SHOQËRI

Artikull

Sa i zi është Black Friday në vendin tonë?

Moda ndërkombëtare e shitjeve përballet me skepticizmin vendas

Hënë, 16 Nëntor 2026, 17:20

Sa i zi është Black Friday në vendin tonë?

FOTO: Pexels

Madhësia e shkronjave

Është e vështirë t'u shpëtosh të gjitha reklamave për ofertat promocionale dhe uljet e çmimeve sapo vjen vjeshta. Ato janë kudo, të bashkuara nën sloganin e famshëm „Black Friday“. Bëhet fjalë për atë të premte të fundit të muajit nëntor, e cila tashmë ka fituar një popullaritet thuajse mitik dhe premton paraprakisht ulje të jashtëzakonshme të çmimeve të produkteve nëpër dyqane, pavarësisht nëse ato janë fizike apo online. A është kjo mundësia e shumëpritur për të bërë pazar, të cilën shumë njerëz e presin prej kohësh? Apo është një kurth tregtar që krijon më shumë zhurmë sesa përfitime reale për konsumatorët?

Mendimet për këto çështje në vendin tonë janë të ndryshme. Është fakt se Black Friday promovohet në Bullgari prej 12-13 vitesh dhe nuk ka traditën që ka fituar në vende të tjera të botës. Gjithashtu, në media janë diskutuar jo rrallë praktika të parregullta tregtare, të lidhura pikërisht me këtë ditë të vitit, siç është truku i tregtarëve për t'i rritur qëllimisht çmimet përpara kësaj date, në mënyrë që më pas të mund të reklamojnë ulje artificiale.

Sa i zi është Black Friday në vendin tonë?

FOTO: Pexels

Në një sondazh të realizuar nga Ajshe Latif për Radio Shumen, dallohen qartë disa nga perceptimet më të përhapura lidhur me këtë „festë“ të konsumatorëve. Ndër to është bindja se uljet e çmimeve nuk janë në të vërtetë aq të mëdha, por përfaqësojnë vetëm një përqindje minimale. Se, nëse ka vërtet ulje çmimesh, ato bëhen të mundura falë marzheve të mëdha të fitimit të vendosura paraprakisht. Ose se, thjesht, në treg ka „mallra pa cilësi“ që duhen shitur me çdo kusht.

„Flasin për 50%, por në të vërtetë përqindja e uljes është minimale. Jam skeptik“, thotë njëri prej të anketuarve, por nuk e fsheh se do të përfitonte nga ofertat. Ai i kontrollon me kujdes çmimet përpara dhe pas uljeve të shpallura.

„Në ditët e sotme është e vështirë t'u besosh tregtarëve. Duhet kontrolluar gjithçka!“, shton ai.

„Çmimet janë rritur aq shumë paraprakisht, saqë tregtarët të kenë mundësi t'i ulin më pas“, thotë një qytetare e Shumenit dhe ndan vëzhgimet e saj lidhur me ofertat në dyqanet online: „Promocione dhe ulje çmimesh ka vazhdimisht, edhe pse tani Black Friday është bërë më i përhapur. Në të vërtetë, ulja e çmimit është e përfshirë paraprakisht në çmimin fillestar.“

Sa i zi është Black Friday në vendin tonë?

FOTO: Pixabay

„Jo, nuk u besoj dhe nuk bëj blerje gjatë kësaj periudhe. Blej vetëm kur kam nevojë“, thotë një burrë i moshës së mesme, ndërsa një bashkëqytetare e tij shton: „Kam 30 vjet që punoj në tregti dhe e di shumë mirë se uljet bëhen vetëm nga marzhi i fitimit. Nuk mund të ketë ulje kaq të mëdha.“

Në përgjithësi, Black Friday duket mjaft i „zi“ në perceptimin e disa bullgarëve. Një çështje më vete është nëse dikush do të priste një vit të tërë për të blerë një produkt për të cilin ka vërtet nevojë. Po ashtu, a mund ta përcaktojmë realisht se cili është momenti më i përshtatshëm për të bërë një blerje, kur kohëzgjatja e promocioneve ndryshon dhe shumë shpesh i gjithë muaji nëntor shndërrohet në një Black Friday të zgjatur?

Sa i zi është Black Friday në vendin tonë?

FOTO: Reuters

Është një fakt i njohur se SHBA-ja është „vendlindja“ e kësaj feste konsumatore. E premtja pas Ditës së Falënderimeve, çdo nëntor, prej dekadash shkakton një gjallëri të jashtëzakonshme në blerje, ndërsa uljet e çmimeve të produkteve janë të ndjeshme. Megjithatë, vetë emërtimi i kësaj dite nuk ka të bëjë aspak me tregtinë. Në fillim të viteve 1960, policët në Filadelfia filluan ta quanin „Black Friday“ të premten pas Ditës së Falënderimeve, për shkak të trafikut të rënduar dhe bllokimeve të mëdha në rrugë. Një fakt edhe më interesant është se, edhe më herët, në vitin e largët 1951, e njëjta ditë ishte quajtur „e zezë“ në revistën Factory Management and Maintenance, për shkak të mungesës së motivimit të punëtorëve të fabrikave pas festës.

Megjithatë, motivimi për të bërë pazar nuk mungon kurrë. Mbetet të shohim nëse ofertat e tregtarëve janë në përputhje me realitetin ekonomik.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski