Autor
Diana Cankova
Artikull
Rosica Nikollova: Në Ukrainë mungojnë mësuesit, madje edhe të gjuhës bullgare
Shteti duhet të rishqyrtojë urgjentisht politikën e tij ndaj territoreve të pushtuara në Ukrainë, thotë mësuesja shumëvjeçare në Primorsk
Enjte 12 Nëntor 2026 17:15
Enjte, 12 Nëntor 2026, 17:15
FOTO: Diana Cankova
Madhësia e shkronjave
Liceu i Përgjithshëm Ukrainas-Bullgar në qytetin e Primorskut, në rajonin e Zaporozhkës, ndodhet në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia. Godina dhe infrastruktura e tij, të krijuara gjatë shumë vitesh, janë shkatërruar, ndërsa nëse ka mbijetuar ende diçka, kjo i detyrohet vullnetit të mirë të autoriteteve vendore. Në kushtet e luftës, institucioni arsimor vazhdon të funksionojë vetëm në internet. "Nder dhe lavdi kolegëve të mi, të cilët vazhdojnë t'i japin mundësinë të marrë frymë", thotë Rosica Nikollova, mësuese shumëvjeçare e gjuhës dhe letërsisë bullgare në këtë lice.
Liceu i Përgjithshëm Ukrainas-Bullgar në qytetin e Primorskut
FOTO: KZ "Liceu i Primorskut" (arkiv)
Ky rast konkret pasqyron situatën e institucioneve arsimore të lidhura me komunitetet bullgare në Ukrainë. Pavarësisht nëse ndodhen nën pushtim apo në territore që janë nën bombardime, procesi mësimor është jashtëzakonisht i vështirësuar.
"Kjo është Tavrija, ku ekzistonte një sistem shkollash të së dielës", tregon ish-mësuesja. "Edhe pranë liceut, edhe pranë shoqatës së qytetit kishte shkolla të tilla. Njëra funksiononte në kuadër të programit "Gjuha amtare dhe kultura jashtë vendit", ndërsa tjetra në bazë të një vendimi tjetër për krijimin e shkollave të së dielës në mbarë botën, të cilat funksiononin sipas të njëjtit status. Aktualisht, situata në Ukrainë është shumë e ndërlikuar. Një gjë është Besarabia, në rajonin e Odesës, dhe krejt tjetër është rajoni i Zaporozhkës. Këto çështje duhet të trajtohen në mënyra të ndryshme."
Megjithëse Vendimi nr. 103 i Këshillit të Ministrave lehtëson procesin e pranimit të të rinjve nga diasporat historike për të studiuar në universitetet bullgare, kjo nuk vlen për ata që jetojnë në territoret e pushtuara nga Rusia. Për ta është pothuajse e pamundur të vijnë në Bullgari për të vazhduar studimet, pasi janë të detyruar të pajisen me pasaportë ruse.
FOTO: Facebook /Rositsa Nikolova
"Me këto dokumente ruse, të paktën në këtë fazë, gjërat nuk mund të jenë më siç kanë qenë më parë", thotë Rosica Nikollova. "Ndërkohë, në bazë të Vendimit nr. 103, shumë të rinj nga Ukraina, Moldavia dhe komunitetet e tjera të vjetra bullgare jashtë vendit, si ato në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, kanë përfunduar studimet në Bullgari. Mes tyre ka specialistë jashtëzakonisht të mirë dhe të kualifikuar. Një nga çështjet e rëndësishme dhe të ndërlikuara është integrimi i tyre në tregun tonë të punës. Gëzimi dhe kënaqësia më e madhe për mësuesit që kanë punuar me këta të rinj është t'i shohin, pas disa vitesh, si pjesë të elitës intelektuale të Bullgarisë."
Pjesa më e madhe e të rinjve që përfundojnë studimet në universitetet bullgare qëndrojnë në vend. Ashtu si të rinjtë e lindur në Bullgari, edhe ata përballen me probleme të ngjashme gjatë kërkimit të një vendi pune.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirill dhe Metodij"
"Është e vështirë të kalosh nga statusi i studentit në atë të një pjesëtari të fuqisë punëtore", shprehet Rosica Nikollova. "Gjëja më e rrezikshme për të rinjtë tanë është që, për shkak të nevojës për të ardhura, të përfundojnë në një mjedis ku u ofrohen paga të mira. Në këtë rast, ata braktisin arsimin dhe profesionin që kanë fituar dhe, në praktikë, i humbasim këta njerëz. Nga ana tjetër, ndonjëherë nevojiten edhe njohje për të gjetur një punë dhe për të hedhur hapat e parë të duhur. Shpesh përmend shembullin e një ish-nxënëseje tonën, e cila ka përfunduar studimet për japonologji, dhe them se ajo i përket elitës jashtëtokësore, jo vetëm të Bullgarisë, por edhe të Evropës. Nuk e di se si po zhvillohet karriera e saj profesionale, por shpresoj që në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të mendojnë për mënyrën se si të punojnë me këta të rinj nga komunitetet e vjetra bullgare. Ky do të ishte një hap jashtëzakonisht dashamirës, që do t'i bënte ata të ndiheshin të mbështetur."
Një nga idetë është krijimi i regjistrave me emrat e bullgarëve të Besarabisë që studiojnë në Bullgari, në mënyrë që të vlerësohen rezultatet e tyre dhe të shihet se si mund të kontribuojnë si specialistë në fusha të ndryshme. Megjithatë, për të shfrytëzuar potencialin e tyre edhe në të ardhmen, është e nevojshme të kapërcehen probleme të ndërlikuara. Në Ukrainë nuk mungojnë vetëm mësuesit e historisë, biologjisë dhe kimisë, lëndë në të cilat nxënësit përballen me terminologji të ndërlikuar, të cilën duhet ta zotërojnë në gjuhën bullgare për t'ia dalë mbanë në provimet pranuese. Në territoret më të rrezikuara mungojnë edhe mësuesit e gjuhës bullgare.
Shkollë e shkatërruar gjatë sulmeve ajrore ruse në Ukrainë
FOTO: Reuters
"Në Moldavi, për fatin tonë të mirë, ka njerëz nga Bullgaria që dërgohen atje përmes konkurseve", shpjegon Rosica Nikollova. "Por këtu dua të hap një parantezë: për shumë vite, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndjekur një politikë të papërshtatshme ndaj mësuesve të gjuhës dhe letërsisë bullgare, muzikës dhe folklorit në Ukrainë, sepse i dërgonte me shërbim në udhëtime pune, si pasojë e të cilave ata mbeteshin pa vjetërsi pune dhe pa sigurime shoqërore në Bullgari. Pas shumë përpjekjesh dhe vështirësish arritëm që disa gjëra t'i kthenim në vendin e duhur, por për shkak të situatës aktuale përsëri nuk ka kandidatë. Për shembull, në Kishinev është shpallur disa herë konkursi për një vend pune në lice."
Masa më urgjente që duhet të ndërmarrë shteti bullgar është rishqyrtimi i politikës së tij ndaj territoreve të pushtuara në Ukrainë, si Tavrija dhe Krimeja, ku bullgarët janë lënë në mëshirë të fatit, këmbëngul Rosica Nikollova. Ajo citon kryetarin e komunitetit bullgar në Krime, Ivan Abazher, i cili thotë se përpiqen të trokasin në derën e Bullgarisë, por duart e tyre zhyten në hapësirën e zbrazët që, për fat të keq, nuk i pranon.
Ivan Abazher
FOTO: opcrimea.ru
"Dhe ashtu siç shteti i braktisi bullgarët e Krimesë, do t'i braktisë edhe bullgarët e Tavrijas. Gradualisht do të arrihet deri te asimilimi, sepse universitete ruse ka sa të duash, por nuk ekziston mundësia që këta të rinj të studiojnë në Bullgari. Kështu, ata po humbasin gradualisht identitetin e tyre si përfaqësues të komunitetit bullgar në këto treva", konstaton Rosica Nikollova. "Vendi ynë duhet të bëjë diçka. Nuk mund të lejohet që ambasadorja ruse Eleonora Mitrofanova të deklarojë se nuk ka interes për gjuhën bullgare në rajonin e Zaporozhkës dhe në Tavrija, sepse në këto zona nuk ka bullgarë. Kjo nuk është e vërtetë, por rrethanat aktuale janë të tmerrshme dhe fshehja e së vërtetës nuk sjell rezultate të mira."
Rosica Nikollova është e gatshme, së bashku me kolegët e saj që kanë punuar në këto zona, të shkojnë te Eleonora Mitrofanova dhe t'i shpjegojnë personalisht se vetëm në rrethet e Berdianskut, Priazovskut dhe Primorskut kanë ekzistuar 38 fshatra bullgare. "Tani, sigurisht, përbërja e popullsisë së tyre nuk është e njëjtë si në fillim të shekullit XX, pas shpërnguljes nga Besarabia në vitin 1861, por bullgarët vazhdojnë të jenë aty", shton ajo. E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që do të dëshironte të theksonte, ajo përgjigjet: "Njeriu që shkon në ato vise dhe njihet me ata njerëz, e lë zemrën atje. Gjithmonë. Për gjithë jetën."
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski