Mërkurë, 18 Nëntor 2026, 08:00

E ardhmja e leximit është... në të shkuarën

FOTO: Pexels

Madhësia e shkronjave

Kufje me kabllo, gramafonë dhe pllaka gramafoni, aparate fotografike me film – të gjitha këto janë objekte që mendonim se i kishim lënë pas në të shkuarën. Gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, po u rikthehen këtyre “klasikëve”, në përpjekje për të ngadalësuar ritmin e përditshmërisë së vrullshme dhe për t’u shkëputur, qoftë edhe për pak kohë, nga një botë ku të gjithë janë të lidhur me të gjithë, kudo dhe në çdo moment.

Megjithatë, në mënyrë paradoksale, ndërsa të rinjtë po kërkojnë gjithnjë e më shpesh shpëtim nga ekranet në botën analoge, prirja në arsim është krejt e kundërta. Në vend të teksteve shkollore, nxënësit i mësojnë mësimet e tyre përmes tabletave dhe kompjuterëve. Pyetjet para dërrasës së zezë janë zëvendësuar me pyetjet para tabelës interaktive. Njohuritë tashmë nuk gjenden më mes kopertinave të librave, por në çantën digjitale. Dhe ky nuk duket të jetë një proces që ka përfunduar apo që do të përfundojë së shpejti.

E ardhmja e leximit është... në të shkuarën

FOTO: Danaja Krasimirova dhe Joana Avramova

Studiues të kulturës, studiues të letërsisë dhe specialistë të fushës së arsimit nga Norvegjia, Holanda, Greqia dhe Bullgaria u takuan në fund të tetorit në klubin “Peroto” në Sofje, me rastin e forumit “E ardhmja 2.0: Shkenca pas leximit”, për të diskutuar se cila është e ardhmja e leximit dhe nëse zhvillimi i arsimit duhet të vazhdojë në të njëjtin drejtim.

Ekipi i Radio Bullgarisë bisedoi për këtë temë me një nga lektorët e aktivitetit, prof. Anne Mangen nga Qendra Kombëtare për Arsimin dhe Kërkimin mbi Leximin në Universitetin e Stavangerit, Norvegji. Prof. Mangen trajtoi temën “Të lexosh kundër rrymës: leximi i thelluar në epokën e shpërqendrimit”.Pse është kaq i rëndësishëm leximi në letër, edhe në epokën digjitale?

prof. Anne Mangen

prof. Anne Mangen

FOTO: Danaja Krasimirova dhe Joana Avramova

“Sepse leximi në letër është gjithashtu baza për zhvillimin e aftësive të mira të leximit digjital. Aftësia për të lexuar tekste është thelbësore për të menduarit kritik, funksionet njohëse, imagjinatën dhe kreativitetin. Ndërsa aftësia për të lexuar tekste të gjata dhe lineare zhvillohet më së miri përmes leximit në letër.”

Prof. Mangen shpjegon se janë kryer eksperimente të shumta për të përcaktuar nëse leximi në letër është vërtet më i mirë apo nëse kjo është thjesht një mit. Shkencërisht është vërtetuar, thotë ajo, se kur lexojnë libra, revista apo gazeta të shtypura, njerëzit e kuptojnë më mirë përmbajtjen e tekstit.

E ardhmja e leximit është... në të shkuarën

FOTO: Pexels

“Për këtë jemi të sigurt falë eksperimenteve që krahasojnë perceptimin gjatë leximit në të dyja formatet. Në këto eksperimente, lexohet i njëjti tekst në letër dhe në ekran, dhe më pas krahasohet niveli i të kuptuarit të tij. Rezultatet janë të qarta – ekrani nuk favorizon përthithjen e thellë të asaj që lexohet.”

Leximi është një proces kompleks njohës, i cili nuk është i lindur gjenetikisht tek ne. Përvetësimi i tij kërkon përpjekje, e aq më shumë përpjekje nevojiten për të kaluar nga leximi mekanik te leximi me kuptim dhe depërtimi në domethënien e tekstit. E pyetur se çfarë vendi zënë librat audio në diskutimin për të ardhmen e leximit, prof. Mangen përgjigjet:

E ardhmja e leximit është... në të shkuarën

FOTO: Pexels

“Kur dëgjojmë një libër audio, po, mund ta ndalojmë ose ta ngadalësojmë regjistrimin, mund të kthehemi pas, por nuk e bëjmë këtë aq shpesh, sepse është më e vështirë për ne! Gjithashtu, ekziston një dallim i madh midis të pasurit të tekstit përpara syve – ai është statik, nuk zhduket dhe nuk lëviz – dhe thjesht dëgjimit të tij.”

Sa i përket prirjes retro mes të rinjve dhe, në veçanti, modës së leximit të librave fizikë, Anne Mangen shfaq njëfarë skepticizmi. Sipas saj, këto tendenca, ndonëse për t’u vlerësuar, nuk kanë një ndikim të ndjeshëm në panoramën e përgjithshme.“Besoj se kjo është pjesë e historisë së kulturës – shfaqja e lëvizjeve të tilla kundër rrymës”, thotë studiuesja.Çështja është se sa ndikim do të kenë ato në praktikat e leximit. Kjo sepse sot gara për vëmendjen dhe kohën tonë është më e ashpër se kurrë. Ky është paradoksi i madh i teknologjisë, veçanërisht i asaj digjitale. Premtimi është se falë saj do të jemi më efikasë, do të mund të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht dhe do të na mbetet më shumë kohë për argëtim. Por, nga ana tjetër, kurrë më parë nuk kemi qenë kaq të stresuar!

E ardhmja e leximit është... në të shkuarën

FOTO: Pixabay

Ndër mesazhet kryesore të forumit në Sofje ishte nevoja për të ruajtur leximin e thelluar si një mjet për zhvillimin e të menduarit kritik, imagjinatës dhe aftësisë për t’u përqendruar.

Duket se kthimi pas në kohë mund të jetë qasja e duhur ndaj leximit. Libra të shtypur, lexim i ngadaltë dhe një jetë analoge. Ato na mundësojnë të shtypim butonin “pauzë” në rrjedhën e pandërprerë të informacionit, të qëndrojmë për pak çaste vetëm me mendimet tona, të zhytemi në botën e autorit dhe t’i japim vetes kohë për të reflektuar mbi atë që kemi lexuar. Pikërisht këtu qëndron, në një masë të madhe, kënaqësia që të fal një libër i mirë.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello