Ngjarjet me adresë ballkanike

Premte, 6 Nëntor 2026, 16:10

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: socialsamosa.com

Madhësia e shkronjave

Turqia ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç

Në Turqi, nga 1 nëntori kanë hyrë në fuqi kufizime të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët. Platformat nuk kanë më të drejtë t’u ofrojnë shërbime përdoruesve nën moshën 15 vjeç, ndërsa për të rinjtë nga 15 deri në 17 vjeç kufizohen transmetimet drejtpërdrejt, lëvizja pa fund nëpër përmbajtje dhe reklamat e personalizuara, njoftoi TRT Haber.

Për hapjen e një profili kërkohet verifikimi i moshës nëpërmjet sistemit elektronik shtetëror turk e-Devlet. Profilet ekzistuese duhet t’i nënshtrohen verifikimit deri më 31 mars 2027, pas së cilës ato të fëmijëve nën moshën 15 vjeç do të mbyllen. Ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Özdemir Göktaş, deklaroi se qëllimi është krijimi i një mjedisi digjital më të sigurt për fëmijët. Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu mjete të kontrollit prindëror, të cilat platformat duhet t’i vënë në dispozicion.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: AP/BTA

Serbia i hoqi licencën Alta Bankës në sfondin e ndryshimeve politike

Banka Popullore e Serbisë i hoqi licencën Alta Bankës së Beogradit, e cila u shërben ndërmarrjeve më të mëdha shtetërore, për shkak të gjendjes së keqe financiare, ndërsa gjykata hapi procedurën e falimentimit. Depozitat janë të garantuara deri në 50 000 euro për çdo depozitues, njoftoi Banka Popullore.

Vendimi vjen disa ditë pas fitores zgjedhore të Listës Studentore ndaj Partisë Progresive Serbe, e cila ishte deri më tani në pushtet. Pronari i bankës, Davor Macura, i konsideruar i afërt me partinë, u arrestua nën dyshimin për abuzime të rënda financiare.

Rasti ka ndikim edhe në Maqedoninë e Veriut, ku banka serbe Alta Bank zotëron një bankë filial në Manastir (Bitola). Pas heqjes së licencës së bankës mëmë, Banka Popullore në Shkup vendosi administrim të përkohshëm në bankën e Manastirit, me qëllim mbrojtjen e depozituesve.

Marta Kos

Marta Kos

FOTO: EPA/BGNES

Marta Kos: Mali i Zi mund të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028

Mali i Zi ka një mundësi reale për t'u bërë anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028, deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të raportit vjetor për përparimin e vendeve kandidate më 4 nëntor, njoftoi Vijesti. Sipas Kos, për herë të parë që nga viti 2011, Komisioni Evropian ka mundësinë të përfundojë këtë vit negociatat me një vend kandidat, konkretisht me Malin e Zi, ndërsa Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në verën e vitit të ardhshëm. Vendi tashmë ka mbyllur 21 kapituj negociues dhe, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Mali i Zi i ka përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen e kapitujve të mbetur.

Pas nënshkrimit të traktatit, nevojitet miratimi i të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: fena.ba

Donacionet nga Bosnja dhe Hercegovina sigurojnë 1200 racione ushqim në ditë në Gaza

Organizata humanitare Pomozi.ba nga Bosnja dhe Hercegovina hapi një kuzhinë publike në Rripin e Gazës, e cila do të përgatisë 1200 racione ushqim në ditë për familjet palestineze të zhvendosura. E ashtuquajtura "Kuzhina e Vullnetit të Mirë" ndodhet në zonën e Han Junisit dhe është krijuar me donacione nga qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkatdhetarët e tyre jashtë vendit. Sipas organizatës, kjo nismë jo vetëm që do të sigurojë ushqim të rregullt, por edhe do të zvogëlojë rrezikun e zjarreve, pasi familjet nuk do të detyrohen të gatuajnë brenda çadrave të tyre, shkruan klix.ba.

Projekti realizohet në bashkëpunim me organizatën partnere Hayir Kapilari. Që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetor të vitit 2023, Pomozi.ba ka dhënë ndihmë humanitare në vlerë prej mbi 7 milionë markash të konvertueshme – më shumë se 50 kamionë me ushqime, ujë, materiale higjienike, pajisje mjekësore etj. Nëpërmjet një programi bursash, çdo muaj ofrohet mbështetje financiare për 300 jetimë nga Gaza.


Mišo Kovač

Mišo Kovač

FOTO: slobodnadalmacija.hr

Kroacia i jep lamtumirën Mišo Kovačit – zërit të Dalmacisë

Më 31 tetor 2026, në moshën 85-vjeçare, u nda nga jeta Mate Mišo Kovač – një nga këngëtarët më të dashur kroatë dhe simbol i muzikës dalmate. I lindur në Shibenik në vitin 1941, ai u bë një yll i muzikës popullore jugosllave. Gjatë dekadave në skenë, ai shiti mbi 20 milionë disqe, ndërsa këngët e tij "Mbeti po ajo" dhe "Ti je kënga e shpirtit tim" vazhdojnë të jenë të dashura për breza të tërë.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: vecernji.hr

"Sot fjala 'legjendë' përdoret pa shumë kujdes. Mjafton të regjistrosh një këngë, të shfaqesh në televizion ose të japësh një intervistë dhe tashmë je legjendë. Por Mišo Kovač ishte vërtet një legjendë, një njeri që jetonte legjendën e tij", theksoi Siniša Škarica – muzikant kroat, producent muzikor dhe redaktor shumëvjeçar në kompanitë diskografike Jugoton dhe Croatia Records, për HRT.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: vecernji.hr

Kryeministri kroat Andrej Plenković i bëri homazh artistit, duke theksuar lidhjen e tij të thellë me Dalmacinë dhe njerëzit e saj. 30 000 tifozë të klubit të futbollit "Hajduk" të Splitit, për të cilin Kovač ishte një tifoz i zjarrtë, e përcollën me këngë në stadiumin "Poljud".

Ju ftojmë të dëgjoni këngën e tij "Mbeti po ajo":

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski