Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

Si Muzeu i rinovuar i Trashëgimisë Kulturore ruan kujtesën familjare edhe të bashkatdhetarëve tanë në Moldavi

Shtunë, 14 Nëntor 2026, 10:14

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: facebook.com/muzeitaraclia2013

Madhësia e shkronjave

Në zemër të Besarabisë, ku kujtimi i kolonëve bullgarë jeton ende në çdo shtëpi, Muzeu i Trashëgimisë Kulturore në Taraklia po përjeton një jetë të re. Pas një rikonstruksioni të gjerë, në muajin maj të këtij viti ai hapi dyert në një pamje tërësisht të rinovuar. Sipërfaqja e tij u zgjerua ndjeshëm, me mbi 150 metra katrorë, ndërsa hapësira e shtuar bëri të mundur krijimin e dy sallave të rëndësishme: një për shkencën dhe teknologjinë dhe një sallë konferencash me kinema.

Gjendja dhe zhvillimi i këtij muzeu kanë rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore bullgare në këtë pjesë të Moldavisë, sidomos duke pasur parasysh se afro 80% e banorëve të qytetit të Taraklias janë me origjinë bullgare. Ekspozita e muzeut përqendrohet në dy koncepte historike: i pari i kushtohet shpërnguljes, jetës së përditshme dhe kulturës së bullgarëve të Besarabisë, ndërsa i dyti pasqyron vitet e luftës dhe periudhën sovjetike.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: facebook.com/muzeitaraclia2013

Thesar i relikteve autentike: nga qilimat 150-vjeçarë te kurorat e dasmës

Të gjitha sendet autentike në muze janë dhuruar nga vetë banorët e Taraklias. Krahas qilimave unikë 150-vjeçarë dhe ikonave nga fillimi i shekullit të kaluar, vizitorët mund të shohin edhe vegla bujqësore për shirjen e drithit, hekura të vjetër me qymyr dhe mullinj dore.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: Ksenija Deçeva

Veçanërisht prekës është këndi i posaçëm kushtuar traditave bullgare të dasmës. Përveç pajës tradicionale të nuses, aty ekspozohen edhe kurora për kumbarët dhe për mysafirët më të afërt.

Një rrallësi e jashtëzakonshme është edhe kurora e nuses, e cila sipas një tradite të vjetër bullgare ruhej pas dasmës, e vendosur pas kornizës së ikonës së Shën Mërisë me Foshnjën, pikërisht asaj ikone me të cilën prindërit bekonin familjen e re.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: facebook.com/muzeitaraclia2013

Muzeu ruan edhe vlera me rëndësi kombëtare, si koleksionin unik të ornamenteve të qëndisura, i cili nuk ka të ngjashëm në të gjithë Moldavinë. Ky koleksion është mbledhur gjatë viteve 1960 nga qeramistja e njohur Esfir Greku dhe i është dhuruar muzeut nga vajza e saj, Tamara Greku.


Sot mund të jemi të qetë për gjendjen e këtyre objekteve muzeale. Pas rinovimit, muzeu tashmë disponon gjithsej pesë salla kryesore ekspozimi. Nëse më parë, në mjediset e varfra dhe të amortizuara, ruheshin rreth 1300 objekte pa një kronologji të qartë dhe organizim të mirëfilltë, sot vizitorët mund të shohin mbi 3500 eksponate origjinale.

Kjo përbën gjysmën e fondit të pasur të muzeut, ndërsa pjesa tjetër ruhet me kujdes në depo të specializuara.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: Ksenija Deçeva

Nga një kopsht fëmijësh i kooperativës bujqësore te një muze bashkëkohor

Vetë ndërtesa mbart brenda saj historinë e ndërlikuar të qytetit të Taraklias. Fillimisht ajo ka shërbyer si qendër administrative e kooperativës bujqësore "Kalinin", ndërsa më vonë aty u vendos kopshti i fëmijëve i kooperativës. Pas mbylljes së tij, godina mbeti e braktisur për shumë vite. Vetëm në vitin 2011 Bashkia e Taraklias mori vendimin për të krijuar një muze të trashëgimisë kulturore, i cili u hap zyrtarisht në gusht të vitit 2013. Rruga e zhvillimit të tij vazhdoi gjatë viteve, derisa u arrit te muzeu modern që ekziston sot.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: facebook.com/muzeitaraclia2013

Në të mësojmë edhe për traditën e pasur zejtare të rajonit moldav të Taraklias, në zhvillimin e së cilës kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe kolonët bullgarë. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë poçaria, përpunimi i lëkurës, prodhimi i pajimeve për kuajt dhe thurja e fshesave. Sot këto zeje pothuajse janë zhdukur nën presionin e teknologjive moderne.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: Ksenija Deçeva

Arkivi i pasur me mbi 2500 fotografi u jep mundësi historianëve të rindërtojnë ngjarje kyçe nga jeta e qytetit.


Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: Ksenija Deçeva

Ekspozita ushtarake ruan edhe uniforma origjinale të dhuruara nga Bullgaria. Këtu ruhen gjithashtu sendet personale të Vladislav Kara, një oficer i njohur si hero lokal në qytetin që konsiderohet qendra e bullgarëve në Moldavi. Bullgari i Besarabisë humbi jetën në Çeçeni dhe u nderua me Urdhrin e Guximit, të cilin i ati e dhuroi personalisht në koleksionin e relikteve të muzeut.

Muzeu i Taraklisë ruan shpirtin e bullgarëve të Besarabisë

FOTO: Ksenija Deçeva

Muzeu i Trashëgimisë Kulturore në Taraklia strehon historinë, por njëkohësisht shikon me guxim drejt së ardhmes. Në partneritet me bashkinë e qytetit planifikohet ndërtimi i një kompleksi të plotë etnokulturor, si edhe vendosja e ekraneve interaktive në çdo sallë. Kjo shtëpi e kujtesës dëshmon se çdo fotografi e dhuruar, çdo objekt apo copëz historie familjare ndihmon që të ringjallen faqet e paçmueshme të së kaluarës së Besarabisë dhe të ruhet lidhja me rrënjët dhe traditat bullgare.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva