FOLKLOR

Seksion

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

Ljutvie Gençeva zbulon recetën e suksesit të një grupi të ri folklorik përtej kufijve të atdheut

Martë, 17 Nëntor 2026, 08:00

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

Madhësia e shkronjave

Të bësh prova të valleve tradicionale bullgare nga një distancë prej 1000 kilometrash tingëllon pothuajse e pamundur. Por për të rinjtë bullgarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Holandë, kjo është pjesë e përditshmërisë së tyre. Pavarësisht provimeve të maturës, provimeve universitare dhe kufijve gjeografikë, grupi i vallëzimit “Rinia në Shesh” arrin të rrëmbejë zemrat e publikut kudo që performon. Të rinjtë, të dashuruar pas valleve tradicionale bullgare, kanë marrë pjesë tashmë në koncerte në Londër, Arbanasi dhe Sofje. Së fundmi, ata ishin gjithashtu një nga momentet më të spikatura të koncertit festiv me rastin e 10-vjetorit të Shoqatës së Grupeve Folklorike Bullgare jashtë vendit.

“Rinia në Shesh” bashkon të rinj të moshës 15 deri në 25 vjeç, nga 19 grupe bullgare të vallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Holandë. Krijimi i këtij grupi ndodhi krejt rastësisht, si një shaka, kujton drejtuesja e tyre, Ljutvie Gençeva:

Ljutvie Gençeva

Ljutvie Gençeva

FOTO: Joan Kolev

“Pas përfundimit të festivalit folklorik "Në Sheshin e Bullgarisë Tjetër", në Lion, isha me të rinjtë në një stacion metroje, ku për 45 minuta po prisja që ata të ndaheshin dhe të merrnin secili rrugën e vet. Që t’i nxisja të largoheshim më shpejt, u thashë se vitin e ardhshëm do të përpiqesha të organizoja diçka që do të ishte një grup i përbashkët, i përbërë nga të rinj të të gjitha grupeve folklorike në Evropë, në mënyrë që ata të mund të takoheshin më shpesh dhe të mos i merrnin malli aq shumë për njëri-tjetrin. Ishin fjalë të thëna krejt spontanisht, por doli se të rinjtë nuk i kishin marrë si diçka të çastit. Ata qëndruan të vendosur në kërkesën e tyre dhe më nxitën të kërkoja mundësi që këto fjalë të bëheshin realitet.”

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

Pavarësisht angazhimeve të shumta të përditshmërisë, pasi shumë prej të rinjve janë nxënës dhe studentë, si dhe sfidës së distancës që i ndan, valltarët e rinj janë shumë të përgjegjshëm, na tregon znj. Gençeva. Disiplina në grup është në nivel shumë të lartë dhe kjo duket qartë nga rezultatet që ata prezantojnë para publikut. Vlerësimin e radhës të lartë për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, grupi e mori vetëm pak ditë më parë, madje nga drejtuesi i Ansamblit Përfaqësues të Këngëve dhe Valleve të Trupave të Ndërtimit. Ai i vuri re të rinjtë teksa interpretuan një përshëndetje përmes vallëzimit për një tjetër kolektiv folklorik të përbashkët, por këtë herë të përbërë nga të rriturit – “Gurbetchii” (Mërgimtarët), të cilët festuan njëvjetorin e krijimit të tyre. Gjatë këtij viti, ata kanë shkaktuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm me performancat e tyre skenike.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

“Ky person po i shihte për herë të parë dhe filloi të pyeste se kush ishin këta të rinj, si ishte e mundur që jetonin në shtete të ndryshme dhe, megjithatë, arrinin ta interpretonin vallen e tyre në një mënyrë të tillë. Është e vërtetë se për një koreograf të mirëfilltë kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar, por duket se funksionon”, tregon Ljutvie Gençeva. “Ndoshta njerëzit që kanë vullnetin dhe durimin për të ndërmarrë diçka të ngjashme, do të ishte mirë të përfitonin nga përvoja jonë dhe të krijonin grupe të tilla të përbashkëta dhe iniciativa të ngjashme. Puna në distancë me të rinjtë funksionon dhe për ta është një kënaqësi e jashtëzakonshme kur mblidhen së bashku. Pavarësisht tensionit dhe ngarkesës që kanë, ata arrijnë të ndërthurin të dobishmen me të këndshmen.”

Drejtuesja e tyre shpesh mendon nëse qasja e saj ndaj të rinjve është mjaftueshëm e mirë, nëse nuk është ndoshta tepër e rreptë me ta... Megjithatë, rezulton se ata frymëzohen nga gjithçka që bëjnë, ndërsa ajo ndihet e kënaqur që arrin të ruajë komunikimin me të rinjtë pa i kapërcyer kufijtë, duke qenë e vetëdijshme për dallimet mes brezave.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

“Vlerat dhe mënyra jonë e të menduarit janë disi më tradicionale se të tyret. Kërkesat e tyre ndaj gjërave ndryshojnë nga tonat dhe pikërisht këtu qëndron momenti kur ne mund t’u përcjellim disiplinën tonë, në mënyrë që ajo të bashkohet me mënyrën e tyre të të menduarit në një pikë të përbashkët dhe të krijohet ajo simbiozë mes nesh, të cilën e shfaqim në skenë. Guxoj të them se, kur ata ngjiten në skenë, arrijnë t’ua përcjellin emocionin që rrezatojnë të gjithë atyre që ndodhen në publik. Prandaj mendoj se pikërisht kjo është receta e suksesit të "Rinisë në Shesh" – ata rrezatojnë një energji të cilën dinë t’ia përcjellin publikut.”

Dëshmi për këtë janë duartrokitjet dhe entuziazmi që kanë ngjallur me performancat e tyre gjatë vitit, në Londër, Arbanasi dhe në dy koncertet e tyre në Sofje, më 31 tetor dhe 7 nëntor.

Nga data 28 dhjetor deri më 2 janar, grupin e pret një kamp dimëror në Bullgari, në shtëpizën malore "Shumnatica", në Borovec, njofton drejtuesja e tyre.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

Që nga shkurti e deri më sot, të rinjtë e "Rinisë në Shesh" kanë krijuar dhe vënë në skenë tashmë tri valle: vallen trake të njohur me emrin "Grozdana", "Vallen e Detit të Bardhë", të cilën e interpretuan së bashku me Ansamblin "Trakia" në koncertin e mbajtur në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK), në fund të tetorit, si dhe "Vallen e Vjetër të Shopëve", për të cilën vazhdojnë të punojnë që të jetë plotësisht gati për t’u prezantuar para publikut.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

Ljutvie Gençeva shpreh mirënjohje të veçantë për entuziazmin e valltarëve të rinj dhe prindërit e tyre mbështetës, por edhe për Shoqatën e Grupeve Folklorike Bullgare jashtë vendit, seminaret krijuese të së cilës prej pesë vitesh frymëzojnë drejtuesit e trupave bullgare të vallëzimit në mbarë botën.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

“Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare jashtë vendit është një element bashkues dhe një nga arsyet që ekziston edhe "Rinia në Shesh". Sepse, nëse nuk do të kisha marrë pjesë në takimin e parë, të dytin, të tretin, të katërtin dhe të pestin vit, nuk do të njihja asnjë nga kolegët, grupet e tyre dhe të rinjtë që vallëzojnë në to. E gjithë kjo i detyrohet miqësive që krijojmë këtu dhe prandaj largohem me shpirtin plot, gjë që më jep forcë deri në takimin tonë të ardhshëm të këtij lloji. Uroj që kjo Shoqatë të vazhdojë të ekzistojë edhe për shumë e shumë vite, në mënyrë që të vazhdojë të bashkojë njerëz si ne. Tani e bën këtë me ne, por kur të plakemi, shpresoj që të mbledhë edhe fëmijët tanë, si dhe të rinj të tjerë që dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht, sepse gjithçka që bëjmë kërkon shumë punë dhe net pa gjumë”, thotë Ljutvie Gençeva nga qyteti gjerman i Freiburgut. Në muajin tetor, për punën dhe përkushtimin e saj, ajo u nderua me titullin "Bullgarja e preferuar e publikut", akorduar nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit.

“Rinia në Shesh” – një shpërthim emocionesh dhe energjie folklorike

FOTO: Asen Velikov

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello