Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Kontributi bullgar në historinë e korit të famshëm „Bolschoi Don Kosaken“
Shtunë 7 Nëntor 2026 20:20
Shtunë, 7 Nëntor 2026, 20:20
FOTO: bdk.at
Madhësia e shkronjave
Nga 9 deri më 11 nëntor 2026, për herë të parë në Bullgari do të jenë të ftuar solistët e korit „Bolschoi Don Kosaken“, të dashur në të gjithë Evropën. Koncertet në Gabrovo, Pleven dhe në sallën prestigjioze „Bullgaria“ në kryeqytet i kushtohen dirigjentit legjendar të korit me famë botërore Don Cossack Choir, Serge Jaroff – në pranverën e vitit 2026 u mbushën 130 vjet nga lindja e tij. Ansambli historik vokal i burrave, i përbërë nga kozakë të Donit, u themelua nga Jaroff në vitin 1921, në një kamp internimi pranë Stambollit, ku emigrantët e Gardës së Bardhë kërkonin shpëtim nga Ushtria e Kuqe. Historia e ansamblit është e lidhur ngushtë me Bullgarinë. Në vitin 1923, kur parashikohej transferimi i trupave ushtarake nga Turqia drejt qytetit bullgar të Burgasit, përfaqësuesi rus propozoi që Jaroff dhe kori i tij të vendoseshin pranë njërës prej kishave ortodokse të qytetit. Në Burgas u mbajt koncerti i parë zyrtar profesional i korit para publikut. Më pas, në qershor të vitit 1923, kori pati një debutim të suksesshëm në katedralen „Shën Aleksandër Nevski“ në Sofje, i ndjekur nga një ftesë për të dhënë koncert në pallatin Hofburg në Vjenë. Paraqitja në kryeqytetin austriak ishte një triumf i vërtetë dhe shënoi fillimin e një historie madhështore, gati 60-vjeçare, me mbi 10 000 koncerte në mbarë botën, pjesëmarrje në produksione të Hollywood-it dhe një diskografi të jashtëzakonshme. Turneu i fundit nën drejtimin e Jaroff u zhvillua në vitin 1979. Pas kësaj, disa formacione të ndryshme vazhduan traditën.
„Bolschoi Don Kosaken“ u themelua në vitin 1981 dhe deri më sot ka realizuar mbi 3000 paraqitje në të gjithë Evropën. Që nga themelimi e deri në ditët tona, në përbërjen e tij kanë bërë pjesë këngëtarë të shquar të operës, me kombësi të ndryshme.
Ljubomir Djakovski në studion e Radio Bullgarisë
FOTO: BNR
Vizita e parë e korit në Bullgari është organizuar nga Filarmonia e Plevenit dhe drejtori i saj, tenori i njohur bullgar Ljubomir Djakovski, i cili ka kënduar në të gjitha skenat operistike të vendit, si dhe në shumë teatro e salla koncertesh në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Prej gati tre dekadash, Djakovski është solist i „Bolschoi Don Kosaken“, me seli në Vjenë, ndërsa vitet e fundit është angazhuar edhe si dirigjent i këtij formacioni. Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, muzikanti ynë i madh rikujton historinë e korit kozak, të themeluar në vitin 1981.
FOTO: bdk.at
“Në fillim, shumica e koristëve ishin bullgarë, pasi në vitin 1981 ishte e vështirë të angazhoheshin këngëtarë nga Bashkimi Sovjetik. Madje, kishte edhe një oktet të korit të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), të quajtur „Këngë Kaçakësh“, dhe ky oktet përbënte shtyllën kryesore të koncerteve të para të „Bolschoi Don Kosaken“. Tani, pas kaq shumë vitesh, jam i lumtur që do të kem mundësinë t'i sjell për herë të parë në Bullgari.”
Prof. Petja Hudjakov
FOTO: bdk.at
„Bolschoi Don Kosaken“ u krijua pasi kori origjinal i Jaroff ndërpreu aktivitetin e tij. Ai u mblodh nga prof. Petja Hudjakov:
“Petja ka lindur në Bullgari. Babai i tij është rus, ndërsa nëna bullgare. Është rritur në Sofje dhe ka qenë fizarmonicist – tregon Ljubomir Djakovski. – Ka marrë pjesë në një ansambël fizarmonikash shumë të njohur në vitet ’50 të shekullit XX. Më pas u bë valltar në një trupë folklorike dhe për disa vite punoi si balerin në Teatrin Shtetëror Muzikor. Më vonë u largua drejt RDGJ-së, ku punoi si valltar, dhe prej andej përfundoi në Austri, duke kaluar në mënyrë gjysmë të paligjshme kufirin. Që nga viti 1961 ose 1962 jeton në Perëndim.”
Ljubomir Djakovski ishte ndër pjesëmarrësit e parë të formacionit të Hudjakovit, shumica e të cilëve ishin bullgarë. Ai u bë pjesë e tij me rekomandimin e dirigjentit të madh bullgar të korit, Mihaill Millkov, themeluesit të Korit të Përzier të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).
Dihet se kozakët e Donit nuk e pranuan Revolucionin e Tetorit, u bashkuan me Gardën e Bardhë dhe i bënë rezistencë regjimit që erdhi më pas në Rusi, për çka u persekutuan.
FOTO: bdk.at
“Epo, duket se ata nuk shkojnë fort mirë me regjimet”, – buzëqesh Djakovski. – “Po, kështu ka qenë në të vërtetë. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë t’i sillja në Bullgari, por ja që gjithmonë dilte diçka e papërfunduar, diçka jo fort korrekte, ose thuhej se nuk ishte momenti i duhur… Për më tepër, ishte e vështirë t’i sillja, sepse bëhet fjalë për këngëtarë profesionistë të operës, të cilët nuk është e lehtë t’i mbledhësh për të organizuar një seri koncertesh të mëdha. Pas Sofjes do të shkojmë në Zvicër, ku do të japim pesë koncerte, më pas në Austri dhe në vijim në Gjermani. Do të vizitojmë qytetet e mëdha dhe më 23 dhjetor, për të 36-in vit radhazi, do të mbahet sërish koncerti ynë tradicional i Krishtlindjeve në Wiener Konzerthaus të Vjenës.”
Pra, kori ka publik dhe kërkohet në Evropë?
“Gjithmonë ka qenë i kërkuar, gjithmonë! Interesi për këtë muzikë nuk është shuar deri më sot. Gjatë këtyre 40 viteve kam njohur njerëz që më thonë: ‘Unë jam për herë të 19-të në koncertin tuaj’, ndërsa dikush tjetër për herë të 25-të. Dhe gjithmonë pyesin: ‘A do ta këndoni këtë apo atë këngë?’”
Gjatë viteve, solistë të „Bolschoi Don Kosaken“ kanë qenë edhe emra të njohur bullgarë, si për shembull bas-baritoni Petër Janëkov apo baritoni i mrekullueshëm Nikolla Vasilev. Ky formacion, në të cilin kontributi bullgar është i pamohueshëm, ka korrur sukses në të gjithë Evropën, nga Palma de Mallorca dhe Qiproja deri në Finlandë. Pas Bullgarisë, atë e presin koncerte në Zvicër, Sllovaki, Çeki, Austri, Gjermani dhe Holandë.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello