Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Përgjatë shinave të historisë: Si lindi hekurudha e parë bullgare
Para 160 vjetësh u ndërtua linja Ruse – Varna
Dielë 15 Nëntor 2026 14:00
Dielë, 15 Nëntor 2026, 14:00
FOTO: Muzeu i Transportit në Ruse
Madhësia e shkronjave
Ideja për ndërtimin e linjave hekurudhore në Ballkan lindi gjatë Luftës së Krimesë (1852–1856). Një nga bazat kryesore të furnizimit të aleatëve perëndimorë, të cilët luftonin kundër Rusisë, ishte porti i Varnës. Ngarkesat kryesore mbërrinin atje përmes Danubit, nga Evropa Qendrore. Fillimisht, sipërmarrësit parashikonin hapjen e kanaleve të lundrueshme nga Ruse deri në Varna dhe nga Çernavoda deri në Kostancë. Por një ngjarje vendimtare gjatë Luftës së Krimesë i ndryshoi të gjitha planet.
Trupat ruse të rrethuara në qytetin e Sevastopolit po vuanin nga uria dhe kishin mungesë municionesh. Megjithatë, karvanët rusë të furnizimit, të grumbulluar në pjesën veriore të gadishullit, nuk arrinin të përshkonin rrugët për shkak të baltës. Të njëjtin fat kishin edhe trupat që i mbanin të rrethuar. Anijet e tyre ishin të mbushura plot me ushqime dhe armë, por as ato nuk mund të transportonin furnizimet nga bregu deri në pozicionet e francezëve, anglezëve, turqve dhe piemontezëve. Në fund të fundit, fati i betejës dhe më pas i luftës u vendos nga ndërtimi i një linje hekurudhore prej disa kilometrash. Trupat rrethuese morën gjithçka që u nevojitej për fitoren dhe Rusia kapitulloi.
Në vend të kanaleve të lundrueshme, të cilat gjatë muajve të verës do të vuanin nga mungesa e ujit, ndërsa në dimër do të ngrinin, sulltani lëshoi në vitin 1857 koncesionin për ndërtimin e linjave Çernavoda – Kostancë dhe Ruse – Varna. Linja e parë do t'i shërbente tregtisë në Danubin e Poshtëm, Besarabi dhe Galaç, ndërsa e dyta do të shkurtonte me disa ditë udhëtimin ndërmjet Londrës dhe Stambollit.
Stacioni hekurudhor në Ruse pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878
FOTO: Muzeu i Transportit në Ruse
Më 4 tetor 1860 u vu në shfrytëzim linja e parë hekurudhore 64 kilometra e gjatë në trojet bullgare, Çernavoda – Kostancë, e cila sot ndodhet në Rumani. Kjo ishte gjithashtu hekurudha e parë e ndërtuar në territorin e Perandorisë Osmane të asaj kohe.
Për realizimin e linjës Ruse – Varna konkurronin kompanitë angleze dhe franceze. Madje, edhe tregtarët e Shumenit guxuan të kërkonin të drejtën për ndërtimin e linjës, por bullgarëve u ishte caktuar vetëm roli i fuqisë punëtore dhe i nënkontraktorëve për furnizimin me trungje druri dhe gurë. Të gjitha veglat dhe makineritë e nevojshme u importuan nga Anglia.
Lokomotiva më e vjetër në Bullgari dhe në Ballkan është një nga lokomotivat e importuara nga vëllezërit Berkeley për linjën hekurudhore Ruse – Varna
FOTO: Ivo Ivanov
Në vitin 1863, kompania angleze „William Gladstone dhe vëllezërit Berkeley”, e cila kishte ndërtuar tashmë linjën Çernavoda – Kostancë, nën emrin „Kompania Hekurudhore Ruse – Varna”, mori të drejtën për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hekurudhës për një periudhë prej 99 vjetësh. Më 21 maj 1864 u hodh gurthemeli i ndërtimit në Ruse. Dy vjet më vonë, linja ishte ndërtuar në pjesën më të madhe të saj, por disa segmente ende nuk kishin përfunduar. Guvernatori i Vilajetit të Danubit, Ahmet Mithat Pasha, i konsideruar si reformator, nxitoi t'i raportonte sulltan Abdyl Azizit për përfundimin e projektit. Kështu, më 7 nëntor 1866, ai udhëtoi me tren nga Ruse në Varna, pa pasur nevojë të kalonte në kalë apo në karrocë, dhe e shpalli linjën të hapur. Megjithatë, pas kësaj, disa segmente të itinerarit prej 224 kilometrash u përfunduan në një fazë të mëvonshme.
Peroni i stacionit të vjetër hekurudhor në Ruse, nga ku u nis treni i parë në linjën Ruse – Varna në vitin 1866
FOTO: Ivo Ivanov
Inxhinierët anglezë, të udhëhequr vetëm nga interesat e kompanisë, i ndërtuan shinat në vijë të drejtë, me pak ura, kthesa minimale dhe sa më pak punime gërmimi. Si rezultat, edhe qyteti strategjik i Shumenit mbeti 20 kilometra larg linjës hekurudhore, në zonën e Kaspiçanit.
Në vitin 1873, koncesioni i linjës iu transferua nga qeveria osmane shoqërisë „Hekurudhat Orientale” (Chemins de fer Orientaux), në pronësi të baronit austro-hungarez Moritz von Hirsch. Porta e Lartë vazhdonte t'i detyrohej kompanisë britanike afro 2 milionë paund. Pas Çlirimit të Bullgarisë (1878), në bazë të Traktatit të Berlinit, Principata e Bullgarisë mori përsipër edhe këtë borxh Osman. Pas negociatave të ndërlikuara, në vitin 1888 britanikët morën nga Bullgaria një kompensim prej 44.500.000 levash ari. Shuma ishte katër herë më e lartë se vlera reale e hekurudhës. Në atë kohë, buxheti vjetor i shtetit ishte 42 milionë leva. Për të shlyer borxhin, Bullgaria mori kredinë e saj të parë nga Anglia dhe, së bashku me interesat, gjatë viteve pagoi mbi 52 milionë leva ari.
Në stacionin hekurudhor të Ruses, udhëtarët kalonin nga anijet që lundronin në Danub në trenat drejt Varnës, dhe prej andej vazhdonin përsëri me anije drejt Stambollit
FOTO: Ivo Ivanov
Por atëherë paratë nuk ishin gjëja më e rëndësishme. Linja e parë hekurudhore në Angli, nga Liverpuli në Mançester, u ndërtua në vitin 1825. Në Francë, treni filloi të qarkullonte në vitin 1832, ndërsa në Gjermani në vitin 1835. Në mesin e shekullit XIX, në Evropë kishte mbi 23.000 kilometra linja hekurudhore. Pas çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, nga 1.100 kilometrat e linjave hekurudhore që kishte Perandoria Osmane, 1.000 kilometra mbetën në Principatën e Bullgarisë dhe në Rumelinë Lindore. Në atë kohë, hekurudha jo vetëm që lidhte Evropën me Orientin dhe lehtësonte tregtinë, por sillte gjithashtu qytetërim dhe modernizim. Nuk është rastësi që shumë prej revolucionarëve dhe luftëtarëve bullgarë për liri kishin qenë punonjës të hekurudhave ose kishin punuar në ndërtimin e tyre.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski