Njihuni me dirigjentin dhe violinistin e famshëm Druzheljub Janakiev

"Bullgarizmi i vërtetë është i qetë dhe i thellë"

Shtunë, 14 Nëntor 2026, 14:10

Druzheljub Janakiev

Druzheljub Janakiev

FOTO: droujelubyanakiew.com

Madhësia e shkronjave

Një bullgar i talentuar, me emrin e rrallë Druzheljub, është nderuar me një çmim prestigjioz për kontributin e tij në jetën kulturore në Bern. Më 17 nëntor 2026, në teatrin Nebia, në qytetin Biel/Bienne, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e ndarjes së Çmimeve Muzikore të Kantonit të Bernës. Këto çmime, me vlerë prej 15 000 frangash zvicerane, jepen me propozim të Komisionit Kantonal të Muzikës dhe u dedikohen profesionistëve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën muzikore të rajonit. Druzheljub Janakiev është dirigjent dhe violinist, i njohur në Evropë për projektet e tij inovative, të cilat ndërthurin stile dhe breza të ndryshëm muzikorë. Çmimi i vitit 2026 është një vlerësim për punën e tij në pasurimin e skenës muzikore zvicerane, përmes ndërthurjes së muzikës klasike me zhanre të njohura bashkëkohore dhe forma të tjera të artit.

Njihuni me dirigjentin dhe violinistin e famshëm Druzheljub Janakiev

FOTO: droujelubyanakiew.com

Druzheljubi ka lindur në Sofje, në një familje muzikantësh. Ai përfundoi shkollën e muzikës në kryeqytet dhe u pranua në Akademinë e Muzikës, në degën e violinës. Më pas iu dha mundësia të vazhdonte studimet në Zvicër dhe, në mesin e viteve 1990, u shpërngul në Bern. Ai përfundoi studimet në Hochschule für Musik und Theater Bern, ku mori dy diploma në violinë – për interpretim koncertor dhe solistik. Ndërsa në Universitetin e Arteve të Cyrihut (Zürcher Hochschule der Künste) u diplomua me rezultate të shkëlqyera si dirigjent simfonik dhe operistik, në klasën e profesorit të njohur Johannes Schlaefli. Janakiev dirigjon kryesisht në Zvicër dhe Gjermani. Ai ka bashkëpunuar me formacione të rëndësishme simfonike dhe kamertale nga Berni, Bazeli, Cyrihu dhe Gjeneva. Që nga viti 2008 është dirigjent dhe drejtues kryesor artistik i orkestrës simfonike Variaton Projektorchester në Bern. Ai ka bashkëpunuar me muzikantë të njohur zviceranë të xhazit dhe rokut, si dhe me “kavallistin e botës”, Teodosij Spasov. Një veçori e Druzheljub Janakievit është ndërthurja e roleve të dirigjentit dhe violinistit gjatë koncerteve. Krijimi i ideve të reja muzikore dhe i formave jokonvencionale të interpretimit përbën një nga drejtimet kryesore të rrugëtimit të tij artistik.

Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, Druzheljubi prezanton në detaje formacionet muzikore me të cilat bashkëpunon. Nga katër orkestrat që drejton, më i rëndësishmi për të është Variaton Projektorchester në Bern – një formacion i madh simfonik, ku interpretojnë si muzikantë profesionistë, ashtu edhe studentë dhe amatorë të nivelit të lartë. Projekti u krijua me synimin për të eksperimentuar me formate të reja dhe mënyra të ndryshme të prezantimit dhe ndërthurjes së muzikës klasike.

"Çdo projekt është një lloj ndërthurjeje e arteve të ndryshme dhe stileve të ndryshme muzikore. Punojmë me të gjitha format e mundshme të artit. Projekti i fundit përfshinte dizajn ndriçimi dhe projeksione vizuale. Në përgjithësi, më pëlqen shumë të ndërthur gjëra të ndryshme – më pëlqejnë artet e larmishme dhe dëshiroj t’i kombinoj, të eksperimentoj me to. Ndonjëherë ndihem si një kuzhinier që kërkon të zbulojë receta të reja."

Njihuni me dirigjentin dhe violinistin e famshëm Druzheljub Janakiev

FOTO: droujelubyanakiew.com

Disa nga projektet e Druzheljubit mund të duken mjaft ekscentrike – si, për shembull, ndërthurja e një grupi roku me simfonitë e Mahlerit. Por ai këmbëngul se nuk synon të krijojë një efekt të tillë: "Nuk është aspak qëllimi im të jem ekscentrik. Nuk i bëj këto gjëra për të tërhequr vëmendjen dhe për të treguar se jam ndryshe nga të tjerët. Thjesht më intereson vetë ndërthurja."

Njihuni me dirigjentin dhe violinistin e famshëm Druzheljub Janakiev

FOTO: droujelubyanakiew.com

Ndër mentorët më të rëndësishëm në jetën e tij, Janakiev veçon mësuesin e tij të violinës, muzikantin e shquar bullgar Josif Radionov, pedagogun e njohur dhe koncertmaestron për shumë vite të Filarmonisë së Sofjes. Ai e mori Druzheljubin në klasën e tij që kur ishte ende nxënës në shkollën e muzikës dhe vazhdoi ta udhëhiqte edhe gjatë studimeve në Akademinë e Muzikës në Sofje. "Ai nuk është thjesht mësues, por një personalitet që më ka formuar si muzikant dhe si njeri. Një tjetër pedagog shumë i rëndësishëm për mua ishte Vencisllav Nikollov – violonçelist, muzikant i muzikës së dhomës dhe dirigjent. Në fakt, falë tij arrita të vija në Zvicër." Përveç këtyre dy muzikantëve të mëdhenj, mësuesve të tij nga Bullgaria, Janakiev flet edhe për Johannes Schlaefli-n. Ai jep mësim në Evropë dhe Amerikë, si dhe vjen shpesh në Bullgari për të zhvilluar kurse dirigjimi. "Për mua ai është një nga mësuesit më të rëndësishëm, sepse kam studiuar me të për tetë vjet."

A ka qenë e vështirë për bullgarin të qëndronte dhe të ndërtonte jetën e karrierën e tij në Zvicër?

"Kur erdha në Zvicër, situata politike ishte krejt ndryshe. Në atë kohë, Bullgaria ende nuk ishte pjesë e Bashkimit Evropian. Vështirësitë ishin kryesisht të natyrës organizative dhe administrative, por këto janë probleme që mund të zgjidhen. Mund të them se, veçanërisht në Zvicër, fakti që vij nga Bullgaria më ka ndihmuar shumë në karrierën time si muzikant. Në ato kohë, të gjithë thoshin: “Oh, bullgarë në Evropë! Punëtorë emigrantë, vjedhin… kriminelë!…” Në Zvicër nuk kishte një perceptim të tillë. Mendoj se këta punëtorë emigrantë ishin më tepër në Gjermani dhe Austri. Kështu që, në Zvicër, pothuajse nuk kam pasur përvoja negative. Zviceranët e dinë mirë se çfarë bëjnë: prodhojnë orë, kanë banka dhe çokollata. Gjithçka që lidhet me shkencat ekzakte, disiplinën dhe cilësinë, e zotërojnë shumë mirë. Por ata vetë nuk e konsiderojnë veten si një popull që i ka dhënë shumë artit – dhe kjo është e vërtetë…

Më kujtohet se kur mbërrita në Zvicër, më thoshin: “Ah, qenka bullgar. Epo, atje janë muzikantët, prej andej vijnë!”"

Njihuni me dirigjentin dhe violinistin e famshëm Druzheljub Janakiev

FOTO: droujelubyanakiew.com

Në fund të bisedës, e pyes muzikantin me emrin e bukur dhe miqësor nëse ka ndonjë urim plot dashamirësi për të gjithë bullgarët, në atdhe dhe në mbarë botën.

"Ajo që mund të them, nga përvoja ime e komunikimit me bullgarët në mbarë botën, është se vjen një moment kur njeriu ndien një thellësi shpirtërore. Ne, duam apo nuk duam, e mbartim me vete këtë histori mijëravjeçare. Por, sipas mendimit tim, kjo nuk është aspak një arsye për t’u krenuar, por më tepër një arsye për të qenë të lumtur dhe mirënjohës. Në ditët e sotme vërej shumë njerëz që e përdorin bullgarizmin për qëllime të tjera. Por ky nuk është bullgarizmi që unë e konsideroj të vërtetë. Bullgarizmi i vërtetë është i qetë dhe i thellë. Nëse arrijmë ta ndiejmë, t’i drejtohemi atij, pa u mburrur, por thjesht duke e ditur se e kemi brenda vetes dhe duke qenë të lumtur që jemi bullgarë. Ndoshta këtë e kam mësuar në Zvicër: njeriu duhet ta pranojë veten, ta respektojë veten dhe thjesht të jetë i lumtur që ekziston. Kjo është tashmë jashtëzakonisht shumë. Dhe, sigurisht, mbi të gjitha duhet të kujdesemi për shpirtin. Sepse trupi vjen dhe ikën. Shpirti është diçka që mbetet. Dhe ne kemi mundësinë, për sa kohë jemi gjallë, ta kultivojmë, ta përdorim dhe të gëzojmë prej tij."

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello