Artikull
Kisha bullgare në Hagë u shenjtërua solemnisht pas një restaurimi tërësor
Martë 10 Nëntor 2026 20:25
Martë, 10 Nëntor 2026, 20:25
Shenjtërimi i kishës bullgare në Hagë pas një restaurimi tërësor
FOTO: bg-patriarshia.bg
Madhësia e shkronjave
Në ditën e festës së saj kishtare (8 nëntor), me një Liturgji Hyjnore solemne ipeshkvore, të kremtuar nga Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antoni, u shenjtërua kisha bullgare „Shën Kryeengjëjt Mihaill dhe Gabriel” në qytetin e Hagës, në Hollandë.
Për shkak të zëvendësimit të Tryezës së Shenjtë dhe altarit në hapësirën e shenjtërores gjatë restaurimit të përgjithshëm të kishës, u krye një shenjtërim i plotë, informon faqja zyrtare e Patriarkanës Bullgare.
Në Tryezën e re të Shenjtë prej mermeri të kishës u vendos një pjesëz nga lipsanet e Shën Jakovit të Madh, martirit të shenjtë, të sjella personalisht nga Mitropoliti Antonij.
Në shërbesën festive morën pjesë edhe priftërinj nga Eparkia e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, kryeprifti i kishës, atë Nikollaj Nikollov, atë Julian Angellov nga bashkësia kishtare „Shën Mbreti Boris Pagëzori” në Berlin, atë Stojan Berbatov nga bashkësia kishtare „Shën Patriarku Evtimij” në Haselt dhe bashkësia kishtare „Shën Joani i Rillës” në Luksemburg, si dhe atë Angell Vodeniçarov nga bashkësia kishtare „Shën Klimenti Ohridski” në Bruksel.
„Të dashur bashkatdhetarë, ju që jetoni dhe punoni larg kufijve të atdheut, e dini se sa e rëndësishme është që njeriu të ketë një vend ku mund të dëgjojë lutjen në gjuhën e nënës, të ndezë një qiri përpara ikonës së shenjtë, të ndiejë fuqinë e bashkësisë ortodokse dhe t'u përcjellë fëmijëve të tij gjuhën, besimin dhe trashëgiminë shpirtërore të popullit bullgar. U bëftë ky tempull jo vetëm shtëpi shpirtërore për bullgarët në Hagë dhe në Hollandë, por edhe një vend dashurie vëllazërore, mikpritjeje dhe bashkimi me të gjithë të krishterët ortodoksë dhe njerëzit vullnetmirë. Uroj që këtu askush të mos ndihet i huaj, i vetmuar apo i harruar”, me këto fjalë iu drejtua besimtarëve Mitropoliti Antonij dhe bëri thirrje që nga ky tempull të „ngrihet lutje e pandërprerë për Bullgarinë, për popullin tonë, për Kishën Ortodokse Bullgare, për paqen ndërmjet popujve dhe për shpëtimin e të gjithë njerëzve”.
Në kishën „Shën Kryeengjëjt Mihaill dhe Gabriel” ndodhet tashmë edhe ikona e Shën Joan Shangajski dhe San-Françiskos, e realizuar nga artistja bullgare Rosica Xhananova, e cila jeton në SHBA.
Ikona e Shën Joan Shangajski
FOTO: BTA
Ikona, e punuar me xham me ngjyra dhe fletë ari, përshkoi afro 15 000 kilometra për të mbërritur në Hagë. Rruga e saj kaloi përmes Los Anxhelosit, Sofjes dhe Budapestit. Gjatë udhëtimit, ajo u shenjtërua nga Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij, dhe mori bekimin e Patriarkut Bullgar, Daniill.
Në fakt, kisha në Hagë është themeluar pikërisht nga Shën Joan Shangajski dhe San-Françiskos në vitin 1952. Fillimisht ajo i përkiste Kishës Ortodokse Ruse Jashtë Kufijve dhe mbante emrin „Ngjallja e Krishtit”.
Pasi më 19 nëntor 2000, në Hagë u themelua Bashkësia Kishtare Ortodokse Bullgare „Shën Paisij Hilendarski”, ajo u vendos në ndërtesën e kësaj kishe. Më 28 mars 2018 u krijua e drejta e përhershme e përdorimit të pronës kishtare në Hagë për nevojat e Kishës Ortodokse Bullgare „Shën Kryeengjëjt Mihaill dhe Gabriel”.
Redaktoi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski