Lajm
Aviacioni civil bullgar i mban avionët e tij në aeroporte jashtë vendit
Mërkurë 18 Nëntor 2026 09:46
Mërkurë, 18 Nëntor 2026, 09:46
Jovko Jocev
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
Rreth 90% e kapacitetit të kompanive ajrore bullgare është i bazuar në aeroporte jashtë Bullgarisë për shkak të fluksit të pamjaftueshëm turistik dhe mungesës së një partneri të përbashkët që të sigurojë shfrytëzim të mjaftueshëm të avionëve. Këtë e deklaroi kryetari i Shoqatës së Kompanive Ajrore Bullgare, Jovko Jocev, në konferencën “Turizmi dhe lidhshmëria e transportit”, të organizuar nga Bordi Kombëtar i Turizmit dhe Ministria e Turizmit.
Sipas tij, kompanitë ajrore bullgare disponojnë rreth 80 avionë të tipit “Boeing”, “Airbus” dhe “Embraer”. Ky kapacitet i tejkalon ndjeshëm mundësitë që kishte dikur kompania ajrore “Balkan”, por një pjesë e madhe e tij përdoret për fluturime jashtë Bullgarisë. Si shembull, Jocev përmendi Aeroportin e Prishtinës, ku aktualisht janë të bazuar 8-10 avionë bullgarë, të cilët do të qëndrojnë atje edhe gjatë dimrit. Sipas tij, një pjesë e turistëve që mbërrijnë në Varna dhe Burgas ka të ngjarë të transportohen pikërisht nga këto kompani, por nën logot e transportuesve dhe operatorëve turistikë të tjerë, njofton BTA.
Qytetet pa aeroporte do të zhduken gradualisht, sepse të rinjtë kërkojnë lidhshmëri dhe mundësi për të udhëtuar shpejt drejt destinacioneve evropiane dhe ndërkombëtare. Këtë e deklaroi në forum kryetari i Shoqatës së Industrisë Aeronautike Bullgare, Todor Ivanzhikov.
Sipas tij, duhet të punohet për ringjalljen dhe zhvillimin e aeroporteve të vogla, si ato në Gorna Orjahovica, Ruse, Stara Zagora dhe Sliven. Ai shprehu gjithashtu shpresën që të realizohet ideja për ndërtimin e një aeroporti në rajonin e Banskos.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #turizëm
- #fluturime
- #konferencë
- #avionë
- #aeroporte
- #Bordi Kombëtar i Turizmit
- #Ministria e Turizmit
- #aviacion civil
- #aeroporte jashtë vendit
- #kompani ajrore bullgare
- #Shoqata e Kompanive Ajrore Bullgare
- #Jovko Jocev
- #Aeroporti i Prishtinës
- #fluturime jashtë Bullgarisë
- #konferenca "Turizmi dhe lidhshmëria e transportit"
- #avion "Boeing"
- #avion "Airbus"
- #avion "Emraer"