Kryeministri Rumen Radev:

Bullgaria nuk do të marrë pjesë në paketën e re të ndihmës për Ukrainën

Martë, 10 Nëntor 2026, 18:05

Bullgaria nuk do të marrë pjesë në paketën e re të ndihmës për Ukrainën

FOTO: Këshilli i Ministrave

Madhësia e shkronjave

Bullgaria nuk do të marrë pjesë në dhënien e një pakete shtesë ndihme prej 70 miliardë eurosh për Ukrainën. Kjo u bë e qartë nga deklarata e kryeministrit Rumen Radev pas takimit të tij me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Varna, njoftoi korrespondentja jonë Daniella Stojanova.

“Ukraina është një faktor stabilizues dhe Evropa e mbështet atë. Nëse Rusia heq dorë nga veprimet e saj agresive, lufta do të përfundojë”, komentoi Von der Leyen letrën e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili kërkon që Bullgaria, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia t’u bashkohen vendeve që do të sigurojnë fonde shtesë për Kievin.

Në përgjigje, Radev theksoi se Bullgaria vazhdon ta ndihmojë Ukrainën përmes eksportit të energjisë elektrike, restaurimit të infrastrukturës energjetike dhe hekurudhore, si edhe me mbështetje falas për mijëra familje ukrainase. Sipas tij, kjo ndihet veçanërisht në Varna, ku jetojnë shumë familje ukrainase.

“Sa i përket mbështetjes financiare, ne vetë ndodhemi në procedurë për deficit të tepruar dhe zonja Von der Leyen vazhdimisht na nxit të rikthehemi brenda kufirit prej 3%. Prandaj po bëjmë përpjekje në përputhje të plotë me mundësitë tona financiare aktuale. Megjithatë, Bullgaria në asnjë rast nuk pengon vendimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe dëshirën e shteteve të tjera për të ndihmuar sipas mundësive të tyre”, deklaroi Radev.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva