SHOQËRI

Seksion

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

Dielë, 15 Nëntor 2026, 12:30

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Madhësia e shkronjave

Gjithnjë e më shumë bullgarë që jetojnë jashtë vendit po kthehen ose po mendojnë të kthehen në atdhe. Mes tyre ka shpesh edhe fëmijë të bashkatdhetarëve tanë, të cilët kanë lindur dhe janë rritur jashtë kufijve të Bullgarisë, por i ndiejnë shumë fort rrënjët e tyre bullgare dhe i konsiderojnë ato si një dhuratë që dëshirojnë ta shpalosin para botës. Një fenomen i tillë i përbashkët shoqëror kuptohet gjithmonë më lehtë përmes një historie personale dhe të sinqertë. Prandaj, në studion e Radio Bullgarisë ftuam dy motra, të cilat ndanë me ne rrugëtimin e tyre drejt kthimit në një vend me të cilin u lidhën shpirtërisht, edhe pse ndodheshin në anën tjetër të një oqeani të tërë.

Ato janë Katerina dhe Anna-Maria Andreevi. Historia e tyre nis që përpara se të vinin në jetë. Në vitin 1993, prindërit e tyre u nisën drejt Minesotës (SHBA) për një trajnim gjashtëmujor në një kolegj biblik në Amerikën e Veriut. “Vendimi i tyre ishte spontan dhe nuk kishin ndërmend të qëndronin atje”, na tregon Katerina. Por më pas erdhi lajmi se ajo do të vinte në jetë dhe, pas shumë diskutimesh, familja mori vendimin e vështirë për të qëndruar në vendin e mundësive të pakufizuara, në emër të së ardhmes së fëmijëve dhe të një jete më të mirë për të gjithë. Në vitet që pasuan, në Minesota mbërritën edhe gjyshërit e tyre, si dhe të afërm të tjerë, dhe ndjesia e shtëpisë dhe e një familjeje të plotë u zhvendos në tokën amerikane.

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Vesella Krësteva

Sot, Katerina, më e madhja nga dy motrat, pranon se ka lindur si “emigrante”, pa e zgjedhur vetë këtë gjë. Një vetëdije me të cilën identifikohen gjithnjë e më shumë bullgarë që ndajnë të njëjtin fat me të.

Katerina pranon se nuk ka pasur vështirësi gjatë fëmijërisë në Amerikë për shkak të origjinës dhe rrënjëve të saj. “Mendoj se kjo më krijoi pritshmëri të ndryshme për miqësinë dhe marrëdhëniet mes njerëzve”, pranon vajza e re.

Katerina Andreeva

Katerina Andreeva

FOTO: YouTube / Back2Bulgaria podcast

“E vetmja gjë ishte se askush nuk kishte një histori si e imja, por kjo ndryshoi kur u shpërngulëm në Hjuston, në shtetin e Teksasit. Atje të gjithë ishin si unë – emigrantë të gjeneratës së parë ose të dytë”, kujton ajo.

Familja e dy motrave u vendos në këtë shtet jugor kur vajzat tashmë ishin nxënëse shkolle. Ky mjedis i ri dhe multikulturor i shndërroi ato në kozmopolite të vërteta, pa pasur nevojë as të udhëtonin.

“Në Hjuston jetonim në një zonë ku fliteshin 62 gjuhë të ndryshme. Kjo do të thoshte se shkollat tona ishin plot me njerëz nga prejardhje të ndryshme dhe kjo ishte një pasuri për ne”, na tregon Anna-Marija.

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Dy motrat kujtojnë interesimin me të cilin miqtë e tyre dëgjonin për atdheun e nënës dhe babait të tyre. “Pak prej tyre e dinin se ku ndodhej Bullgaria dhe shpesh e ngatërronin me Bolivinë, por sapo fillonim t’u tregonim për të, ata shfaqnin interes dhe dëshironin të mësonin më shumë për kulturën tonë dhe për atë se çfarë përfaqësonte në të vërtetë vendi ynë”, kujton Katerina. “Sepse ti je ndoshta i vetmi bullgar që ata njohin dhe gjithçka që mendojnë për Bullgarinë lidhet me ty.”

Komuniteti bullgar në Teksas është i bashkuar dhe relativisht i madh, na tregojnë dy vajzat. Familja e tyre ka qenë gjithmonë shumë aktive në këtë komunitet. Tashmë në Hjuston ekziston edhe një shkollë bullgare, e cila ofron mësime të gjuhës bullgare edhe për të rriturit. Sipas Katerinës, interesimi për këto kurse është i madh edhe nga ana e të huajve që jetojnë atje.

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Facebook /Facebook RiKthim në Bullgari

Rikthimi

Një jetë e mirëorganizuar, e larmishme dhe interesante – kështu mund ta përshkruajmë jetën që prindërit e dy vajzave kishin ndërtuar përtej Oqeanit. Megjithatë, që në moshën 16-vjeçare, Katerina filloi të ëndërronte për një jetë në Evropë dhe për një afërsi më të madhe fizike me Bullgarinë.

„Kjo ndodhi më shumë për shkak të pamjes së përgjithshme që fillova të krijoja – çfarë po ndodhte në SHBA, çfarë bisedash zhvilloja me njerëzit përreth meje dhe mënyrën e jetesës që ata kishin atje. Besoja se në Evropë do të kisha një mënyrë jetese më të ekuilibruar, sepse njerëzit i japin përparësi kohës së lirë dhe aktiviteteve të tjera jashtë punës. Njerëzit përreth meje nuk kishin një mënyrë të tillë të menduari.“

Kur përfundoi shkollën e mesme, Katerina e dinte tashmë se nuk dëshironte të paguante tarifat e larta të universiteteve amerikane dhe se donte të studionte dhe të jetonte në Evropë. „Nëna e saj i përmendi Universitetin e Lirë të Burgasit dhe programet studimore që ofronte në gjuhën angleze. Kështu, Katerina filloi studimet në degën e Ekonomisë, ndërsa viti i parë e bindi se Bullgaria ishte pikërisht vendi i saj.“

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Facebook /Katherina Andreeva

„U afrova shumë me kolegët e mi në universitet dhe kjo më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Njerëzit ishin komunikues dhe i ndanin gjërat me njëri-tjetrin. Qyteti ishte shumë i bukur, deti ishte i mrekullueshëm. Unë isha vetëm 19 vjeçe dhe, në përgjithësi, përvoja ime ishte shumë e bukur – shihja se Bullgaria kishte shumë potencial, se gjëra po ndodhnin dhe se doja, në njëfarë mënyre, të isha pjesë e kësaj.“

Megjithatë, për shkak të rrethanave, ajo i përfundoi studimet në Holandë dhe filloi të kërkonte punë. Doli se mungesa e përvojës profesionale e bënte pothuajse të pamundur gjetjen e një pune në Bullgari, ndaj ajo gjeti shumë shpejt një pozicion të përshtatshëm në mjedisin e bizneseve startup në vendin e tulipanëve. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, zemra e saj ishte e drejtuar nga lindja – drejt vendit ku, gradualisht, po ktheheshin njerëzit më të afërt të saj, duke filluar nga gjyshërit e saj, të cilët po largoheshin nga SHBA-ja.

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Pas përvojës profesionale që fitoi ndër vite, ajo arriti të gjente një punë që i mundësonte të jetonte në Sofje dhe u kthye në shtëpi, ku e priste motra e saj më e vogël, Anna-Marija, për të cilën rruga drejt Bullgarisë ishte tashmë e hapur.

Pas diplomimit nga universiteti, Anna-Marija Andreeva gjeti një praktikë profesionale në një kompani bullgare dhe u kthye në Bullgari. Pjesa tjetër është histori, si dhe ideja për krijimin e një komuniteti të bullgarëve me një histori jetësore të ngjashme me të tyren, të cilin e quajtën „RiKthim në Bullgari“ Pas pandemisë, në vitin 2023, të dyja motrat u vendosën në kryeqytetin e Bullgarisë dhe u përpoqën të tregojnë potencialin e vendit ku kanë gjetur veten dhe ku dëshirojnë të hedhin rrënjë.

Anna-Marija, Katerina dhe rikthimi i tyre

FOTO: RiKthim në Bullgari

„Për mua, përgjigjja e pyetjes ‘Pse Bullgaria?’ është se më pëlqen natyra këtu, njerëzit më duken të këndshëm dhe ndiej se këtu ka potencial për zhvillim dhe se edhe unë mund të jem pjesë e këtij zhvillimi“, përmbledh sot Katerina Andreeva.

„Përparësia e Bullgarisë në këtë moment është se ka shumë fusha që ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Ka hapësirë për të krijuar, për të provuar dhe për të eksperimentuar. Potenciali është këtu, thjesht duhet të guxosh të provosh“, shton me bindje Anna-Marija Andreeva.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello