LAJME

Lajm

Një tërmet në Rumani lëkundi Bullgarinë Verilindore

Mërkurë, 18 Nëntor 2026, 08:46

Një tërmet në Rumani lëkundi Bullgarinë Verilindore

FOTO: Instituti i Gjeofizikës, Gjeodezisë dhe Gjeografisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Madhësia e shkronjave


Një tërmet me magnitudë 5,7 është regjistruar në orën 02:48 të 18 nëntorit në zonën sizmike Vrança në Rumani, njoftoi Instituti Kombëtar i Gjeofizikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Epiqendra e tërmetit ndodhej 200 km nga Ruse, 280 km nga Pleveni, 290 km nga Varna dhe 400 km nga Sofja. Banorët e Ruses raportuan në rrjetet sociale se lëkundjet zgjatën nga 10 deri në 15 sekonda, ndërsa disa prej tyre morën edhe njoftime paralajmëruese në telefonat celularë.

Lëkundjet u ndjenë gjithashtu në Silistra, Varna, Dobriç dhe Veliko Tërnovo. Nuk ka të dhëna për të lënduar apo dëme materiale. Dëshmitarët raportojnë se janë lëkundur ndërtesat, llambadarët dhe objektet nëpër banesa, ndërsa tronditja është ndier më fort në katet e larta të godinave. Një nga arsyet që valët sizmike arritën në zona të largëta është thellësia e madhe e vatrës së tërmetit, 140 km, njofton BTA.

Zona e Vrançës është një nga rajonet më aktive sizmike në Evropë dhe njihet për tërmetet e thella që mund të ndihen në distanca të mëdha, përfshirë edhe territorin e Bullgarisë.

Nuk priten pasgoditje të forta, deklaroi për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT) docentja Pllamena Rajkova nga Instituti i Gjeofizikës, Gjeodezisë dhe Gjeografisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Sipas saj, për këtë zonë nuk është karakteristike një aktivitet i fortë pasgoditjesh, megjithëse në ditët e ardhshme nuk përjashtohen lëkundje më të dobëta me magnitudë 2,5-3 sipas shkallës Rihter.

Në orën 03:16 është regjistruar edhe një tërmet me magnitudë 3,7 në rajonin e Smoljanit(Bullgaria Jugore). Epiqendra e tij ndodhej 40 km nga Kërxhali, 50 km nga Plovdivi dhe 170 km nga Sofja.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva