Autor
Joan Kolev
Artikull
Anita Ekenova, ABFSH:
Folklori bullgar na mban të bashkuar pavarësisht vështirësive
Hënë 9 Nëntor 2026 20:35
Hënë, 9 Nëntor 2026, 20:35
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Tri ditë të mbushura me emocione dhe me ndjesinë e ngrohtë të të qenit mes njerëzve të tu, si në një takim mes pjesëtarëve të së njëjtës familje. Kështu mund t’i përkufizojmë, në mënyrë sa më të përmbledhur, ditët e kaluara nga 6 deri më 8 nëntor, kur në Sofje u zhvillua Takimi i Pestë Krijues i drejtuesve të grupeve folklorike nga jashtë vendit, i organizuar nga Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ABFSH), me mbështetjen e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit.
Anita Ekenova
FOTO: IABÇ
“Takimi me anëtarët tanë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka përparësi në veprimtari të tilla. Shoqata tashmë numëron 80 grupe, ndër të cilat ka si formacione korale, ashtu edhe grupe vallëzimi nga 21 vende dhe kontinente të ndryshme, sepse kemi grupe edhe nga Argjentina dhe SHBA-ja. Takimi me ta është shumë emocionues dhe përbën diçka si një zgjua bletësh. Gjithmonë është plot ngjyra, larmi dhe interes të dëgjosh se çfarë do të të thonë të tjerët dhe si ndihen për atë që kemi bërë për ta”, na thotë sekretarja e përgjithshme e ABFSH-së, Anita Ekenova, e cila është drejtuese e grupit folklorik bullgar “Ot izvora” në Lion dhe nismëtare e festivalit shëtitës “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”.
FOTO: BTA
Seminaret vjetore të drejtuesve të grupeve folklorike bullgare jashtë vendit, përveçse janë një kohë për takime të këndshme, janë edhe një hapësirë ku ata diskutojnë sfidat dhe praktikat e mira në punën e tyre. Një moment i rëndësishëm është edhe puna praktike për përvetësimin e njohurive të reja në lidhje me koreografinë, hapat dhe lëvizjet e vallëzimit, karakteristike për rajonet e ndryshme folklorike të Bullgarisë.
FOTO: BTA
Një pikë tjetër e rëndësishme e punës së tyre nga 6 deri më 8 nëntor ishte edhe 10-vjetori i Shoqatës së Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit.
FOTO: Arkiv personal
Pjesëmarrësit në seminar patën mundësinë të njiheshin nga afër me brezin e ardhshëm të interpretuesve të traditës bullgare të vallëzimit folklorik – nxënësit e Shkollës Kombëtare të Artit të Vallëzimit në Sofje.
FOTO: BTA
“Kjo është shkolla ku mësojnë fëmijët që më vonë do të bëhen koreografë dhe që, ndoshta, do të nisen drejt vendeve të ndryshme të botës, ku një ditë do t’i takojmë në ndonjërin prej grupeve tona. Këtë u thashë edhe unë: nëse një ditë jeta ju sjell në qytetet tona jashtë vendit, na telefononi, ejani dhe na tregoni se çfarë bëni. Mbetëm të mahnitur nga këto vajza dhe djem të rinj, të cilët kërcejnë jo vetëm valle popullore, por edhe balet dhe valle moderne. Në çdo klasë kishin përgatitur posaçërisht për ne programin e tyre. Ishte e mrekullueshme dhe nuk donim të largoheshim”, tregon Anita Ekenova për përvojën e përjetuar.
FOTO: BTA
Problemet me të cilat përballen grupet folklorike bullgare jashtë vendit në punën e tyre janë të larmishme, ashtu si edhe vetë grupet, por ato u diskutuan në një takim të anëtarëve të shoqatës me përfaqësues të institucioneve në Bullgari:
FOTO: BTA
“Është shumë e vështirë kur fillojmë të flasim për atë që na nevojitet, sepse çdo grup ka nevoja të ndryshme. Megjithatë, mësuam për projekte të rëndësishme me të cilat po punojnë institucionet”, përmbledh Ekenova. “Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit po zhvillon një portal që do t’i ndihmojë bashkatdhetarët që dëshirojnë të kthehen në Bullgari, duke u ofruar në një vend të gjitha informacionet e nevojshme për këtë. Ajo për të cilën do të vazhdojmë të luftojmë është krijimi i një programi të posaçëm, të ngjashëm me Fondin Kombëtar ‘Kultura’, por të orientuar drejt shoqatave bullgare jashtë vendit, sepse ne nuk mundemi dhe as nuk duhet ta krahasojmë gjithmonë veten me kolegët tanë në Bullgari. Nevojat tona janë të ndryshme dhe edhe ne jemi të ndryshëm, ndaj shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë. Në grupet, koret dhe formacionet tona gjithçka bëhet, para së gjithash, me shumë dashuri, dëshirë dhe përkushtim të pakushtëzuar. Po, kemi nevojë për para, ndihmë, partnerë, koreografë, kostume e të tjera, por kemi gjënë më të rëndësishme – dëshirën dhe bashkimin e njerëzve rreth folklorit bullgar, që i bën ata një komunitet të vërtetë.”
FOTO: BTA
Dita e së shtunës iu kushtua një diskutimi mbi mënyrën se si grupet jashtë vendit arrijnë t’i mbajnë njerëzit pranë kauzës së tyre dhe të tërheqin pjesëmarrës të rinj, si dhe mënyrat e financimit të veprimtarisë së tyre. Me pllaka përkujtimore të posaçme, me rastin e përvjetorëve të rrumbullakët nga fillimi i veprimtarisë së tyre, u nderuan drejtuesit.
FOTO: BTA
FOTO: BTA
Përfundimi festiv i mbrëmjes u shënua nga një koncert mbresëlënës, ku u prezantuan tri grupe “të papritura”, por jashtëzakonisht të suksesshme, të cilat, megjithëse kishin pasur kohë të kufizuar për prova, treguan mjeshtëri të admirueshme në interpretimet e tyre. Sipas fjalëve të Anita Ekenovës, këto grupe mishërojnë më së miri moton e takimit – “Së bashku”.
“Këto janë grupi ‘Rinia në shesh’, me drejtuese Ljutvie Gençeva, i cili bashkon 32 valltarë nga vende dhe grupe të ndryshme, të cilët e ngritën publikun në këmbë me vallet që ua dhuruan nga Ansambli Bullgar ‘Trakija’, si dhe Kolektivi Botëror i Vallëzimit ‘Gurbetçii’, të cilët për herë të dytë para nesh dhe për herë të parë në Bullgari prezantuan spektaklin e tyre ‘Kthimi dhe festa pas Luftës Ballkanike’. Këtyre u shtojmë edhe grupin e ri që iu bashkua formacioneve të përbashkëta – ‘Pëstra kitka’, i përbërë nga drejtues të formacioneve korale, të cilët interpretuan tri këngë a cappella dhe dy këngë të shoqëruara me instrumente muzikore. Ky ishte pjesëmarrja e tyre e parë në jubileun e 10-vjetorit të ABFSH-së.”
Në ditën e fundit të takimit, në qendër të vëmendjes ishin dy veprimtari – prezantimi i veshjeve të qepura në stilin mesjetar dhe pjesëmarrja e një grupi për rindërtimin e ngjarjeve historike nga Varna, të cilët treguan jetën e përditshme të paraardhësve tanë:
“Kjo është përsëri fryt i miqësive që kemi krijuar me partnerët tanë. Magdalena Petrova është fillimisht një mike e madhe e festivalit ‘Në sheshin e Bullgarisë tjetër’, më pas e grupit ‘Ot izvora’ – Lion dhe, më vonë, edhe e shoqatës sonë. Prej kohësh ajo mendon se si të na bëjë një dhuratë, sepse ajo që bëjmë ne e frymëzon çdo ditë. Asaj iu bashkua edhe Antoaneta Asenova-Danova, së bashku me nxënësit dhe valltarët e saj, të cilët mundën të prezantonin kostumet e bukura. Shumë krijues ishte edhe prezantimi i grupit ‘Veliçie’, të cilët ishte sikur na kthyen në atë periudhë që i parapriu folklorit ashtu siç e njohim sot.”
Në pjesën seminarike të ditës, një pikë e rëndësishme ishte takimi me një përfaqësues të organizatës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit “Muzikautor”. Gjatë tij u diskutua çështja e rëndësishme për drejtuesit e grupeve folklorike, që lidhet me përdorimin e veprave muzikore dhe të drejtat e tyre gjatë interpretimit publik. Në kuadër të seminarit krijues u zhvillua edhe hapja zyrtare, në Muzeun Kombëtar Etnografik, e ekspozitës me punime nga konkursi “Këmisha ime e qëndisur bullgare”. Konkursi organizohet nga shoqata “Asen dhe Ilija Pejkovi” në Romë dhe e paraqet qëndisjen si një kujtesë të koduar në ngjyra dhe fije – lidhjen e gjallë me rrënjët, traditat dhe identitetin tonë! Ekspozita, kushtuar bukurisë së artit bullgar të qëndisjes dhe talentit të krijuesve të rinj, mund të vizitohet deri më 13 nëntor në sallën “Kopshti Dimëror”.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski