Lajm
Në Samitin e OKB-së për Klimën
Bullgaria propozon krijimin e Programit Polar Ballkanik
Nisma synon të bashkojë vendet e Ballkanit në kërkimet shkencore në rajonet polare dhe të forcojë bashkëpunimin mes studiuesve të tyre
Martë 10 Nëntor 2026 11:02
Martë, 10 Nëntor 2026, 11:02
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria po merr pjesë në Samitin e OKB-së për Klimën, COP31, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit në fushën e kërkimeve polare u prezantua nga drejtuesi i Institutit Bullgar të Antarktidës, prof. Hristo Pimpirev, dhe studiuesi i Institutit për Kërkime Polare pranë Agjencisë Turke për Kërkime Shkencore dhe Teknologjike (TÜBİTAK), doc. dr. Jozgjun Oktar.
“Studimet në rajonet polare janë jashtëzakonisht të rëndësishme për gjithë njerëzimin. Ne, vendet e Ballkanit, nuk duhet të ndihemi të veçuara, por duhet të japim kontributin tonë në studimin e këtyre problemeve globale që lidhen me rajonet polare. Këto rajone janë pjesë e së ardhmes së njerëzimit, pasi prej tyre varet jeta e të gjithë njerëzve. Shkrirja e akullnajave dhe ngritja e nivelit të detit janë procese që në të ardhmen mund të shkaktojnë migrime të mëdha dhe përmbytjen e zonave të gjera e të populluara, përfshirë qytete të mëdha”, tha Pimpirev, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). “Bullgaria është në një pozicion udhëheqës, pasi është i vetmi vend në Ballkan që ka bazë polare dhe anijen e vet kërkimore, e cila zhvillon projekte shkencore gjatë udhëtimeve drejt Oqeanit Jugor. Për këtë arsye, vendi ynë është një pikë e rëndësishme bashkëpunimi për shkencëtarët nga të gjitha vendet e Ballkanit. Greqia po zhvillon tashmë për të tretin vit radhazi ekspedita me anijen tonë. Turqia dërgon vazhdimisht studiues në bazën tonë, ndërsa Rumania organizoi gjithashtu dy ekspedita. Interes për bashkëpunim kanë edhe studiues dhe biologë detarë nga Mali i Zi. Kemi gjithashtu kërkesa nga studiues të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës për të punuar së bashku me ne. Dëshirojmë të bashkojmë përpjekjet dhe të ndihmojmë vendet fqinje, në mënyrë që, përmes një pune të koordinuar, edhe ato të kontribuojnë në arritjen e rezultateve të rëndësishme për gjithë njerëzimin”, shtoi prof. Hristo Pimpirev.
Në pavijonin bullgar në Antalia do të zhvillohen gjithsej 20 veprimtari gjatë periudhës 9–20 nëntor. Në qendër të programit bullgar është anija kërkimore-shkencore “Shenjtor Kirilil dhe Metodij”, e cila mbërriti në Antalia. Gjatë prezantimit të nismës shkencore polare ballkanike, prof. Pimpirev ftoi pjesëmarrësit e COP31 të vizitojnë edhe anijen.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova