Opozita kritikon qëndrimin e Bullgarisë mbi sigurinë evropiane

Premte, 13 Nëntor 2026, 15:17

Opozita kritikon qëndrimin e Bullgarisë mbi sigurinë evropiane

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Deputetët e opozitës kritikuan qëndrimin e vendit tonë për të mbështetur me rezerva iniciativën e Francës mbi parimet kryesore të sigurisë evropiane, të paraqitur në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin.

Sipas Daniell Mitovit nga GERB-SDS, Bullgaria vazhdon të ndjekë një politikë të jashtme të paqartë: "Ende nuk është bërë e qartë se çfarë ka nënshkruar Rumen Radev, çfarë nuk ka nënshkruar dhe me çfarë rezervash. Kemi përsëri politikën e jashtme të Schrödinger - jemi atje dhe nuk jemi atje. Është e qartë se përmes një lloji të përmirësuar shpjegimi, kryeministri nuk po u flet qytetarëve bullgarë, por padronëve të tij në Kremlin dhe po u jep atyre një sinjal se në të vërtetë po mbron interesat e tyre në formatet evropiane."

Deputeti i “Bullgarisë Demokratike”, Ivajllo Mirçev, shkroi në Facebook se pas mbështetjes me rezerva të nismës franceze qëndron një problem serioz: komplekset dhe frika ndaj Rusisë. Ai ngriti gjithashtu pyetjen se cili interes bullgar është i kërcënuar, nga cili angazhim po distancohemi dhe çfarë po propozojmë në të vërtetë:

“Përsëri mbështesim, por ‘me rezerva’. Përsëri duhet të shpjegojmë deri ku jemi dakord dhe ku nis shqetësimi ynë se mos e zemërojmë Moskën. Këtë logjikë e dëgjuam tashmë nga presidentja Ilijana Jotova lidhur me deklaratën e përbashkët për Ukrainën në OKB: propozimet bullgare për ndryshime nuk ishin pranuar, nuk kishte mundësi për të shprehur rezerva e kështu me radhë.”


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva