". Filmi rrëfen për
reagimin e autoriteteve bullgare pas aksidentit në Çernobil në vitin 1986 dhe
për bllokadën informative që i la qytetarët të painformuar për ndotjen
radioaktive dhe rreziqet që ajo paraqiste për shëndetin e tyre.
FOTO: 1011fest.bg
Më 8 nëntor, sërish në Institutin Goethe, do të zhvillohet një diskutim që synon t'u japë përgjigje pyetjeve: "Pse kaq shpesh biseda për komunizmin fillon me fjalët 'jo gjithçka ishte e keqe' dhe si duhet t'ua tregojmë këtë periudhë të rinjve, të cilët nuk kanë kujtime personale prej saj, por shpesh rriten me nostalgjinë e mësuesve dhe të afërmve të tyre?"
“Do të diskutojmë se si historitë familjare ndërthuren me faktet historike dhe se si e kaluara përdoret në debatet politike të ditëve tona. A është i mundur një muze i komunizmit që të nxisë dialogun, në vend që të thellojë ndarjet? Një vend që i qaset me mirëkuptim përvojës personale, por që flet qartë dhe mbi bazën e fakteve për regjimin, represionin dhe liritë e mohuara” – shkruajnë organizatorët nga Fondacioni "Platforma e Sofjes" dhe Universiteti i Ri Bullgar.
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva