Lajm
Radio Bullgaria pyet, ju përgjigjeni:
Pse ka kaq shumë viktima në rrugët e Bullgarisë? – Anketë me qytetarët
Kontrolli më i rreptë dhe rritja e moshës minimale për marrjen e lejes së drejtimit janë ndër propozimet e banorëve të kryeqytetit
Mërkurë 11 Nëntor 2026 20:50
Mërkurë, 11 Nëntor 2026, 20:50
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria renditet e para në Bashkimin Evropian për sa i përket numrit të viktimave në aksidentet rrugore. Për çdo një milion banorë në Bullgari, 71 persona humbin jetën në rrugë, tregojnë të dhënat e Komisionit Evropian për vitin 2025, të publikuara në fund të tetorit. Aksidenti tragjik i ndodhur dje (10 nëntor), në të cilin, në dy aksidente zinxhir me mbi 80 automjete, humbën jetën 11 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, është një tjetër arsye për të pyetur se cilat janë problemet kryesore në organizimin e trafikut në vend.
Një ekip i Radio Bullgarisë pyeti banorët e Sofjes: «Cilat janë shkaqet e numrit të lartë të viktimave në rrugë dhe cilat janë zgjidhjet e mundshme?»
FOTO: BGNES
«Unë jam shofer me profesion dhe shoh lloj-lloj gjërash. Njerëzit merren me telefonat, nuk respektojnë kufizimet e shpejtësisë, nuk respektojnë shenjat dhe sinjalistikën rrugore, parkojnë ku të duan, madje edhe në qendër të qytetit. Nëse nuk ka trotuar apo shtyllë penguese, aty mund të parkosh», na tregon Aleksandri, 38 vjeç.
Veriperëndimi i Bullgarisë kryeson tradicionalisht renditjen e rajoneve me numrin më të lartë të personave që humbin jetën në aksidentet rrugore, me 107 viktima për një milion banorë në vitin 2025, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave. Ndalemi për të biseduar me një të ri nga qyteti i Vracës i cili na tregon se cila është, sipas tij, arsyeja kryesore e këtij rekordi tragjik në rajon.
FOTO: BGNES
«Unë jam nga Vraca dhe, pikërisht në veri të qytetit, rrugët janë në gjendje tronditëse. Aty ndodhin shumë shpesh aksidente. Mendoj se kjo është ndoshta gjëja e parë që duhet të përmirësohet për të ulur numrin e viktimave, sepse, sado i kujdesshëm të jetë një shofer, gjendja e rrugës nuk e lejon të drejtojë automjetin ashtu siç duhet.»
Ndër faktorët të cilëve qytetarët ia atribuojnë numrin e lartë të viktimave në rrugët e Bullgarisë janë edhe ligjet, ose më saktë, mosrespektimi i tyre. Mungesa e ndëshkimeve më të ashpra bën që shkelësit e rregullave të ndihen të paprekshëm, mendon një pensioniste, e cila ka kërkuar të mbetet anonime.
Për rolin e policisë si organi kryesor përgjegjës për zbatimin e ligjit, shpreh mendimin e tij Aleksandri, me të cilin biseduam më herët
FOTO: BGNES
«Vendosim kamera dhe fshihemi nëpër shkurre, duke menduar se po bëjmë një lloj parandalimi. Parandalimi nuk bëhet në këtë mënyrë», thotë ai dhe shton: «Sipas meje, që gjërat të ndryshojnë, policia thjesht duhet të bëjë punën e saj. Nuk kanë dëshirë të punojnë. Pas orës 18:00 të mbrëmjes, është sikur të mos kemi fare polici, nuk ka organe kontrolli.»
Po çfarë mendojnë shoferët e rinj për këtë çështje? Një maturante e shkollës së mesme nr. 7 «Shën Shtatë Shenjtorët» propozon rritjen e moshës minimale për marrjen e lejes së drejtimit.
FOTO: BGNES
«Mendoj se duhet të rritet pak kufiri i moshës në të cilën një person mund të marrë lejen e drejtimit – 18 vjeç, sipas mendimit tim, është një moshë shumë e ulët.»
Ajo e argumenton mendimin e saj me sjelljen e papërgjegjshme në rrugë që vëren tek disa prej bashkëmoshatarëve të saj. Sipas saj, provimi për marrjen e lejes së drejtimit duhet të jetë më i vështirë, në mënyrë që të kufizohet numri i shoferëve të rinj që nuk tregojnë maturinë e duhur.
Nga ligjet dhe ndëshkimet, te gjendja e rrugëve, puna e policisë dhe sjellja e shoferëve – njerëzit me të cilët biseduam përmendin arsye të ndryshme për numrin e lartë të viktimave në rrugët e vendit tonë. Megjithatë, del në pah një përfundim i përbashkët: që numri i viktimave të ulet, nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe secili duhet të mbajë përgjegjësinë e vet. Problemi është se zakonisht e hapim këtë temë vetëm pasi ndodh ndonjë tragjedi e madhe.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski