Lajm
Procedura për ngritjen e monumentit të inxhinier Ivan Ivanovit drejt përfundimit
Premte 13 Nëntor 2026 05:58
Premte, 13 Nëntor 2026, 05:58
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Pas 15 vitesh përpjekjesh dhe zvarritjesh, Këshilli Bashkiak i Sofjes miratoi propozimin për ngritjen e një monumenti kushtuar ish-kryebashkiakut legjendar të Sofjes, inxhinier Ivan Ivanov. Kështu, monumenti pritet të vendoset deri në fund të këtij viti ose gjatë vitit të ardhshëm, pranë stacionit të metrosë “Stadiumi Vasill Levski”. Vendndodhja ka një domethënie simbolike, pasi pikërisht në këtë vend, 100 vjet më parë, doli në sipërfaqe uji i ujësjellësit të Rillës.
“Ivan Ivanov mendonte një shekull përpara për mënyrën se si do të furnizohej Sofja me ujë dhe pati guximin të ëndërronte për një ujësjellës që do ta sillte ujin nga Rilla dhe do ta furnizonte qytetin me ujë të pastër malor. Ujësjellësi i Rillës është një vepër e jashtëzakonshme inxhinierike, në ndërtimin e së cilës ai luajti një rol kyç. Kjo ishte edhe arsyeja që qeveria e Kimon Georgievit e emëroi kryebashkiak në vitin 1934. Nëse paraardhësit tanë nuk do të kishin menduar me largpamësi, Sofja sot do të përballej me një problem serioz të furnizimit me ujë – uji do të ishte i një cilësie shumë më të ulët dhe shumë më i shtrenjtë”, tha për Radio Bullgarinë profesori Vili Lilkov, nismëtar i propozimit për ngritjen e monumentit dhe këshilltar bashkiak nga koalicioni “Sofja Blu”.
Projekti i monumentit kushtuar inxhinierit Ivan Ivanov
FOTO: BTA
Fondet e nevojshme tashmë janë siguruar, ndërsa janë përgatitur edhe kallëpet sipas modelit prej balte. Në vijim do të bëhet derdhja e monumentit në fonderi, si dhe punimet përfundimtare.
Periudha kur inxhinieri Ivan Ivanov drejtonte Bashkinë e Sofjes njihet si “Dekada e Artë e Sofjes”, për shkak të projekteve madhore infrastrukturore dhe urbanistike të realizuara gjatë asaj kohe. Ndër to përfshihen shtrimi i rrugëve me kalldrëm, modernizimi i parqeve dhe ndërtimi i godinave emblematike administrative dhe kulturore.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova