Kënga e tretë nga projekti "Akustika e Bullgarisë"

"Nesër tashmë është dje" – këngë për padurimin dhe etjen për liri të të rinjve

Stefan Vëlldobrev rikthehet te kujtimet e fëmijërisë në qytetin e tij të lindjes, Stara Zagora

Martë, 10 Nëntor 2026, 10:11

"Nesër tashmë është dje" – këngë për padurimin dhe etjen për liri të të rinjve

FOTO: Facebook/Stefan Valdobrev

Madhësia e shkronjave

Stefan Vëlldobrev dhe grupi i tij "Të Dyshuarit e Zakonshëm" prezantojnë këngën e tretë nga albumi "Akustika e Bullgarisë". Pas këngëve më të qeta dhe akustike "I Lirë" dhe "Bukuri", tani në qendër të vëmendjes është "Nesër tashmë është dje". Me këtë këngë më energjike dhe me mesazh të fortë shoqëror, aktori, këngëtar dhe kompozitor i njohur sugjeron se albumi i ri do të sjellë një gamë të pasur tingujsh dhe zhanresh muzikore. "Këngët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Ato janë si filma të pavarur, secila me identitetin e vet", thotë Stefan Vëlldobrev dhe shton: "‘Akustika e Bullgarisë’ është më shumë se një album. Është një projekt i plotë dhe shumë më i madh nga sa e kisha imagjinuar, ku janë përfshirë bashki dhe muze nga e gjithë Bullgaria. Të gjitha 24-25 krijimet muzikore të këtij albumi nuk u regjistruan në një studio në Sofje. Secila prej tyre u regjistrua në vende të ndryshme që i kam për zemër në mbarë Bullgarinë: vende me rëndësi shpirtërore, historike, arkeologjike dhe natyrore. Dhe qasja në secilin prej këtyre vendeve ka kërkuar një përgatitje të veçantë."

Kënga e re "Nesër tashmë është dje" u regjistrua në Stara Zagora. Në të, Stefan Vëlldobrev na prezanton vendet që kanë rëndësi të veçantë për të në qytetin e tij të lindjes, ku kaloi fëmijërinë: stadiumin, operën dhe teatrin, ku pati kontaktet e para me artin, si edhe stacionin hekurudhor, ku Veselin Veselinov-Eko luan dhe regjistron partinë e basit.

"Nesër tashmë është dje" – këngë për padurimin dhe etjen për liri të të rinjve

FOTO: YouTube/Stefan Valdobrev

"Kënga rrëfen padurimin dhe etjen për liri që karakterizon rininë", thotë Stefan Vëlldobrev: "Besoj se kjo është një ndjenjë që e përjetojnë edhe të rinjtë e sotëm. Në fakt, kam përshkruar padurimin tim të dikurshëm, kur isha në atë moshë dhe jetoja në qytetin tim të lindjes. Duket se çdo brez ka vitet e veta të padurimit, atë moment kur dëshiron të këpusë zinxhirët dhe të jetë vetvetja, të shprehet sa më fuqishëm, pak përtej normave, të thyejë muret dhe kufijtë që e pengojnë. Pikërisht për këtë flet kjo këngë: nesër është tashmë vonë, nesër është tashmë dje. Duhet vepruar sot. Çfarëdo që kemi për të bërë, duhet ta bëjmë tani."
"Akustika e Bullgarisë" do të jetë një album me dy disqe, i konceptuar në formën e një libri dhe i pasuruar me fotografi nga vendet ku janë regjistruar këngët. Secila këngë do të ketë kapitullin e vet, në të cilin këngëtari i njohur do të shpjegojë arsyet pse zgjodhi pikërisht atë cep të Bullgarisë. "Ideja është të ruhet jehona, akustika dhe energjia e vetë vendit."

Stefan Vëlldobrev

Stefan Vëlldobrev

FOTO: Facebook/Stefan Valdobrev

"Akustika e Bullgarisë" do të prezantohet me një koncert në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK) më 27 mars 2027, në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit. Para kësaj date, Stefan Vëlldobrev pret me padurim edhe një koncert tjetër të rëndësishëm për të, i lidhur me Radion Kombëtare Bullgare. Më 26 nëntor, në Studion e Parë të Radios Kombëtare Bullgare, ai do të ngjitet në skenë së bashku me Big Bendin e BNR-së, nën dirigjimin e Antonij Donçevit. Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë hitet e tij me grupin "Të Dyshuarit e Zakonshëm", të interpretuara në aranzhime të veçanta dhe të krijuara posaçërisht për këtë koncert.