LAJME

Lajm

Në Ditën e Forcave Tokësore, Parlamenti miratoi shpenzime të reja për mbrojtjen

Enjte, 19 Nëntor 2026, 11:52

Në Ditën e Forcave Tokësore, Parlamenti miratoi shpenzime të reja për mbrojtjen

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Parlamenti bullgar miratoi blerjen e 57 obusëve francezë CAESAR dhe gjashtë sistemeve gjermane të mbrojtjes kundërajrore IRIS-T. Të dy vendimet u përfshinë jashtë radhe në rendin e ditës së Kuvendit.

Obusët vetëlëvizës do të blihen në bashkëpunim me Kroacinë, Estoninë dhe Francën, për një vlerë prej 686 milionë eurosh. Blerja do të financohet përmes mekanizmit evropian të kredive SAFE. Bullgaria iu bashkua kësaj marrëveshjeje më 8 janar 2025, së bashku me Portugalinë dhe Slloveninë. Artileria e re do të zëvendësojë plotësisht obusët vetëlëvizës sovjetikë të tipit „Gvozdika“, të cilët përdoren aktualisht nga ushtria bullgare dhe janë konsumuar plotësisht nga përdorimi shumëvjeçar. Ndërkaq, gjashtë sistemet raketore gjermane të mbrojtjes kundërajrore, të prodhuara nga kompania Diehl, do të kushtojnë gjithsej 1,106 miliardë euro. Pesë prej tyre, me vlerë 926 milionë euro, do të financohen gjithashtu përmes mekanizmit SAFE. Deri në mbërritjen e sistemeve të reja, Bullgaria do të vazhdojë të mbështetet vetëm te sistemet sovjetike të mbrojtjes kundërajrore „Neva“, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Komisioni Evropian i ka ofruar Bullgarisë mundësinë të përfshihet në ndarjen e 21 miliardë eurove të tjera, të destinuara për projekte të modernizimit të ushtrisë në kuadër të mekanizmit SAFE. Megjithatë, deri më tani, vendi nuk ka pranuar të marrë pjesë. Arsyeja lidhet me qëndrimin e Ministrisë së Financave, e cila nuk e mbështet marrjen e kredive të reja për modernizimin dhe pajisjen e ushtrisë me armatime moderne.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova