Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

Enjte, 12 Nëntor 2026, 09:10

Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Bota sot është gjithnjë e më e pasigurt dhe e përçarë, ndërsa njerëzit janë gjithnjë e më të zhytur në përditshmërinë dhe problemet e tyre, pa i kushtuar shumë vëmendje të mirave që ndodhin përreth tyre dhe personaliteteve që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit dhe të shoqërisë sonë. Në këtë kontekst, nisma të tilla si “Iluministi i Vitit” kanë një mision të rëndësishëm – të na bëjnë të ndalemi dhe të reflektojmë për bashkëkohësit tanë, të cilët na zgjojnë nga përhumbja në problemet e përditshme dhe na drejtojnë vëmendjen drejt ndriçimit shpirtëror, humanizmit, dhembshurisë dhe së mirës.

Ndër këta bashkëkohës frymëzues është edhe mësuesi në Gjimnazin Kombëtar të Gjuhëve dhe Kulturave të Lashta “Shën KonstantinKirill Filozofi”, Aleksandër Stojanov, të cilin publiku i Radios Kombëtare Bullgare e zgjodhi fitues të çmimit “Iluminist i Vitit 2026”.

Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

FOTO: Evgeni Dimitrov (Bullfoto) për BNR

“Ky është rezultat i vlerësimit të mijëra njerëzve dhe nuk e shoh se si mund të arrija një mirënjohje më të madhe për punën time si mësues dhe historian”, – u shpreh ai në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Dr. Aleksandër Stojanov është pedagog në Universitetin e Ri Bullgar dhe në Gjimnazin Kombëtar të Gjuhëve dhe Kulturave të Lashta “Shën KonstantinKirill Filozofi”. Gradën shkencore doktor e ka mbrojtur në Universitetin e Lejdenit në Holandë. Ai është autor i shumë punimeve shkencore, librave dhe publikimeve, ndër të cilat veçohen “Bullgarët midis dy katastrofave (1396–1944)”, botuar në vitin 2025, dhe libri “Bullgarët midis dy perandorive (632–1396)”, i botuar në vitin 2026, ku trajton periudha kyçe të së kaluarës bullgare.Ai beson se roli i figurave publike bashkëkohore – një term që parapëlqen ta përdorë në vend të fjalës “iluminist” – është të nxisin shoqërinë të mendojë në mënyrë kritike, të shtrojë pyetje të pakëndshme dhe të luftojë për versionin më të mirë të mundshëm të shtetit.Ndërsa fusha e tij profesionale – historia, është çelësi për të kuptuar botën. Veprimtaria e tij edukuese në rrjetet sociale dhe në podkastin edukativ “Të flasim për Historinë” e bën njohurinë historike të aksesueshme për të gjithë, zgjon interesin për të kaluarën dhe dëshmon se njohja e historisë është një kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.Megjithatë, në ditët e sotme, shoqëria jonë përballet me shumë çështje të rëndësishme, thotë historiani Aleksandër Stojanov:

Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

FOTO: BGNES

“Bëhet fjalë për probleme dhe çështje që lidhen në një masë të madhe me identitetin. Për mua, një nga problemet e mëdha të kohës sonë është se ne nuk kemi një perspektivë dhe një ide të qartë se çfarë kombi do të dëshironim të ishim. Cilët njerëz duhet të jenë pjesë e këtij kombi? Kjo për shkak se po shohim një retorikë jashtëzakonisht të ashpër dhe destruktive, e cila synon përjashtimin e grupeve të caktuara shoqërore nga ideja e popullit bullgar. Për mua, kjo është jashtëzakonisht e gabuar dhe bie ndesh me idealet e rilindësve tanë kombëtarë, mes tyre edhe të Vasill Levskit, i cili theksonte idenë e bashkimit të të gjithë njerëzve që jetojnë në territorin e Bullgarisë në një republikë.Mendoj gjithashtu se një problem i madh përpara nesh është mungesa e një doktrine, pra e një koncepti gjithëpërfshirës dhe të strukturuar sipas përparësive, që përcakton cilat janë synimet tona të brendshme dhe të jashtme politike dhe ku duam të jemi pas 50, 100 apo 150 vjetësh. Fatkeqësisht, bullgari nuk mendon në perspektivë si pjesëtar i një kombi dhe kjo krijon mundësinë që ai të manipulohet lehtësisht në përditshmërinë e tij, pasi nuk ka një ide të qartë se çfarë të ardhmeje dëshiron të arrijë dhe si dëshiron të duket shteti në planin afatmesëm dhe afatgjatë.”

Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

FOTO: BGNES

Bashkëbiseduesi ynë vë theksin te retorika e drejtuar kundër komuniteteve të caktuara minoritare, si dhe te çështja ende e pazgjidhur e të drejtave të grave në vendin tonë, krahas problemit madhor të dhunës në familje dhe përçarjes së thellë brenda vetë shoqërisë.

Sipas historianit, vitet deri në vitin 2050 do të jenë një periudhë gjatë së cilës e gjithë bota, në një mënyrë apo në një tjetër, do të duhet të fillojë të reflektojë mbi tema që për një kohë shumë të gjatë konsideroheshin si pjesë e periudhave historike që nuk mund të përsëriteshin më – autoritarizmi, totalitarizmi, barazia sociale etj. Disa popuj dhe shoqëri do të arrijnë të japin një përgjigje më të arsyeshme dhe më të ekuilibruar ndaj sfidave, ndërsa të tjerë mund të rezultojnë të pamjaftueshëm në pjekurinë e tyre, e disa të tjerë, nga të cilët pritet të dështojnë, mund t'ia dalin mbanë:

“Bullgarët do të kalojnë përmes një procesi katarsisi social-politik gjatë 25 viteve të ardhshme, por mënyra se si do të dalin prej tij varet nga vendimet tona.”

Aleksandër Stojanov: Në 25 vitet e ardhshme na pret një katarsis social-politik

FOTO: BGNES

“Krizat, problemet dhe përplasjet e interesave në shoqërinë tonë janë të shumta dhe duhet të na nxisin të reflektojmë mbi të tashmen, duke nxjerrë mësime nga e kaluara e afërt. Në këtë kuptim, mësimi më i rëndësishëm që të rinjtë e sotëm në vend duhet të kuptojnë është se shteti janë ata vetë dhe gjithçka që ndodh me të është përgjegjësi e tyre, prandaj janë pikërisht ata që vendosin se kush do ta administrojë atë në emër të tyre.”

“Shpresoj që brezat e rinj, të ashtuquajturit Gjenerata Z dhe Alfa, të cilët po rriten në një botë plot informacion dhe mundësi, të zhvillojnë përmes këtij procesi edhe mendimin kritik dhe aftësinë për të bërë një vlerësim të kthjellët, në mënyrë që të bëhen kujdestarë të mirë të së ardhmes së Bullgarisë.”

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello