U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

Premte, 6 Nëntor 2026, 19:16

Vezhdi Rashidov

Vezhdi Rashidov

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Skulptori, dy herë ministër i kulturës dhe ish-kryetar i Kuvendit Popullor të Bullgarisë, Vezhdi Rashidov, u nda nga jeta herët këtë mëngjes, njoftoi zyra e shtypit e partisë GERB, të cilën ai e përfaqësonte për më shumë se 15 vjet.Lajmi u konfirmua më vonë edhe nga familjarët e tij për televizionin Nova, të cilët bënë të ditur se shkaku i vdekjes ishte një atak në zemër.Krijuesi i madh la pas një trashëgimi artistike që do t'i rezistojë kohës: vepra në bronz në Vatikan dhe në Palma de Majorka, një ndërtesë që ndryshoi hartën muzeale të Sofjes, si dhe një karrierë politike për të cilën opinionet do të mbeten të ndara.  

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: BTA - arkiv

Kush ishte Vezhdi Rashidov?

Vezhdi Letif Rashidov lindi më 14 dhjetor 1951 në Dimitrovgrad, në një familje me prejardhje etnike turke. Kur ishte dy vjeç, familja u shpërngul në Haskovo. Fëmijërinë e kaloi në kushte të vështira dhe për disa vite jetoi në jetimore, pas vdekjes së nënës së tij, këngëtares së njohur Kadrije Latifova, e njohur edhe si Ljatifova. Ajo humbi jetën në një aksident automobilistik, kur Rashidovi ishte vetëm 10 vjeç. Pavarësisht jetës së vështirë, ose ndoshta pikërisht për shkak të saj, ai gjeti shpëtimin te arti, të cilin e krijonte me duart e veta.Vezhdi Rashidov përfundoi Shkollën e Mesme të Arteve në Sofje, ndërsa në vitin 1978 u diplomua në Akademinë Kombëtare të Arteve, në degën e skulpturës.Shumë vite më vonë, ai u kthye në Akademi, këtë herë si pedagog, për t'u përcjellë brezave të rinj talentin e tij për t'u dhënë jetë metaleve.

Në vitin 1985, ai fitoi konkursin e Qendrës Ndërkombëtare të Arteve në Paris (Cité internationale des arts) në Francë dhe u nis drejt kryeqytetit francez për një rezidencë artistike. Qëndrimi atje, në kulmin e periudhës së socializmit të vonë në Bullgari, i dha diçka që pak krijues bullgarë të brezit të tij e kishin: kontaktin e drejtpërdrejtë me skenën artistike perëndimore dhe besimin se edhe ai mund të ishte pjesë e saj.Tre vjet më vonë, në vitin 1988, në Paris, ai fitoi çmimin për piktorin më të mirë të huaj në konkursin Art Dialogue, me maskat e Beethovenit.Kjo është një nga seritë më të spikatura të krijimtarisë së tij. Gjatë viteve, ai krijoi më shumë se 60 maska prej bronzi të kompozitorit. Sot, njëra prej tyre ndodhet në koleksionin e Muzeve të Vatikanit. Dymbëdhjetë të tjera janë vendosur në Parkun e Skulpturave në Palma de Majorka, pranë veprave të Juan Mirós, Picassos, Kandinskyt dhe Chillidës.Ekspozita e fundit e madhe e kësaj serie, me titull „Beethoven – Maskat“, u hap në maj të vitit 2025 në galerinë e tij Vejdi Art Gallery në Sofje. Ajo përfshinte 20 maska prej bronzi dhe nëntë vizatime.

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: arkiv

Kali dhe centauri ishin një tjetër motiv që e shoqëronte gjatë gjithë jetës dhe përshkonte si një fill të kuq gjithë krijimtarinë e tij. Në vitin 2012, ai prezantoi pesë skulptura dhe 17 akuarele me këtë temë në Muzeun e Qytetërimit të Kalit në Yokohama, muzeu i vetëm në botë kushtuar tërësisht kalit. Bronzi mbeti deri në fund materiali i tij i preferuar për të punuar. Një nga skulpturat më të njohura të realizuara nga Vezhdi Rashidov vazhdon edhe sot t'u jepet fituesve të Festivalit të Filmit Artistik Bullgar „Trëndafili i Artë“, që mbahet në Varna.

Në vitin 2002, me rastin e 30-vjetorit të veprimtarisë së tij krijuese, presidenti Georgi Përvanov e nderoi me urdhrin „Stara Pllanina“, të shkallës së parë. Që nga viti 2004, ai ishte anëtar korrespondent i Akademisë Bullgare të Shkencave (BAS). Vezhdi Rashidov ishte gjithashtu fitues i medaljes së artë „Dante Alighieri“ të Vatikanit, i urdhrit rus „Aleksandër Nevski“, të shkallës së parë, si dhe i dekoratave të tjera nga Ukraina dhe Turqia.

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: BGNES

Politika përpara artit

Hyrja e tij e vërtetë në politikën e nivelit të lartë ndodhi në vitin 2009 dhe u shoqërua me një simbolikë që vështirë të kalonte pa u vënë re.

Edhe pse ishte me prejardhje etnike turke, Vezhdi Rashidov kishte qenë për vite me radhë një nga kritikët më të ashpër të Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS). Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ai ishte kandidat i partisë GERB për deputet në Kërxhali.  Me fitoren e tij, Rashidov u bë deputeti i parë pas shumë vitesh nga rajoni i qytetit Kërxhali që nuk vinte nga radhët e Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS). GERB fitoi bindshëm zgjedhjet dhe Rashidov u emërua ministër i kulturës në qeverinë e parë të Bojko Borisovit. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në dorëheqjen e qeverisë, në vitin 2013.

Në nëntor të vitit 2014, ai mori sërish drejtimin e Ministrisë së Kulturës dhe qëndroi në këtë detyrë deri në janar të vitit 2017. Projekti që Rashidov e konsideronte vetë si arritjen e tij më të madhe në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Galeria Kombëtare e Arteve „Kvadrat 500“. Kompleksi, i vendosur në qendër të Sofjes, u përurua zyrtarisht në maj të vitit 2015. Ai bashkon nën një çati vepra arti të krijuara gjatë mijëvjeçarëve, pjesë e koleksioneve kombëtare të Bullgarisë, dhe i dha kryeqytetit një hapësirë moderne muzeale, së cilës i kishte munguar për një kohë të gjatë.

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: BTA

Mes dy mandateve të tij si ministër, si dhe pas përfundimit të tyre, Rashidov u zgjodh disa herë deputet. Në Kuvendin Popullor, për një kohë të gjatë, ai drejtonte Komisionin për Kulturën dhe Median.

Vezhdi Rashidov tregonte të njëjtin temperament dhe mprehtësi jo vetëm në punën e tij, por edhe në mënyrën e të shprehurit. Me veprimet dhe deklaratat e tij, ai përfshihej jo rrallë në skandale mediatike dhe paguante edhe çmimin për këtë.

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: BTA

Rikthimi te talenti

Pas tërheqjes nga skena politike, Vezhdi Rashidov iu kthye punës në atelienë e tij dhe vazhdoi të organizonte ekspozita me vepra të reja. Në fund të vitit 2025, ai hapi në BTA ekspozitën e Krishtlindjeve „Pema“, me 60 akuarele dhe vizatime të reja, kushtuar ciklit të jetës. Në këtë ekspozitë, ai përcillte thelbin e rrugëtimit tonë në jetë, të cilin e shpjegoi me fjalët: „Lindim, rritemi, plakemi dhe largohemi nga kjo jetë, dhe pas dyzet ditësh askush nuk na kujton më“. Sot, këto fjalë tingëllojnë thuajse profetike, me një përjashtim të vogël: talenti, që mbetet përtej harresës, fjalëve dhe skandaleve.

U nda nga jeta skulptori dhe ish-ministër i kulturës, Vezhdi Rashidov

FOTO: BGNES


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova