Ngjarjet me adresë ballkanike

Premte, 13 Nëntor 2026, 17:10

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq

FOTO: croatiaweek.com

Madhësia e shkronjave

Qeveria kroate akuzoi presidentin se gënjen për ndihmën ndaj Ukrainës

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, po përhap qëllimisht narrativa të rreme për përfshirjen e Kroacisë në luftën në Ukrainë. Në këtë mënyrë, ai izolon dhe dobëson ushtrinë kroate, si dhe pengon zhvillimin e saj, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, raporton hina.hr.

Më herët, Milanoviq kritikoi me shkrim kryeministrin Andrej Plenkoviq, pasi ky i fundit kishte shprehur para parlamentit shqetësimin se Kroacia nuk merr pjesë në misionin e NATO-s për ofrimin e ndihmës në fushën e sigurisë dhe trajnimit për Ukrainën (NSATU), si dhe në misionin e BE-së për ndihmë ushtarake në mbështetje të Ukrainës (EUMAM). Plenkoviq fajësoi për këtë Milanoviqin dhe opozitën e majtë.

Anushiq thekson se këto ndalime e privojnë ushtrinë kroate nga shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me ushtarakët ukrainas, të cilët, sipas ministrit, pas pesë vitesh mbrojtjeje kundër agresionit rus, janë më të trajnuarit dhe më me përvojë në botë.

Një kamion që lëviz në njërën prej rrugëve alternative

Një kamion që lëviz në njërën prej rrugëve alternative

FOTO: evropaelire.org

Kufiri mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon të jetë një zonë e pakontrolluar e kontrabandës

Mbi 60 rrugë ilegale mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të kalueshme edhe pas sulmit të paraushtarakëve serbë në fshatin Banska të Kosovës, në vitin 2023. Ato përdoren për kontrabandimin e mallrave, tregon një analizë e evropaelire.org.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhjetëra rrugë alternative në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë të jenë të kalueshme edhe sot. Nëpërmjet tyre kontrabandohen ilegalisht materiale ndërtimi, ushqime, pije, fruta, perime, mish, cigare, veshje, bizhuteri, parfume, pajisje elektrike dhe produkte farmaceutike, duke anashkaluar pikat zyrtare kufitare dhe pagesën e taksave doganore.

Eksperti Mentor Vrajolli deklaron për rferl.org/Kosovo se ulja afatgjatë e rreziqeve që paraqesin rrugët ilegale në veriun e Kosovës lidhet drejtpërdrejt edhe me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: ziare.com

Rumania do ta përfundojë vitin 2026 me 200 km autostrada dhe rrugë të shpejta të reja

Gjatë këtij viti, në Rumani do të vihen në shfrytëzim afro 200 km autostrada dhe rrugë të shpejta, njoftoi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ovidiu Popa, cituar nga ziare.com. Do të happen për qarkullim 10 km të autostradës A0, e cila është unaza e jashtme e autostradës së kryeqytetit. Nga gjithsej 100,8 km të autostradës A0, deri më tani janë hapur 83 km. Është planifikuar gjithashtu hapja e 56 km të autostradës A3 – „Transilvania”, e cila lidh Bukureshtin me kufirin hungarez në Borș, përmes qyteteve Ploiești dhe Oradea. Parashikohet edhe lidhja e qyteteve Bacău dhe Pașcani me 49 km të autostradës A7 – „Moldova”, e cila përfundon në kufirin rumuno-moldav. Në planet për këtë vit është përfshirë edhe rruga e shpejtë Brăila–Galați, në pjesën juglindore të vendit, njoftoi ministri.

Aktualisht, Rumania disponon 1.487 km autostrada dhe rrugë të shpejta.

Anija kërkimore „Abeille Marengo”

Anija kërkimore „Abeille Marengo”

FOTO: ekathimerini.com

Greqia dhe Turqia rifillojnë mosmarrëveshjet për zonën ekonomike në Detin Mesdhe

Greqia e hodhi poshtë si „të pavlefshëm dhe pa efekt juridik” një njoftim navigacioni NAVTEX nga Turqia, i cili autorizonte anijen franceze Abeille Marengo të kryente studime të shtratit detar në hapësirën mes Qipros dhe ishullit të Kretës. Anija do të studiojë itinerarin për „Interkonektorin e Madh Detar”, i cili do të lidhë sistemet energjetike të BE-së dhe Izraelit, njoftoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Në kundërpërgjigjen e saj NAVTEX, Greqia deklaroi se koordinatat e përcaktuara në njoftimin turk përfshihen në zonën e saj ekskluzive ekonomike.

Athina dhe Ankaraja kanë mosmarrëveshje lidhur me juridiksionin në Detin Mesdhe. Sipas Turqisë, ishujt grekë nuk krijojnë të drejtë për një zonë ekskluzive ekonomike. Ankaraja pretendon të drejta mbi hapësira detare deri në shelfin kontinental të Egjiptit dhe Libisë. Ndërkaq, sipas Greqisë, në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, ishujt e saj i japin asaj të drejtën për një zonë ekskluzive ekonomike që shtrihet deri në brigjet turke.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: giz.de

Shqipëria po i rigjallëron kullat e vjetra të banimit për turizëm

Në Shqipëri ka nisur një projekt turistik për restaurimin e kullave tradicionale prej guri dhe shndërrimin e tyre në bujtina. Vendi synon të tërheqë udhëtarë drejt zonave të largëta rurale, të cilat në masë të madhe nuk janë prekur nga turizmi masiv, duke ruajtur njëkohësisht traditat e lashta të mikpritjes, raporton theguardian.com.

Itinerari, i hartuar nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit, njihet me emrin „Rruga e Kullave”. Ai kalon nëpër rajone më pak të njohura të Shqipërisë verilindore, si Mirdita, Mati, Bulqiza dhe Dibra. Rruga e ecjes, e gjatë 160 km, përshkohet me udhërrëfyes për nëntë ditë dhe përfshin fshatra tradicionale, rrafshnalta malore, pyje dhe lugina lumenjsh. Planet përfshijnë gjithashtu zhvillimin e itinerareve për çiklistët dhe organizimin e ekskursioneve me automjete fuoristradë (4x4).


Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski