Përparimi drejt BE-së do të matet me rezultate konkrete

Vendet kandidate do të vlerësohen në bazë të reformave të zbatuara

Martë, 17 Nëntor 2026, 08:17

Përparimi drejt BE-së do të matet me rezultate konkrete

FOTO: Ministria e Punëve të Jashtme

Madhësia e shkronjave

Vullneti politik dhe mbështetja e gjerë e qytetarëve në vendet kandidate janë ndër kushtet kryesore për një proces të suksesshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë e theksoi ministrja e jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova, gjatë Forumit Vjetor të BE-së për Zgjerimin, që u mbajt në Bruksel. Forumi u organizua nga Komisioni Evropian, nën patronazhin e presidentes së tij, Ursula von der Leyen, me pjesëmarrjen edhe të komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, njoftoi Ministria e Jashtme e Bullgarisë. Sipas ministres Petrova, zgjerimi i BE-së sjell mundësi të reja si për vendet që synojnë anëtarësimin, ashtu edhe për shtetet anëtare. Këto mundësi lidhen me rritjen ekonomike, bashkëpunimin më të ngushtë dhe shkëmbimet më të shumta mes qytetarëve të vendeve të ndryshme. “Përparimi i secilit vend duhet të vlerësohet veçmas, në bazë të rezultateve konkrete dhe zbatimit të reformave të nevojshme”, theksoi ministrja e jashtme. Ajo kujtoi gjithashtu se perspektiva e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor mori një shtysë të re politike gjatë presidencës së parë bullgare të Këshillit të BE-së, në vitin 2018. Ministrja Petrova vuri në dukje se marrëdhëniet e mira me vendet fqinje, siguria dhe stabiliteti janë kushte të rëndësishme që vendet kandidate duhet të përmbushin për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova