HISTORI

Artikull

Pierce O'Mahony - irlandezi që u dha një të ardhme jetimëve bullgarë

Dielë, 15 Nëntor 2026, 08:56

Pierce O'Mahony - irlandezi që u dha një të ardhme jetimëve bullgarë

FOTO: stara-sofia.com

Madhësia e shkronjave

Në fillim të rrugës "Sveti Georgi Sofijski" në Sofje ndodhet një shesh i vogël që mban emrin "Pierce O'Mahony". Në këtë mënyrë, kryeqyteti bullgar nderon një nga bamirësit e tij, filantropin irlandez që erdhi në Bullgari në fillim të shekullit XX për të ndihmuar fëmijët që kishin mbetur pa kujdes prindëror pas shtypjes së Kryengritjes së Ilindenit. Ai u siguroi strehim, arsim dhe përkujdesje, ose thënë shkurtimisht, një të ardhme, më shumë se tridhjetë djemve, të cilët me dashuri dhe respekt e quanin "babai Pier".

Në vjeshtën e vitit 1903, gazetat evropiane njoftonin për shtypjen e përgjakshme të kryengritjes në Maqedoni dhe në Trakinë e Adrianopojës, krahina që në atë kohë ndodheshin nën Perandorinë Osmane. Mijëra njerëz u vranë, fshatra të tëra u dogjën dhe refugjatët kërkonin strehim në Principatën e Bullgarisë.

Lajmet arritën edhe te Pierce Charles de Lacy O'Mahony. Tragjedia e Ballkanit të largët e tronditi thellë dhe i ndryshoi rrjedhën e jetës. I lindur në Dublin në vitin 1850, ai humbi të atin kur ishte vetëm katër muajsh. Pasardhës i një familjeje të pasur irlandeze pronarësh tokash, ish-deputet dhe mbështetës i vetëqeverisjes së Irlandës, ai ndante idetë e William Gladstone-it, burrit të shtetit britanik që mbrojti bullgarët pas shtypjes së Kryengritjes së Prillit të vitit 1876.

Pierce O'Mahony (1850 – 1930)

Pierce O'Mahony (1850 – 1930)

FOTO: wikipedia.org

Së bashku me bashkëshorten e tij, Alice, Pierce O'Mahony u nis për në Ballkan me synimin për të krijuar një strehë për fëmijët jetimë. Në Kostandinopojë ai u takua me ekzarkun bullgar Jozef, i cili e mbështeti nismën e tij. Më pas vizitoi Plovdivin, Pazarxhikun, Samokovin, Dupnicën dhe Burgasin, ku ishin vendosur refugjatë. Mes tyre ai kërkonte fëmijë nga 6 deri në 12 vjeç, të mbetur pa kujdes prindëror si pasojë e ngjarjeve tragjike që shoqëruan Kryengritjen e Ilindenit. Për shtëpinë e ardhshme të fëmijëve, irlandezi bleu dhe rinovoi një ndërtesë dykatëshe në bulevardin "Maqedonia" në Sofje, pranë Monumentit Rus. Edhe Bashkia e Sofjes e mbështeti nismën, duke vënë në dispozicion dy parcela ngjitur për oborr, fushë lojërash dhe kopsht. Më 30 mars 1904, jetimorja u bekua nga mitropoliti i Sofjes, Parteni. Ajo u pagëzua me emrin "Shën Patriku", shenjtori mbrojtës i Irlandës. Sipas të dhënave të Muzeut Historik Rajonal të Sofjes, në ceremoninë e hapjes Piercе O'Mahony, megjithëse vetë protestant, mbajti një fjalim prekës, në të cilin premtoi se fëmijët e tij do të edukoheshin si bullgarë të vërtetë, qytetarë të ndershëm dhe punëtorë, si edhe si personalitete të denja e besnike ndaj Kishës Ortodokse Lindore.

Bekimi i jetimores nga mitropoliti i Sofjes, Parteni, mars 1904

Bekimi i jetimores nga mitropoliti i Sofjes, Parteni, mars 1904

FOTO: stara-sofia.com

Pierce dhe Alice jetonin në të njëjtën shtëpi ku ishte vendosur jetimorja dhe merrnin pjesë drejtpërdrejt në kujdesin e përditshëm për djemtë. Fëmijët u regjistruan në shkolla të ndryshme të Sofjes. Përveç kësaj, irlandezja u jepte mësime të anglishtes dhe frëngjishtes. Në veprimtarinë e tyre, çifti ndihmohej nga drejtori i jetimores, Friedrich Pitt, dhe motra e mëshirës Margaret Carbery.

Kjo nismë fisnike u mbështet edhe nga donacionet e shoqërisë bullgare, por barrën kryesore të financimit e mbante vetë O'Mahony.

Në vitin 1905, bamirësi ndërtoi vilën "Irlandia" në Kostenec (Bullgaria Jugperëndimore), ku fëmijët kalonin verën. Një vit më vonë, Alice ndërroi jetë, por O'Mahony vazhdoi të kujdesej për djemtë. Gjatë qëndrimit të tij në Bullgari, ai përqafoi edhe besimin ortodoks.

Pierce O'Mahony

Pierce O'Mahony

FOTO: stara-sofia.com

O'Mahony ishte i bindur se arsimi duhej t'u siguronte nxënësve të tij një profesion dhe mundësinë për të siguruar jetesën me forcat e veta. Ai mbështeti përgatitjen e tyre në profesione të ndryshme, ndërsa disa prej tyre i ndihmoi të studionin jashtë vendit.

Kujtimet e njërit prej tyre, Atanas Bllagov Popfilipov nga fshati Baçevo, në krahinën e Razllogut, të regjistruara në vitin 1983, ruhen në Fondin e Artë të BNR-së. Ja se si ai rrëfen ndryshimin në jetën e tij pas takimit me Pierce O'Mahony-n:

"U largova nga Bullgaria, ose nga Maqedonia, siç ishte atëherë nën sundimin osman, në vitin 1903, gjatë Kryengritjes së Ilindenit. Një irlandez, një njeri fisnik, themeloi një jetimore në Sofje dhe mblodhi 33 jetimë (sipas të dhënave zyrtare 32 - shën. red.). Unë isha njëri prej tyre. Ai na dha mundësinë të mësonim në shkollën fillore, më pas në gjimnaz. Unë e përfundova gjimnazin në vitin 1911. Dhe, meqenëse isha një nxënës shumë i mirë, ai këmbëngulte, irlandezi zoti O'Mahony, të më merrte në Irlandë që të studioja mjekësi. Në vitin 1912 isha tashmë student në Universitetin e Dublinit. Pas shpalljes së Luftës Ballkanike u ktheva menjëherë në Bullgari dhe u rreshtova në Regjimentin e Parë të Këmbësorisë në Sofje... Pasi përfundoi lufta me Turqinë, na dërguan në Kjustendill. Me ne formuan një regjiment të ri, me rekrutët më të rinj. Na dërguan në Gjueshevo. Atje ishin serbët. Ata na godisnin vazhdimisht me artileri. Nuk mund të përparonim. Dëgjuam se Rumania kishte hyrë në Bullgari, se Turqia e kishte rimarrë Adrianopojën (Edrenenë) dhe se Maqedonia pak a shumë kishte humbur. Ndërsa unë jam një maqedonas i vërtetë. Kjo më rëndoi aq shumë sa, kur na liruan për të vazhduar studimet, gati sa nuk qava kur u nisa për në Irlandë dhe nuk doja më të kthehesha në Bullgari. Por, në fund të fundit, jam bullgar, ndaj u ktheva përsëri.

Pas shumë vitesh ndërtova një vilë në Predell. Në këtë vilë vijmë çdo vit me bashkëshorten time, e cila është angleze."

Pas përfundimit të studimeve për mjekësi, Atanas Popfilipov dëshironte të kthehej në Bullgari, por kjo rezultoi e vështirë për shkak se kishte shtetësi britanike. Ai vazhdoi karrierën e tij profesionale në Angli, më pas në Qipro dhe më vonë në Afrikë, fillimisht në Etiopi e më pas në Kenia. Sipas fjalëve të tij, ai jetoi atje për 47 vjet dhe u bë gjithashtu një nga katër nismëtarët e krijimit të rezervateve të kafshëve të egra në vend.

Por le të kthehemi te historia e Pierce O'Mahony-t. Disa prej djemve që ai mbështeti morën mbiemrin e tij dhe ua përcollën atë edhe fëmijëve të tyre. Lidhja me të vazhdoi edhe pasi ata nisën jetën e pavarur.

Piers O'Mahony me të rinjtë e jetimores

Piers O'Mahony me të rinjtë e jetimores

FOTO: arkiv

Irlandezi qëndroi në Bullgari deri në vitin 1909, por jetimorja vazhdoi të funksiononte deri në vitin 1914, kur të gjithë nxënësit e saj kishin marrë diplomat e arsimit. Në janar të vitit 1915, cari bullgar Ferdinand e dekoroi bamirësin me Urdhrin "Për meritë civile".

Lidhja e irlandezit me Bullgarinë nuk u kufizua vetëm te kujdesi për fëmijët jetimë. Ai vazhdoi ta ndiqte me interes të madh fatin e vendit dhe u shpreh kundër bashkimit të tij me Fuqitë Qendrore, të udhëhequra nga Gjermania dhe Austro-Hungaria. Ai mbështeti gjithashtu pretendimet territoriale të Bullgarisë pas Luftës Ndëraleate. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u angazhua edhe për lehtësimin e reparacioneve të rënda të vendosura ndaj Bullgarisë.


Një nga fotografitë e fundit të Pierce O'Mahony-t, 1930.

Një nga fotografitë e fundit të Pierce O'Mahony-t, 1930.

FOTO: wikipedia.org

Pierce O'Mahony vdiq në Irlandë në vitin 1930. Një kontribut të madh për ringjalljen e kujtimit të veprës së tij në ditët tona kanë dhënë Maria Spasova dhe Seamus Shortall me librin dokumentar "Pierce O'Mahony - një irlandez në Bullgari", botuar në vitin 2002. Kësaj historie i është kthyer edhe shkrimtarja Bojka Asiova në romanin e saj "Lindur në Pashkë".

Studimi dhe romani tërheqin vëmendjen ndaj një faqeje më pak të njohur të historisë bullgare pas kryengritjes së vitit 1903: kujdesit për fëmijët që mbijetuan dhe veprës fisnike të një irlandezi në Bullgari.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva