Lajm
Parashikimi i motit për 18 nëntorin 2026
Në veriperëndim do të ketë reshje shiu, ndërsa temperaturat gjatë ditës do t’i afrohen vlerave pranverore
Martë 17 Nëntor 2026 18:43
Martë, 17 Nëntor 2026, 18:43
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Të mërkurën, temperaturat minimale do të lëvizin nga -7 deri në 12 gradë. Në Sofje pritet të jetë 7 gradë. Në orët e mëngjesit, në zonat fushore dhe ato të ulëta mes maleve do të ketë mjegull ose vranësira të ulëta, ndërsa në disa vende mund të bien reshje të lehta shiu. Mbi pjesën më të madhe të vendit do të mbizotërojnë vranësirat, ndërsa në disa zona fushore mjegulla do të vazhdojë deri në mesditë. Gjatë ditës, era nga jugu dhe jugperëndimi do të forcohet. Në disa zona të Bullgarisë Lindore dhe në veri të maleve do të fryjë erë e fortë. Reshje shiu priten kryesisht në gjysmën veriperëndimore të vendit. Në Bullgarinë Veriore do të ketë edhe shtrëngata me vetëtima dhe bubullima, ndërsa në disa zona të veçanta të veriperëndimit priten reshje të dendura. Temperaturat gjatë ditës do të rriten sërish. Maksimalet do të lëvizin nga 13 deri në 19 gradë, ndërsa në kryeqytet pritet të arrijnë rreth 16 gradë.
Në bregdetin e Detit të Zi, moti do të jetë kryesisht i vranët. Në orët e mëngjesit, sidomos përgjatë pjesës jugore të bregdetit, do të ketë mjegull dhe reshje të lehta shiu. Do të fryjë erë mesatare nga jugperëndimi. Temperaturat maksimale të ajrit do të jenë nga 15 deri në 18 gradë. Temperatura e ujit të detit do të jetë 14-15 gradë, ndërsa dallgët do të arrijnë forcën 2-3 ballë.
Në zonat malore do të mbizotërojnë vranësirat. Në masivet malore të Bullgarisë Perëndimore dhe përgjatë kreshtës së malit Stara Pllanina do të ketë reshje shiu, ndërsa në lartësitë mbi 1700 metra do të bjerë dëborë. Do të fryjë erë e fortë deri në stuhi nga perëndimi dhe jugperëndimi, ndërsa në majat më të larta të maleve era do të jetë nga veriperëndimi. Temperatura maksimale në lartësi 1200 metra mbi nivelin e detit do të jetë rreth 12 gradë, ndërsa në lartësi 2000 metra do të arrijë rreth 5 gradë.
Të enjten era do të fryjë sërish nga jugu dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten. Vranësirat do të jenë të ndryshueshme, ndërsa në disa zona priten reshje të lehta shiu.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova