Autor
Kostadin Atanasov
Intervistë
Si do të ndryshojë tregu i pronave pas rritjes së vlerësimeve tatimore?
Mërkurë 11 Nëntor 2026 06:18
Mërkurë, 11 Nëntor 2026, 06:18
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Qeveria ka njoftuar plane për rritjen e vlerësimeve tatimore të pasurive të paluajtshme në Bullgari me gjithsej 100% gjatë tre viteve të ardhshme.
"Rritjet e planifikuara janë krejtësisht logjike, sepse vlerësimet tatimore nuk janë ndryshuar prej shumë kohësh, ndërsa çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur disa herë. Ky vendim duhet të zbatohet për të arritur një farë afrimi mes këtyre vlerave, pasi ende nuk është hartuar një metodologji e përshtatshme sipas së cilës vlerësimet tatimore të ndjekin tregun", tha Polina Stojkova, drejtoreshë ekzekutive e një prej agjencive kryesore të pasurive të paluajtshme në vend, në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Sipas saj, rritja e vlerësimeve tatimore mund të ndikojë në taksat dhe tarifat vjetore mbi pasuritë e paluajtshme, por nuk pritet të ketë ndonjë ndikim thelbësor mbi tregun, pasi në transaksionet e shitblerjes merret parasysh vlera më e lartë midis çmimit të shitjes dhe vlerësimit tatimor:
Polina Stojkova
FOTO: BGNES
"Nuk pritet rënie e shitjeve dhe e çmimeve të pasurive të paluajtshme, sepse edhe pas rritjes së ardhshme të vlerësimeve tatimore ato do të mbeten më të ulëta se çmimet e shitjes. Do të ketë një rritje të caktuar të taksës vjetore mbi pronat dhe të tarifave të tjera që llogariten mbi bazën e vlerësimit tatimor, por kjo është e logjikshme në kushtet e inflacionit të përgjithshëm."
Sipas Polina Stojkovës, nuk pritet as një rritje e ndjeshme e normave të interesit për kreditë hipotekare, gjë që është një lajm i mirë për të gjithë kredimarrësit:
FOTO: BGNES
"Edhe nëse rriten disa nga normat e interesit
për kreditë hipotekare, të cilat bazohen në indekse si EURIBOR-i dhe jo në
masën e depozitave në Bullgari, rritja do të jetë minimale. Kësti mujor do të
mbetet i përballueshëm edhe në rast të një rritjeje të interesit me 1 pikë
përqindjeje, që është një skenar mjaft ekstrem. Sipas parashikimeve të sektorit
bankar, normat e interesit do të mbeten rreth niveleve aktuale. Ende nuk
vërehet rritje e interesave për depozitat, ndërsa te shumica e kredive normat
bankare të interesit janë të lidhura me normën referuese të interesit për
depozitat."
FOTO: Pixabay
Gjatë vitit të kaluar, më aktivët në tregun e pasurive të paluajtshme kanë qenë familjet e reja dhe familjet që kërkojnë një mjedis më të mirë banimi. Kërkohen kryesisht banesa për përdorim dhe banim vetjak, dhe jo prona për investim dhe rishitje, të cilat në vitet e mëparshme përbënin një pjesë të konsiderueshme të tregut. Interesi më i madh është për apartamente me tre dhoma në qytetet e mëdha, si edhe për apartamente në resortet turistike të destinuara për pushime. I lartë është gjithashtu interesi për prona në vendbanime më të vogla pranë qyteteve të mëdha dhe kryeqytetit, të cilat ofrojnë një mënyrë jetese më të qetë, thekson ekspertja.
Blerësit e huaj përqendrohen kryesisht në zonat e
bregdetit dhe të qendrave të skive në Bullgari. Një grup tjetër i të huajve
kërkon prona rurale. Ata janë në moshë para pensioni ose në pension dhe
dëshirojnë të qëndrojnë përgjithmonë në vend, thotë Polina Stojkova dhe shton:
FOTO: BGNES
"Interesante është se ka edhe familje të reja që dëshirojnë të jetojnë këtu dhe duan ta rinovojnë vetë pronën, duke e përshtatur sipas shijes së tyre. Një grup tjetër i madh janë njerëzit që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe ndryshojnë shpesh vendbanimin, ndaj zakonisht kërkojnë prona me qira për qëndrim sezonal. Ende nuk vërehet një interes i qartë për blerjen e pronave me qëllim investimi në qytetet e mëdha. Për më tepër, këto prona janë bërë disi më të shtrenjta sesa çmimi që blerësit e huaj do të ishin të gatshëm të paguanin."
Sipas Polina Stojkovës, interesi i blerësve të huaj pritet të rritet në vitet e ardhshme, por jo në mënyrë të vrullshme. Ai do të lidhet më tepër me mundësitë dhe cilësinë e mirë të jetesës që vendi vazhdon të ofrojë.
"Blerja e një prone në qytetet e mëdha është
një investim i mirë në plan afatgjatë, por tregu nuk mund të konsiderohet më si
një vend që garanton fitime të shpejta", paralajmëron ekspertja:
FOTO: BGNES
"Ndërtimet e reja në qytetet e mëdha mbeten
një mundësi e mirë investimi për njerëzit me të ardhura të qëndrueshme. Pronat për pushime mund të sigurojnë një kthim të
mirë nga investimi përmes dhënies me qira në mënyrë profesionale, nëse kanë
karakteristika të mira dhe ndodhen në një kompleks cilësor. Tashmë ka edhe
produkte që janë të orientuara tërësisht drejt investimit pasiv. I tillë është
një fshat i ri turistik që po ndërtohet midis Borovecit dhe Sofjes. Projekti
ofron mundësi investimi me një program profesional menaxhimi dhe dhënieje me
qira me synim realizimin e të ardhurave. Mundësitë për investime në pasuri të
paluajtshme nuk do të shterojnë. Ende ka oferta të mira në treg, por duhet
vepruar me maturi, të vlerësohen rreziqet dhe të mbështetet te këshilla
profesionale, sepse ne e shohim tregun në një shkallë shumë më të gjerë dhe
mund të japim orientime shumë të vlefshme, duke ndarë edhe përvojën tonë."
FOTO: BGNES
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, rritja vjetore e çmimeve të banesave në tremujorin e dytë të vitit 2026 arriti në 15,5%. Polina Stojkova shprehu pritjen se gjatë vitit 2027 pasuritë e paluajtshme do të shtrenjtohen me më pak se 10% në bazë vjetore. Me fjalë të tjera, çmimet do të vazhdojnë të rriten, por me ritme shumë më të moderuara, të krahasueshme me inflacionin dhe rritjen e të ardhurave.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva