Seksion
Elisaveta Popantonova – historia e dinjitetit gjatë diktaturës komuniste
Pas një fjalimi të zjarrtë në Kuvendin Popullor, “Priftëresha e Gjelbër” dërgohet në kamp përqendrimi
Martë 10 Nëntor 2026 08:40
Martë, 10 Nëntor 2026, 08:40
FOTO: Muzeu Historik Rajonal i Gabrovos
Madhësia e shkronjave
Zgjedhja për t’u qëndruar përballë mizorive dhe për të mbetur njeri, në një kohë kur njerëzit kthehen në bisha, me një qëllim të vetëm – të ruash vlerat e trashëguara nga prindërit e tu, në emër të drejtësisë. Ky është mësimi që na përcjell Elisaveta Popantonova, e cila iu nënshtrua poshtërimeve, rrahjeve dhe torturave, por askush nuk arriti t’ia thyente shpirtin, të mbrojtur nga një mur i pakalueshëm.
Elisaveta Popantonova lindi në vitin 1910 në Sofje, në familjen e Georgi Milladinovit, drejtor teknik i Teatrit Kombëtar, dhe të Viktorija Sejzovës, e cila kishte përfunduar gjimnazin pedagogjik dhe ishte një violiniste e shkëlqyer. Në shtëpinë e saj të madhe, të ndërtuar në stilin arkitekturor të Rilindjes Kombëtare Bullgare, në qendër të qytetit, ishin mysafirë figura të shquara të letërsisë, si Ivan Vazov, Pejo Javorov dhe Penço Sllavejkov. Ndërkohë, korrierët e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (VMRO) strehoheshin në një vendstrehim të posaçëm, të krijuar për ta.
Në vitin 1932, në Vëllazërinë Ortodokse Vullnetare Arsimore pranë kishës “Shën Trinia”, në këshillin drejtues të së cilës ishte anëtare, Elisaveta u njoh me Anton Popaleksandrovin, student në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit të Sofjes, me të cilin u martua pak kohë më vonë. Por, në vend që të nisej drejt Italisë për të vijuar studimet dhe për të thelluar formimin e saj arsimor, ajo ndoqi bashkëshortin në fshatin e tij të lindjes, Stanҫov Han, në malet e Trevnës. Ai u bë kryetar bashkie dhe ndërtoi një rrugë, sistemoi një burim uji, solli ujë të pijshëm në fshat dhe hodhi themelet e një shkolle. Ndërsa Elisaveta organizoi kurse rrobaqepësie dhe u mësoi vajzave të reja aftësitë e mirëmbajtjes së shtëpisë dhe rregullat e higjienës.
FOTO: Arkiva personale e dr. Mirella Kostadinovës
Dy vite më vonë, Anton Popaleksandrov u shugurua prift në kishën “Shën Mëria” në Gabrovo dhe iu përkushtua një sërë veprimtarish në shërbim të komunitetit. Ndërsa Elisaveta u bë mësuese në Shkollën Ekonomike dhe ishte gjithashtu anëtare e shoqatës së grave “Kujdesi i Nënës” dhe i Vëllazërisë Ortodokse të Krishterë pranë kishës ku shërbente bashkëshorti i saj. Familjes iu shtuan edhe dy fëmijë, Viktoria dhe Aleksandër. Por më pas erdhi 5 shtatori i vitit 1944, dita kur Bashkimi Sovjetik i shpalli luftë Mbretërisë së Bullgarisë. Ngjarjet që pasuan çuan në thellimin e krizës politike dhe në grushtin e shtetit të 9 shtatorit 1944, kur regjimi komunist u vendos me forcë. Jeta e familjes së Elisaveta dhe Anton Popaleksandrovit ndryshoi rrënjësisht.
“Më 9 shtator, Fronti i Atdheut mori pushtetin dhe qeveria e re drejtohej nga Kimon Georgiev”, – rrëfen gazetarja Magdalena Gigova për Radio Sofjen të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). – “Familja Popaleksandrov shpresonte se Bullgaria do të shpëtonte nga ndikimet e huaja, do të shëronte plagët e shkaktuara nga lufta dhe do të ndiqte rrugën e demokracisë. Ndërkohë, ministri i Bashkimit Kombëtar Bujqësor Bullgar (BZNS), Nikolla Petkov, u bëri thirrje të gjithë bujqve për rimëkëmbjen e menjëhershme të organizatës.”
Së shpejti nisën përplasjet mes komunistëve dhe agrarëve, ndërsa Bashkimi Sovjetik urdhëroi një operacion për të goditur udhëheqjen e BZNS-së. Më 26 gusht 1945, ministrat agrarë u larguan nga kabineti qeveritar, ndërsa Nikolla Petkov mori drejtimin e opozitës. Në Gabrovo, Elisaveta Popantonova u shndërrua në udhëheqëse shpirtërore të agrarëve, duke u quajtur “Priftëresha e Gjelbër”, emër me të cilin njihet edhe sot.
Nikolla Petkov
FOTO: bzns.bg
“Në gazetën ‘Flamuri Popullor Agrar’ ajo botoi një artikull me titull ‘Dhuna është e pafuqishme përballë vullnetit të popullit’, në të cilin bëri një paralelizëm mes vuajtjeve të bullgarëve gjatë pesë shekujve të sundimit osman dhe periudhës komuniste”, – vijon rrëfimin e saj Magdalena Gigova. – “Ajo konstaton se e ardhmja e të rinjve përcaktohet nga Fronti i Atdheut, se fëmijët e familjeve agrarë nuk pajisen me vërtetime për ndershmëri dhe besueshmëri, që po dërgohen në kampe dhe burgje. Ajo thekson gjithashtu se BZNS-ja është krijuar nga njerëz të ndershëm, të cilët dëshirojnë që në Bullgari të ketë rend dhe sundim të ligjit, ashtu si në çdo shtet demokratik.”
Pas publikimit të artikullit, Elisaveta Popantonova u propozua si kandidate për deputete nga Gabrovo, ndërsa banorët e zonave përreth nisën t’i besonin shqetësimet e tyre: u merrnin shtëpitë, tokat dhe bagëtitë, i bënin të varur nga sekretarët e partisë dhe i linin të vuanin nga uria. Pavarësisht manipulimeve nga ana e komunistëve, në vitin 1946 ajo u zgjodh deputete. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit, nga foltorja e parlamentit ajo iu drejtua shumicës, e cila pretendonte se po i jepte fund varfërisë, mjerimit dhe papunësisë dhe se po zgjidhte në mënyrë rrënjësore të gjitha problemet sociale, duke i pyetur: “Me krijimin e ministrisë së re, a është bërë diçka më shumë në aspektin social, që të ketë ndryshuar realisht pamjen e realitetit tonë të sotëm, tani që pretendojmë se jetojmë në një epokë të re të Frontit të Atdheut?” Nga bankat e deputetëve dëgjohen thirrje dhe ndërhyrje, të cilave ajo u përgjigjet se lypja ishte kthyer në një fenomen masiv.
Deputetët e BZNS-së Nikolla Petkov dhe Kosta Llullçev në Kuvendin e Gjashtë të Madh Popullor – 1946–1947
FOTO: bzns.bg
Në sallën plenare nisin përplasjet. Shumica kërkon që Elisaveta Popantonova të largohet me forcë nga foltorja. Ajo tërhiqet zvarrë nga turma, por shpëtohet nga deputeti i opozitës, Kosta Llullçev. Disa ditë më vonë, ajo ndodhet në Gabrovo për të festuar Pashkët me familjen e saj. Të Shtunën e Madhe, gjatë një mbledhjeje në klubin lokal të Bashkimit Kombëtar Bujqësor Bullgar “Nikolla Petkov”, i cili ishte i rrethuar nga drejtues të Sigurimit të Shtetit dhe efektivë të milicisë, komunistët hyjnë me forcë, duke kërcënuar opozitarët me shfarosje. Në rrugë, disa huliganë i zënë pritë Elisaveta Popantonovës dhe ia shqyejnë rrobat, por ajo arrin të strehohet në kishën ku shërbente bashkëshorti i saj.
Nikolla Petkov
FOTO: bzns.bg
Më 16 tetor 1947, udhëheqësi i opozitës agrare, Nikolla Petkov, dënohet me vdekje dhe nisin arrestimet e deputetëve. Sigurimi i Shtetit e gjen Elisaveta Popantonovën në orën 04:00 të mëngjesit, në shtëpinë e nënës së saj, ku ndodhej së bashku me dy fëmijët. Pasojnë arrestimi dhe rrahjet. E lënë pa ushqim dhe e lidhin me tela në dy shtylla, ndërsa rreth saj vrapojnë minjtë. Në fund, ajo përfundon në kampin “Bosna”, pranë fshatit Nozharevo.
“Më çuan në një dhomë pranë banesës së administratorit, më zhveshën rrobat e mia dhe më dhanë një këmishë prej pëlhure amerikane, të ndotur, por unë isha në një gjendje aq të rëndë, saqë nuk i kushtova vëmendje asgjëje. E gjithë shpina ime ishte pa lëkurë – nga mishi rridhte një lëng i verdhë, që mbante erë të rëndë…Në kamp gjeta 70 gra. Më çuan në dhomën e të burgosurave politike – mësuese, farmaciste, bashkëshorte të oficerëve mbretërorë, aktiviste agrare që mbështesnin idetë e Nikolla Petkovit, madje edhe një balerinë kryesore nga Teatri Kooperativist. Në dhomën ngjitur ndodheshin të burgosurat për vepra penale ordinere. Çdo të mërkurë dhe të shtunë mbërrinin gra të tjera dhe shumë shpejt numri i tyre arriti në 1800. Ato punonin dhe prodhonin tulla për të ndërtuar ambiente për të sapoardhurat. Transportonin trungje drurësh nëpër shpate të pjerrëta dhe disa prej tyre rrëzoheshin nën peshën e tyre, duke pësuar dëmtime të rënda dhe shtypje të gjymtyrëve.”
Pas lirimit nga kampi, Elisaveta vendoset në arrest shtëpie. Familja përndiqet në çdo hap – madje edhe në kopsht kishin vendosur një vëzhgues, ndërsa bashkëshorti i saj internohet në kishën e varrezave të qytetit Elena. Vetëm kur mbush 62 vjeç, i lejohet të punojë me gjysmë orari, duke shitur qirinj në kishën ku dikur ishte rrahur. Ajo nuk arrin të përfitojë kurrë pension, pasi vitet e shërbimit si deputete nuk i njihen si vjetërsi pune. Bashkëshorti i saj ndërron jetë në vitin 1982, por Elisaveta mbetet besnike ndaj banorëve të Gabrovos dhe nuk kthehet më në qytetin e saj të lindjes.
Elisaveta Popantonova me nipin dhe mbesen e saj
FOTO: Arkiva personale e dr. Mirella Kostadinovës
Elisaveta Popantonova jetoi për të parë rënien e komunizmit në vitin 1989, por më kot priti që dikush nga bashkëpartiakët e saj të interesohej për të. Shumica e tyre tashmë nuk jetonin më.
Sot, kur shënojmë 37-vjetorin e shkëputjes zyrtare nga regjimi komunist (10 nëntor 1989), i cili u shpall me ligj si regjim kriminal në vitin 2000, është e rëndësishme të kujtojmë se dikur kanë ekzistuar njerëz që nuk e kanë ulur kokën, edhe kur kjo u ka kushtuar jetën. Sepse, nëse nuk e harrojmë të kaluarën, do ta kemi më të lehtë të dallojmë shenjat e shtypjes dhe të cenimit të lirisë, përpara se ato të kthehen sërish në realitet.
Përpiloi: Diana Cankova (Bazuar në rrëfimin e Magdalena Gigovës në rubrikën “Adresat e dashurisë” të Radio Sofjes, pjesë e Radios Kombëtare Bullgare (BNR).)
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello