Lajm
Kryeministri theksoi se vlerësimi i kreditit të Bullgarisë nuk është ulur
Hënë 16 Nëntor 2026 10:22
Hënë, 16 Nëntor 2026, 10:22
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Ky është buxheti me përmbajtjen më të fortë sociale të viteve të fundit, i hartuar në kushtet e një deficiti të lartë”, deklaroi kryeministri bullgar Rumen Radev në fillim të mbledhjes së qeverisë, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2027, me të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara. “Ne nuk do të lejojmë që të na vihet etiketa e një qeverie që nuk tregon ndjeshmëri sociale”, u shpreh kryeministri. Radev u kërkoi falje nënave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe garantoi se fondet për ta nuk do të shkurtohen dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim në kushtet e përfitimit të mbështetjes, pavarësisht deficitit buxhetor.
Sipas tij, buxheti pasqyron përpjekjet e qeverisë për të gjetur një ekuilibër të vështirë mes objektivave që bien ndesh me njëri-tjetrin: frenimin e rritjes së shpejtë të shpenzimeve publike, uljen e deficitit dhe të borxhit, por njëkohësisht rritjen e të ardhurave dhe forcimin e mbështetjes sociale. Duke iu drejtuar ministrave, deputetëve të koalicionit “Bullgaria Progresive” dhe strukturave të tij në mbarë vendin, Radev tha: “Sot u japim fund justifikimeve me trashëgiminë e qeverive të mëparshme”.
Kryeministri theksoi se vlerësimi i kreditit të Bullgarisë nuk është ulur dhe mbetet në nivelin BBB+. “Parashikimet nuk flasin aspak për recesion. Përkundrazi, agjencia ‘Standard & Poor’s Global Ratings’ parashikon rritje ekonomike prej 2,8% për këtë vit dhe 2,6% për secilin nga tre vitet e ardhshme”, deklaroi Radev, cituar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Ai sqaroi se është ulur vetëm me një shkallë perspektiva e vlerësimit, por kjo nuk do të thotë se është përjashtuar mundësia e përmirësimit të saj. Ekonomia bullgare po shënon rritje të qëndrueshme dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët, tha më tej kryeministri. “Për tremujorin e tretë, Bullgaria renditet e pesta në të gjithë Bashkimin Evropian për sa i përket rritjes ekonomike. Gjithashtu, investimet e huaja direkte u dyfishuan në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, deklaroi Rumen Radev.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova