Lajm
Ndryshime në Ligjin për të Huajt
Bullgaria lehtëson punësimin e shtetasve jashtë BE-së
Rregullat e reja parashikojnë procedura më të shpejta punësimi dhe garanci shtesë kundër shfrytëzimit të punëtorëve
Mërkurë 18 Nëntor 2026 17:57
Mërkurë, 18 Nëntor 2026, 17:57
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Procedura më të shpejta për punësimin e punëtorëve nga vende jashtë Bashkimit Evropian, garanci të reja kundër shfrytëzimit në punë dhe afate më të shkurtra për pajisjen me dokumente identifikimi. Këto janë disa nga ndryshimet e miratuara përfundimisht nga Kuvendi Popullor i Bullgarisë në Ligjin për të Huajt, njofton televizioni Nova.
Sipas dispozitave të reja, procedura për marrjen e Lejes së Unifikuar të Qëndrimit dhe Punësimit duhet të përfundojë brenda dy muajve. Në rastet më të ndërlikuara, ky afat mund të zgjatet edhe me 30 ditë. Kjo leje do t'u lëshohet shtetasve të vendeve jashtë BE-së, të cilët plotësojnë kushtet ligjore për të punuar në Bullgari dhe disponojnë vizën ose lejen e nevojshme të qëndrimit.
Kur punëdhënësi i siguron strehim një punëtori sezonal, kushtet e punësimit dhe të strehimit duhet të përcaktohen detyrimisht në një kontratë me shkrim.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, nëse një punëtori të huaj i hiqet e drejta për të punuar në vend për shkak të fajit të punëdhënësit, ky i fundit do të jetë i detyruar t'i paguajë atij dëmshpërblim.
Punëtori i huaj mund ta mbajë Lejen e Unifikuar të Qëndrimit dhe Punësimit edhe në rast se mbetet pa punë, për një periudhë deri në tre muaj. Nëse e ka pasur këtë leje për më shumë se dy vjet, afati zgjatet deri në gjashtë muaj.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova